Valixhja që mbart mallin e vendlindjes

Kultura

Valixhja që mbart mallin e vendlindjes

Nga: Neki Lulaj Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 11:02
Neki Lulaj

Ka libra që lindin nga imagjinata, por ka edhe të tillë që burojnë nga jeta, nga kujtimet dhe plagët e pashëruara të njerëzve. I tillë është libri i ri i dr. Gani Karamanagës, “Valixhja nga Amerika”, i cili sjell para lexuesit një nga temat më të ndjeshme të historisë sonë: mërgimin, ndarjen nga vendlindja dhe mallin që nuk shuhet as me kalimin e viteve.

Në pasditen e 18 nëntorit 2026, Biblioteka Popullore e Ulqinit hapi dyert për këtë ngjarje letrare. Salla e leximit ishte mbushur me dashamirës të librit, të kulturës dhe të fjalës së bukur artistike.si poet shkrimtar gazetar, dhe mjete radiotelevizive të informimit .Pjesëmarrja e madhe krijoi një atmosferë të veçantë, që dëshmonte se libri dhe fjala shqipe vazhdojnë të kenë vendin e tyre në jetën kulturore të qytetit.

Në panelin e përurimit ishin autori dr. Gani Karamanaga,  recensentin Esat  Mehmeti, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, si dhe redaktori teknik Gazmend Çitaku.

Në hapje, drejtoresha e Bibliotekës Popullore të Ulqinit, znj. Ardita  Rama, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme, duke thënë me emocion: “Ka kohë që s’ka qenë kështu salla plot!”

Moderatorja e këtij aktiviteti , znj. Ramaj, përshëndeti të pranishmit, mysafirët e ardhur nga Shkodra, në mesin e tyre dr. Astrit Beci, mysafirët nga Kosova  bashkëshortet  Lulaj, dhe të gjithë dashamirët e artit e të letërsisë.

Në fjalën e saj, ajo theksoi se biblioteka është një vatër e dijes dhe kulturës, e cila duhet t’i mbajë gjithmonë dyert hapur për krijuesit, për promovimin e vlerave dhe zbulimin e talenteve të reja. Ajo nënvizoi se vetëm ajo që shkruhet mbetet testament për brezat që vijnë, duke ftuar krijuesit në bashkëpunim sa më të ngushtë.

Drejtoresha  z.Ardita  Rama foli edhe për misionin e bibliotekës në mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë intelektuale e kombëtare. Njëkohësisht, vuri në pah nevojën për modernizimin e institucionit, digjitalizimin e skedarëve dhe përmirësimin e kushteve të punës e të ruajtjes së fondit të librave, pasi objekti aktual nuk i plotëson të gjitha kërkesat e kohës.

Duke u ndalur te libri i ri, ajo tregoi se kishte pasur kënaqësinë të ishte lektore e tij dhe se me autorin e lidhte një bashkëpunim shumëvjeçar.

“Valixhja nga Amerika” trajton një plagë të vjetër e të thellë të shqiptarëve – mërgimin. Një plagë që ka përcjellë breza të tërë dhe i ka shpërndarë shqiptarët në të katër anët e botës. Pas çdo largimi, siç theksoi ajo, mbetet diçka pas: prindërit, shtëpia, fëmijëria dhe vendlindja, ndërsa në shpirtin e mërgimtarit mbetet gjithmonë një kokë e kthyer nga vendi i origjinës.

Libri është ndarë në katër kapituj: “Shkuan”, “Nuk erdhën asnjëherë”, “U kthyen në vendlindje” dhe “Besnikë vendlindjes”. Këta tituj përmbledhin katër rrugë të ndryshme të jetës së mërgimtarëve: largimin, moskthimin, kthimin dhe qëndresën në vendin e vet.

Ajo vuri në dukje se shumë shqiptarë, edhe larg atdheut, kanë arritur suksese në fusha të ndryshme të jetës, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe zakonet e të parëve. Në përfundim, e përgëzoi autorin për këtë botim, duke e cilësuar si një vepër të veçantë në trajtimin e temës së mërgimit.

Më pas, fjalën e mori z. Faik Nika, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Ai përshëndeti autorin dhe të pranishmit, duke treguar se e kishte përcjellë nga afër rrugëtimin e këtij libri. Theksoi se Këshilli Kombëtar kishte mbështetur botimin dhe shprehu gatishmërinë që, brenda mundësive, të përkrahë edhe botime të tjera dhe krijuesit e rinj.

Recenzenti i librit, z. Esat Mehmeti, foli për veprimtarinë e gjerë të dr. Gani Karamanagës, duke e cilësuar atë si një emër të njohur të mjekësisë dhe të letrave shqipe, jo vetëm në Ulqin, por edhe më gjerë. Ai theksoi se Karamanaga, gjatë dy dekadave të fundit, ka botuar disa libra dhe punime shkencore me tema të ndryshme. Libri i ri, sipas tij, është fryt i dëshirës së autorit për të shfletuar kujtimet dhe brengat e bashkëqytetarëve të tij, të cilët, të shtyrë nga rrethanat ekonomike e politike, morën botën në sy. Disa mbetën përgjithmonë larg, disa nuk u kthyen asnjëherë, ndërsa të tjerë, pas shumë vitesh, gjetën përsëri rrugën e vendlindjes.

Vepra paraqet një pasqyrë sa të dhimbshme, aq edhe reale të kësaj dukurie, duke përshkruar kushtet e vështira ekonomike, mungesën e perspektivës për të rinjtë dhe rrethanat politike që i detyruan shumë njerëz të largoheshin.

Një vështrim të ndjeshëm mbi përmbajtjen e librit solli edhe redaktori teknik, z. Gazmend Çitaku. Ai u ndal te një shprehje e autorit, e cila bart në vete një filozofi të tërë jetësore: “Balta në vendin e vet është më e ëmbël se mjalta”.

Me këtë rast, Çitaku përshkroi dhimbjen e familjeve që mbetën pas, prindërit e moshuar që lanë portat hapur me shpresën se një ditë do të ktheheshin bijtë e tyre, oborret që mbetën pa fëmijë, pa nipër e pa mbesa. Bari filloi të mbinte nëpër oborre, ndërsa vizitat e fqinjëve u rralluan, sepse edhe ata kishin përjetuar të njëjtën plagë: mërgimin.

Ishte një përshkrim që e nxirrte në pah anën tjetër të largimit, atë që shpesh mbetet në heshtje – dhimbjen e atyre që presin.

Në fund të këtij takimi kulturor, fjalën e mori autori i librit, prim. dr. Gani Karamanaga. Ai pranoi se, sikurse në ditët kur dilte para një provimi, edhe atë mbrëmje ndiente emocion dhe përgjegjësi para publikut.

Duke folur për bisedat e tij me mërgimtarët, ai veçoi tri shprehje që, ndoshta më shumë se çdo përshkrim tjetër, e përmbledhin dhimbjen dhe dashurinë për vendlindjen:

“Na dogji malli për vendlindje!”

“Do të kthehem!”

“Sa i lehtë është dheu i vendit tim!”

Këto fjalë, të thjeshta në dukje, bartin një botë të tërë emocionesh. Ato dëshmojnë se vendlindja nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por është kujtesë, rrënjë, gjuhë, familje dhe identitet. Është ajo pjesë e jetës që njeriu e merr me vete kudo që shkon.

Autori u ndal edhe te rrethanat e vështira politike e ekonomike që i kanë shtyrë brezat e rinj shqiptarë drejt rrugëve të mërgimit.

Ai kujtoi historinë e shpërnguljeve kur Ulqini iu dorëzua Principatës së Malit të Zi në nëntor të vitit 1880, qytetin e braktisën 413 familje shqiptare, që përbënin rreth 3,000 banorë. Kjo shifër përfaqësonte afërsisht 40% deri në gjysmën e popullatës qytetare të asaj kohe të  cilët u larguan drejt Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit.

Në kapitullin e fundit, “Besnikë vendlindjes”, dr. Karamanaga sjell edhe një mesazh të rëndësishëm: se njeriu mund të jetojë e të ndërtojë të ardhmen në vendin e vet, duke ruajtur familjen, rrënjët dhe identitetin kombëtar.

Përurimi i “Valixhes nga Amerika” ishte më shumë se një promovim i zakonshëm libri. Ishte një takim me kujtesën kolektive, me historitë e largimeve dhe me mallin e pashuar të shqiptarëve për vendlindjen. Ishte një kujtesë se pas çdo valixheje që merr rrugën e botës, mbetet një prag shtëpie, një derë e hapur dhe dikush që pret.

Në fund, njeriu mund të ndërtojë jetë në shumë vende të botës, por jo gjithmonë mund të gjejë një vend që ia zëvendëson atë ku ka hedhur hapat e parë.

Sepse valixhja mund të mbushet me rroba, kujtime e dhurata, por malli për vendlindjen nuk zë vend vetëm në të. Ai bartet në zemër, gjatë gjithë jetës. Ky libër dr.Garamanagës , është mesazh i qartë i cili bënë një thirrje për kthim se edhe ketu ka jetë, ka rehati, begati , liri  andaj kur i ke keto elemente vendlindja ti ofron të gjitha mundësit e jetës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat