Një abetare për diplomatët

Kultura

Një abetare për diplomatët

Nga: Ibrahim Kadriu Më: 25 janar 2022 Në ora: 12:01
Kopertina e librit

Mal Berisha, diplomat me karrierë, i cili misionin e diplomatit e kreu në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, në Irlandën e Veriut dhe në Republikën e Irlandës, duke e arritur një përvojë të jashtëzakonshme të përfaqësimit të shtetit shqiptar, por në një mënyrë edhe të realitetit të Kosovës, vitin e kaluar e botoi librin reprezentativ “Ambasador i pushtetit të butë”, që në fakt iu bashkohet librave të tjerë të tij, siç janë: "Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir", studim i plotë i artikujve të botuar në revistë n National Geographic Magazine, të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej më se 100 vjet (2007); "Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008); "Amerikani Charles Telford Erickson, një jetë kushtuar Shqipërisë" tre volume, (2012)."Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933" (dhjetor 2014), "Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015. Gjithashtu ka përkthyer librat: “Naltësimi i Iskanderit, shkruar nga Benjamin Disraeli, 1833, botuar nga Shtëpia Botuese “KOHA”, Prishtinë, 2018, "Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë dhe "Shpëtim në Shqipëri", shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i "besës" dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri. Pos angazhimit në diplomaci (ishte edhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll) një kohë iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) si dhe në Federatës Pan - Shqiptare të Amerikës "VATRA", ndërkaq në vitin 2000 iu bashkua Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë dhe pas kryerjes së këtij mandati, në Shqipëri u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, prej nga, pastaj, me dinjitet kryen detyrën e ambasadorit në Londër.

Libri “Ambasador i pushtetit të butë”, me përgatitje solide (me 540 faqe të formatit të madh) vjen si një dhuratë e shkëlqyer për çdo kategori lexuesish, e posaçërisht për kuadrot diplomatike të cilët do të njihen më afër për mundësitë e arritjeve të suksesshme në planin e njohjes të shtetit dhe njerëzve me merita kulturore dhe historike të popullit shqiptar pavarësisht ambienteve gjeografike ku jetojnë. Njohuritë e Mal Berishës, të shtruar në këtë botim të vlefshëm, kanë gjerësi dhe thellësi; vijnë si referenca të njohësit me përpikëri të rrethanave kulturore dhe historike të shqiptarëve kudo qofshin ata, vijnë si mesazhe për të kuptuar esencën e realitetit historik të marrëdhënieve të shqiptarëve me botën dhe, anasjelltas, të botëkuptimeve të botës për shqiptarët. Duke qenë i orientuar në ballafaqimin me botën, Mal Berisha shpalon kujtesën historike, sidomos të autorëve të huaj, dhe i ofron si përmbajtje ekskluzive me të cilat, përkundër intrigave të fqinjëve, shqiptarëve iu jepet mandati i njerëzve me virtyte të jashtëzakonshme. Sipas këtij libri duket se autori i ka dhënë vetit detyrë të qëndrojë gatitu para çdo vlere kombëtare të cilat, me gjuhë të zgjedhur, i ka mbushur faqet e këtij libri të rrallë.

Duke përshkruar rolin e diplomatit në përfaqësimin e shtetit dhe të popullit që i takon, Mal Berisha ka gjetur kohë të mjaftueshme t’i qaset edhe problemeve jetike të Kosovës, sikur duke pasur detyrë primare në punën e tij. Kjo vërehet që nga gjallërimi i përfaqësisë së Kosovës në Turqi, përkatësisht në Stamboll, gjithnjë duke i ndenjur pranë përfaqësuesit të Kosovës Enver Talit, e deri te marrja e drejtpërdrejtë me çështje të Kosovës përmes Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me Diogardin në krye, në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” , në Misionin e Kombeve të Bashkuara e deri te individët nga Kosova që kanë bërë emër në botë, siç është aktori Bekim Fehmiu, këngëtarja Rita Ora, e tj. Me gjitha këto angazhime, të cilat i mbushin faqet e këtij libri, shpesh me përballje të peripecive të papritura, Mal Berisha ofrohet si portret i njeriut që me mendje e shpirt i përkushtohet kombëtares, shpesh si vetëmohues, siç janë rastet e ngritjes së përmendoreve të Skënderbeut në Londër dhe në fshatin arbëresh Munxhufuni të rajonit Muize të Italisë. Me pak fjalë mund të thuhet se ky libër është një abetare e shkëlqyeshme jo veç për diplomatët, por edhe për të tjerët të cilët brenda faqeve të këtij libri do të gjejnë diapazonin e gjerë të njohurive të autorit mbi çdo gjë shqiptare.

Ibrahim Kadriu

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat