Njeriu që kujtohet gjithmonë me krenari

Kultura

Njeriu që kujtohet gjithmonë me krenari

Nga: Tahir Bezhani Më: 27 korrik 2022 Në ora: 08:21
Haki Zllami, profilizim i jetës arsimore në trevën e Tropojës e jo vetëm.

Me 27.korrik,2022 mbushet një vit pa mësuesin, drejtorin e titullarin e lartë të Arsimit e Kulturës në krahinën e Tropojës, pa poetin, publicistin, kritikun e letrave shqipe, njeriun i cili gjatë gjithë jetës së tij, iu përkushtua edukimit të brezave në Tropojë e jo vetëm. Haki Zllami në maje të gjuhës mbante gjithmonë fjalën e ëmbël, urtësinë e zemrës dhe mendjes, si virtyt dhe vlerë njerëzore.

Haki Zllamin e njoha vonë, për të mos e harruar kurrë, urtakun e qytetit të Bajram Currit, poetin e krijuesin e spikatur. U njohëm përmes përurimeve të librave në dy qytetet tona, Gjakovës e Bajram Currit, pasi vendosem urat e bashkëpunimit në fillimvitet e pasluftës. Pastaj udhëtuam së bashku kudo, gjithandej trojeve tona, të gjeografisë shqiptare.

Gjithmonë Haki Zllami ishte ajo kështjella ku strehoheshim të gjithë për të mësuar fjalën e bukur, të ëmbël, plot vlera kuptimplote. Falë kulturës së gjerë, dijës dhe afinitetit të lartë njerëzorë, jo vetëm se u shoqëruam, por edhe u mishëruam, u bëmë miq të pandarë, miq familjarë, ku jeta përditë dëshmonte thesarin e kohës. Miqësia jonë reflektonte kudo: në shkolla kur mbaheshin orë letrare, në qytet, rrugë, kafene. Ishte një figurë të cilën e kërkonte syri dhe mendja njerëzore, sepse tek ai gjendej miqësia e devotshëm.

Fotokujtim me mikun e paharruar, Haki Zllami

Viteve të fundit Haki Zllamin e kam quajtur “Urtaku i Bajram Currit”. Një epitet i tillë i binte përshtat atij burri me të gjitha tiparet e skalitura në madhështinë e tij. Pos urtësisë si gjenerator i mençurisë, Haki Zllami kishte edhe autoritetin kudo, jo vetëm në Bajram Curri, por edhe në Gjakovë e gjetiu.

I brumosur mirë me epitete të etikës personale, me karakter të fortë, të pathyeshëm, plot sharmë jete, neve, miqve të tij, do na mbetët sot e gjithë jetën, në mbamendje, në epiqendrën e kujtesës sonë, ndër miqtë më të mirë, të dashur dhe të paharruar kurrë.

Krijimtaria e tij letrare e gjithanshme, e kudogjendur, në bibliotekat tona, ato shkollore e universitare, do jenë pasuri e pazëvendsuar në duart e gjeneratave të reja.

Njeriu kurrë nuk mund ta dijë se cila është përshëndetja e fundit me mikun. Përherë shpreson në takime të reja. Këto foto, dëshmojnë përshëndetjen e fundit mes miqve, Lulëzim Logu e Tahir Bezhani, me të ndjerin (tani), z. Haki Zllami, në fundprillin e viti 2021 në Bajram Curr.

Haki Zllami, në ndërdijen tonë, do ngelet një përmendore e vlerave të kohës në të cilën tregoi gjithë potencialin e tij intelektual e njerëzor.

Dhimbja dhe krenaria për poetin, krijuesin e mirëfilltë të letrave shqipe, mikun e vlerave universale, do jetë pjesë e pandashme e jetës në vazhdim.

Gjakovë,26.korrik.2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat