A jemi “një komb - një kulturë”!

Kultura

A jemi “një komb - një kulturë”!

Nga: Hejza Art Më: 16 maj 2022 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Programet konkrete bëjnë që strategjitë të mos ngelin vetëm teori të thata të dala nga “vizionet megalomane” të platformave politike që hidhen sa për të fituar pushtet! Programet janë bazë e planeve zhvillimore që hartohen bazuar në projektet paraprake të qartësuara nëpër kuadro logjike deri në detajet më të imta!

Një program i këtillë i Bashkësisë Evropiane në sferën e kulturës si dhe të industrisë kreative të hartuar nga Komisioni për Kulturë për vitin 2014-2020, mbështeti rreth 8000 organizata kulturore, 300 000 artistë e krijues, profesionistë kulturorë e producentë të ndryshëm që angazhoheshin për një karrierë ndërkombëtare. Vetëm në sferën e krijimtarisë letrare, respektivisht, në sferën e përkthimeve, u parapanë që të përkthehen në gjuhë të ndryshme evropiane mbi 5500 tituj. Në sferën e filmit, në sektorin audioviziv, tashmë funksionon edhe kanali i veçantë televiziv “Filmi Evropian”, me një fond prej mbi 1000 filmave evropianë të ndihmuar nga ky Program, i cili ka ndihmuar që nëpër kinematë evropiane fondi i filmave të shtohet nga 36% sa ishte në vitin 1989, në mbi 60 % në vitin 2015. Kjo politikë kulturore e BE-së ka ndikuar që sot rrjeti “Europa Cinemas” të numërojë mbi 2000 kinema të pavarura në rreth 500 qytete anekënd Evropës.

A është e logjikshme që statistika të këtilla të kemi edhe nga ministritë tona përkatëse, me qëllim që të dihet se sa fituan, në veçanti organizatat kulturore, produksionet dhe tërë industria kulturore shqiptare? A dihet se cilat organizata kulturore shqiptare, cilët artistë e krijues ia dolën që përmes këtij Programi të njihet ndërkombëtarisht! Për më tepër, Programi i BE-së fondet më të mëdha i jep për projekte të organizatave kulturore që parashohin bashkëpunim ndërkufitar.

Së këndejmi, pothuajse të gjitha organizatat kulturore shqiptare që kanë dëshmuar seriozitet në punët e tyre, kanë pasur mundësinë të aplikojnë dhe të përfshihen në përkrahjen financiare të Programit Kulturor të BE-së! A dihet se cila është ajo pjesë financiare që ia kanë dalë ta marrin nga buxheti miliarda euro i paraparë në programet për kulturë të BE-së?

Programi për kulturë i dekadës së dytë të këtij shekulli i BE-së u përqendrua sidomos në fushën e filmit si dhe të leximit të librave të autorëve evropiane, pasi bëri një analizë e cila nuk ishte aspak inkurajuese. BE-ja numëron 23 gjuhë zyrtare, i përdor tri alfabete si dhe i pranon mbi 60 gjuhë rajonale dhe të pakicave kombëtare! Nga ana tjetër, kërkimet e Eurobarometrit të kryer në dekadën e parë të shekullit të ri, kanë përfunduar se një përqindje fare e papërfillshme e qytetarëve evropianë shikojnë filma të huaj, kurse prej tyre vetëm 7 % lexojnë libra të huaj! Programi për kulturë i vitin 2014-2020 i BE-së që do të quhet “Evropa Kreative” parashihte të prekë më se 100 milionë qytetarë të saj!

Fatkeqësisht, nga ky program më të privuar kanë qenë shqiptarët përtej kufijve të shtetit amë dhe Kosovës, sepse programi nuk ka qenë i hapur për subjekte fizike, por vetëm për subjektet juridike. Shqiptarët kanë shumë pak subjekte juridike kulturore, ndërsa institucione kulturore, si subjekte juridike, mund të numërohen në gishta të një dore! Mjafton ky fakt që të përfundojmë se shqiptarët janë shumë larg Programi evropian për të avancuar në sferën kulturore dhe në industrinë kreative. Mediat shqiptare nuk kanë raportuar, por nuk kemi as raporte nga organizatat kulturore shqiptare që kanë përfituar nga buxhetet miliarda euro të Programit për kulturë të Evropës kreative.

Pa dyshim, shumë organizata kulturore të angazhuar në rrafshin e botimit të librit shqip kanë qenë të përjashtuar nga ky projekt vetëm për shkak të gjuhës shqipe! Shtetet e BE-së akoma nuk e kanë rregulluar këtë çështje, madje, me gjasë, as që do të shprehin më të voglin interesim për ta rregulluar ndonjëherë. BE-ja e njeh vetëm “shqipen e Shqipërisë” dhe nuk do të përkrahë projekte letrare në gjuhën shqipe që zhvillohen në shtetet e tjera ku mund të flitet kjo gjuhë!

Ky problem ngelë të zgjidhet ekskluzivisht nga organizatat shqiptare, të cilat nuk kanë kurrfarë interesimi për t’u rrjetëzuar në mes vete dhe për të konkurruar gjithandej si një kulturë. Askush nuk do të na vlerësojë “një komb një kulturë” nëse për këtë vetë ne nuk jemi të vetëdijshëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat