Fisnikëria e një malazeze në Paris

Kultura

Fisnikëria e një malazeze në Paris

Nga: Bajram Sefaj Më: 10 janar 2022 Në ora: 08:11
Helena dhe Ismail Kadare

Dera e shtëpisë parisiene e familjes së Brankës, ku jeton me bashkëshortin francez dhe fëmijët, që nga vitit 1964, ishte kurdoherë e në çdo vakt, e hapur, një lugë me tepër për familjen e njohur Kadare (nga Shqipëria fqinje, përjetë e mot në marrëdhënie të këqija më Serbinë hegjemoniste). 

Shumë vjet më vonë, në një intervistë, enkas për lexuesin shqiptar, ndër (shumë) të tjera, zonjës Branka ia shtroj edhe këtë pyetje, jo edhe aq e këndshme: A keni pasur telash për shkak të kësaj miqësie me shkrimtarin e njohur shqiptar, kur dihet se ishte i afërt edhe me krijuesin e njohur serb, Danillo Kishin?

Ja përgjigjja e saj autentike! 

- E qëlluar! Ata që ma zunë për të madhe këtë miqësi, janë nga radhët e nacionalistëve (mjerisht, nga nacionalizmi vuan edhe Shqipëria si edhe Evropa vetë!), të cilët nuk i kishin lexuar fare intervistat e mia me Kadarénë, por edhe nga ata që kishin pasur rastin t’i lexonin ato. Nga ato intervista shihet mirë se shkrimtari i njohur Kadaré, është edhe humanist i thekur, ngase, për shembull, lidhur me çështjen e Kosovës, kërkon pajtim midis serbëve dhe shqiptarëve, gjë që është akt trimërie dhe moral i lartë, sidomos kur ekstremistët, nga të dyja anët, duan luftë. Kadaré nuk kishte miqësi vetëm me Danillo Kishin, por edhe me ndonjë shkrimtar tjetër serb. Ëndërroj që veprat e Kadarésë, sa më shpjet që të jetë e mundur, të përkthen dhe të lexohen edhe në serbisht! Fqinjët duhet të mirëkuptohen dhe të çmohen mes vete, si dikur, në kohën e Mark Milanit, kur kishin jo vetëm etikë të ngjashme, por edhe miqësi.

Çifti Kadare   

(I pranishëm në të gjitha botimet e bisedave në Paris...) 

Në të gjitha botimet, “Biseda në Paris”, pra edhe në këtë të shtëpisë së mirënjohur botuese, Onufri nga Tirana, për lexuesin shqiptar, kudo qoftë ai, sjell në shqip, një përzgjidhje të librit të vëllimshëm (410 faqe) të Branka Bogavac, ku përfshihen njëzet shkrimtarë eminentë botërorë, midis të cilëve është edhe Ismail Kadare.

Parathënien e këtij libri (përkthyer me korrektësi të pashoqe, nga serbishtja në shqip nga Nikolla Sudar, që jeton e krijon në Tiranë), e shkruan mikja parisiene e Brankës, zonja Helena Kadaré, bashkëshorte dhe bashkudhëtare e Ismailit, kur edhe vetë është shkrimtare shqiptare, ndër më të shquarat në letërsinë më të re shqipe!

Helena për Brankën...          

Pasi shfleton anë e përtej, duke vënë në pah anët e mira dhe epërsitë e tij, pasi i ngre portretin e mikes saj (Branka) “shtatlartë dhe e drejtë, si katedrale!” (shih ti njëherë, krahasimin gjenial!), parathënien e librit “Biseda në Paris” (në gjuhën shqipe, Onufri, Tiranë – 2007), Helena Gushi Kadare, e përmbyll kështu: “Dhe thëniet e mençura të këtyre krenave të artit ndjekin njëra-tjetrën në faqet e mrekullueshme të këtij libri të pangjashëm me asnjë tjetër, që gazetarja malazeze ka ditur t’i qëmtojë e t’i paraqesë me aq mjeshtëri. Ndodh rrallë që një libër, që sapo e ke mbaruar së lexuari, ke dëshirën e papërballueshme ta rinisësh përsëri nga e para. Me librin e Branka Bogavacit ndodh pikërisht një gjë e tillë”.

B. Bogavac: Ëndërroj që Kadare të përkthehet në s/kroatisht!

(fragment nga një bisedë e gjatë)

- Libri juaj “Biseda në Paris” u prit me interesim dhe ngrohtë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Ndonjë fjalë me tepër për veten dhe për punën tuaj të derisotme?

- Branka Bogavac: Në publik jam e njohur pas bisedave me shkrimtarët dhe artistët më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë, në mesin e të cilëve janë: Borhesi, Umberto Eko, Ismail Kadaré, Mario Vargas Llosa, Margaritë Dyrras..., nobelistët – Çeslav Milosh, Klod Simon, Nadin Gordimer, Toni Morison, Eli Vizel, Orhan Pamuk..., politikanët: Mihail Gorbaçov, Mishel Rokar..., regjisorë të filmit: Sergej Paraxhanov, Andrej Konçalovski, Kërzhistov Kishlovski...., piktorë: Dado, Staniq, Veliçkoviq..., aktorë: Rade Sherbexhija, Kristina Janda (fituese e Palmës së Artë për rolin femëror në Kanë). Një numër i madh i këtyre bisedave dhe intervistave, deri më tash, i kam përmbledhur dhe i kam botuar në madje në shtatë vëllime.

- Libri juaj, prej afro pesëqind faqesh, është kontakti i parë i drejtpërdrejtë me publikun lexues shqiptar. Si ndodhi botimi i këtij libri në Tiranë?

- Bashkëshortja e Ismailit, Helena, me njohu me botuesin e Kadaresë, z. Bujar Hudhrin, me të cilin edhe ndërruam disa fjalë në rusisht. Ai më la përshtypje të një njeriu të mirë dhe korrekt. Që të kem besim tek ai, mjaftonte edhe fakti se ishte botues ekskluziv në gjuhën shqipe i veprës së Kadaresë. Ai mori librin tim dhe tha se do ta lexonte, asgjë më shumë. Kur, papritmas, një zotëri nga Tirana me bën telefonatë në Paris dhe me thotë se është duke e përkthyer librin tim. Ishte ky Nikolla Sudar, publicist dhe përkthyes i njohur shqiptar, me të cilin, fill pastaj, përmes letërkëmbimit u shoqëruam. Sipas mendimit të Helena Kadarésë, e cila edhe ka shkruar parathënien e librit tim në shqip, përkthimi nga serbishtja në shqip, është tejet korrekt, gati-gati i përkryer. I jam mirënjohës Bujar Hudhrit që, me botimin e librit tim, në një edicion të shkëlqyer, më ka bërë një surprizë të këndshme dhe të paharruar. 

Të them se unë krenohem me miqësinë që kam më Helenën dhe Ismail Kadarénë. Në shtëpinë e tyre ndihem si në timen, në Mal të Zi. Ngrohtësia dhe drejtpërdrejtshmëria janë tipike tonat, ballkanase. Por mos harroni: Kadarénë, si shkrimtar të njohur, nuk është aq lehtë ta takosh dhe nga ai të marrësh intervistë! Unë kisha fat, ndoshta edhe privilegj dhe mirëkuptim “ballanik”. Në kohë të vështira, zëri i një shkrimtari dhe humanisti aq të madh, paraqiste melhem në plagë. E, tash do t’ju rrëfej se si ndodhi afria jonë profesionale dhe miqësore. Me Ismail Kadarénë jam njohur në mënyrë jo të zakontë. Kur Kadaré kishte braktisur Shqipërinë, në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, me thirri redaktori i revistës “Mlad Borec” nga Shkupi dhe me luti të bëja një bisedë me Ismailin. Përmes shtypit e dija se Kadaréa tashmë gjendej në Paris. Por, para kësaj, gjersa realizova një intervistë me piktorin e njohur slloven, Zoran Mushiq, ai me entuziazëm të madh me foli për Kadarénë dhe me tha se veprat e tij gjithsesi duhen lexuar. Ashtu edhe bëra. Derisa Kadaré ishte azilant (midis azilit dhe ekzilit) u hodha në leximin e veprave të tij me kënaqësinë më të madhe, duke zbuluar një botë fantastike të një shkrimtari të madh ballkanas.

Pas tre-katër muajsh leximi intensiv, me të vërtetë ndodhi befasia: duke dalë nga metroja, vetëm disa metra larg shtëpisë sime, para vetes pashë Kadarénë. Nuk është gjë e thjeshtë (as e lehtë) t’i drejtohesh njeriut, ashtu në rrugë, por ky është fati i njerëzve të famshëm, ata njerëzit i njohin, mahniten me veprat e tyre, prandaj edhe mund t’i lejojnë vetes t’u drejtohen. Iu paraqita Kadarésë, gjë të cilën, me skofiaritet ai e pranoi, ani pse nga natyra është shumë i matur... Pas një copë rruge bashkë, e ftova në shtëpinë time për një kafe, kjo është veçoria jonë ballkanase, t’i ofrohet mikpritja një të huaji. Që atë mbrëmje, hiç më larg, kisha nderin që të pranoja çiftin bashkëshortor Kadaré. Më gëzoi fakti se Kadaré kishte besim tek unë.

Sigurisht se shkrimtari i madh, qysh në shikim të parë, mund të vlerësojë dikë. Megjithatë, ishte një guxim i madh të shkohet (vihet) në shtëpinë e një malaziaseje, të panjohur për të. Lidhëm miqësi të menjëhershme, ngase na lidhnin shumë gjëra të përbashkëta, sidomos shikimi i ngjashëm mbi shumë gjëra, mbi botën dhe jetën. Ishim të afërt, si të ishim nga i njëjti vend, por edhe nuk është për t’u habitur, kur dihet se Tiranën, nga Mali i Zi e ndajnë jo me shumë se dyqind kilometra rrugë. Pastaj bisedat u shpeshtuan dhe, mund të them se, kështu lindi një miqësi e mrekullueshme në mes meje dhe Helenës. Kështu edhe ndodhën bisedat letrare me Kadarénë dhe të shoqen. Intervistat më të i kam botuar gjithandej në shtypin ditor dhe në periodikun e ish (ex-Jugosllavisë): Bile një bisedë imja e gjatë me Helenën, është botuar, në shtatë vazhdime, te gazeta ditore “Pobjeda” e Podgoricës. Kadareja përherë më ka dalë në ndihmë dhe pozitivisht u është përgjigjur kërkesave të mia për intervista. Ai është njeri që dëshiron që situata midis serbëve dhe shqiptarëve të zgjidhte një herë e mirë, në mënyrë paqësore. Ai kurdoherë është i gatshëm për dialog. Sigurisht se publiku shqiptar e di, por të shtoj me këtë rast se Kadaré është tejet i njohur dhe i popullarizuar në opinionin lexues francez. Dëshmia më e mirë për këtë është pjesëmarrja masive e lexuesve në çdo paraqitje të tij para publikut francez. Por, dëshmi edhe më e madhe se kjo është fakti se botuesi i tij ekskluziv francez (Fayard), përpos në gjuhën frënge, veprën e tij madhore letrare, e ka botuar madje në dymbëdhjetë vëllime, edhe në gjuhën shqipe. Kur është fjala për çmimin Nobel, unë gjithnjë besoj në të. Ai është akoma i ri dhe ka kohë. As Borhesi, as Umberto Eko, as Marsel Prusti, nuk e kanë marrë atë shpërblim, e fama e tyre e tejkalon famën e shumë e shumë nobelistëve.

- Një pyetje jo edhe aq e këndshme: A keni pasur telash për shkak të kësaj miqësie me shkrimtarin e njohur shqiptar, kur dihet se ishte i afërt edhe me krijuesin e madh serb, Danillo Kishin? 

- E qëlluar! Ata që ma zunë për të madhe këtë miqësi, janë nga radhët e nacionalistëve (mjerisht, nga nacionalizmi vuan edhe Shqipëria si edhe Evropa vetë!), të cilët nuk i kishin lexuar fare intervistat e mia me Kadarenë, por edhe nga ata që kishin pasur rastin t’i lexonin ato. Nga ato intervista shihet mirë se shkrimtari i madh Kadaré është edhe humanist i madh ngase, për shembull, lidhur me çështjen e Kosovës, kërkon pajtim midis serbëve dhe shqiptarëve, gjë që është akt trimërie dhe moral i lartë, sidomos kur ekstremistët, nga të dyja anët, duan luftë. Kadaré nuk kishte miqësi vetëm me Danillo Kishin, por edhe me ndonjë shkrimtar tjetër serb. Ëndërroj që veprat e Kadarésë, sa më shpjet që të jetë e mundur, të përkthen dhe të lexohen edhe në serbisht, si dhe të atyre autorëve që shkruajnë në gjuhën serbe! Fqinjët duhet të mirëkuptohen dhe të çmohen mes vete, si dikur në kohën e Mark Milanit, kur kishin jo vetëm etikë të ngjashme, por edhe miqësi. 

- Në fund, një pyetje, që duket si e pashmangshme: Ç’jeni duke punuar tani, në këtë çast?

- Aktualisht jam duke përgatitur një libër në gjuhën ruse. Fjala është për një përmbledhje bisedash dhe intervistash ekskluzivisht me shkrimtarët dhe artistët e ndryshëm rusë, të cilët, pos në Paris, i kam takuar në Moskë dhe në Shën Petersburg. Zaten kam dhjetëra biseda e intervista akoma të pabotuara. Në një libër të ardhshëm do të shohin dritën e botimit edhe ato, bashkë me të gjithë krijuesit ballkanas, për të cilët fola më lart. Dëshiroj që këtë bisedë ta përfundoj me një riprodhim të shkurtër, shkëputur nga një prej bisedave me të, ku më së miri shihet se sa i saktë ishte një parashikim gati-gati, magjistar i tij. “Unë jam shkrimtar i atdheut tim, Siujdhesës Ballkanike, i Evropës. Me gjithë gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur midis serbëve dhe shqiptarëve, mendoj se tash e ardhmja është më e rëndësishmja. Asnjë krim nga e kaluara historike nuk duhet të jetë arsyetim që ngatërresa të vazhdojë. Jam i bindur se të gjithë do të ishin të lumtur që një lloj paqeje të arrihet midis këtyre dy kombeve, kur do të ishin të kënaqur edhe intelektualët edhe njerëzit e rëndomtë, madje edhe vetë politikanët, që sot sikur janë të verbër. Jam po ashtu i bindur se edhe ata, një ditë, do të thonë: si ishte e mundur të kemi qenë aq të hasmuar njëri me tjetrin? Ëndërroj që të vijë ai çast hyjnor. Është për nder të dy kombeve të ndërpresin armiqësinë dhe t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit. Nuk është kjo as romantizëm, as moralizim, as sentimentalizëm, as çfarëdo kalkulimi politik. Jam i bindur që një gjë e tillë është e mundshme dhe se do të ishte një lehtësim që të zhduken demonët, që demonë të mos këtë më. Jam i bindur se ajo ditë do të vijë!”.

Post scriptum: Se sa, ne ballkanasit, jemi të afërt me njëri-tjetrin, më së miri dëshmon edhe miqësia jonë, Bajram i dashur. Ju kujtoj nga Parisi, nga Cannes..., kur shoqëroheshim duke mekur nostalgjinë tonë, si edhe unë vetë, edhe ju, vështirë e keni përjetuar eksodin, por, në anën tjetër, keni mësuar shumë, keni shkruar dhe keni ëndërruar për vendin tuaj, për mirëkuptimin midis popujsh. Edhe të tjerët le të ndjekin rrugën tonë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat