Dëshmi e dashurisë ndaj jetës, vendlindjes dhe poezisë

Kultura

Dëshmi e dashurisë ndaj jetës, vendlindjes dhe poezisë

Nga: Baki Ymeri Më: 19 gusht 2022 Në ora: 20:11
Kopertina e librit

Merita Kafexhiu Kadiri është njëra nga poeteshat më të talentuar të diasporës shqiptare, një mëmëdhetare me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta, një vlerë e veçantë që digjet për fjalën e bukur, për atdheun e të parëve tanë, për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me dashuri dhe atdhedashuri. Në këtë kontekst, duke shfletuar vargjet e saj, konstatojmë se poezia për Meritën është kopshti i dashurisë, dëshmi e atdhedashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me thjeshtësi dhe thellësi, me dritë dhe ndjeshmëri: ”Jetën e donte me befasitë e saj/ ëndërra i kishte emër, në syrin e valë./ / Se vjen një ditë, një rreze më vezullon/ dëshirat e plakura, mallshëm m’i përqafon./ / E pamposhtur në rrugën time plot dritë/ çdo vargu dua ti japë dritë dhe jetë/ t’ia them këngës për çdo lis dhe fletë.” (Ajo).

              Që në faqet e para të kësaj vepre briliante ballafaqohemi me meditime mbresëlënëse që e zbukurojnë jetën dhe rregullat e lojës. Ritmet e jetës në vargjet e saj nuk dolin nga takti. Meditimet dhe fjalët e saj nuk janë të shtangura. Poetesha jonë din ta krijojë labirintin e ardhmërisë. Merita shkruan për jetën dhe ekzistencën, për shpresën e shpëtimit, për individin dhe shoqërinë, për mençurinë dhe profecinë, për fisnikërinë dhe dashurinë: “Kam një ndjenjë mërzie sot/ kërkoj mëshirë nga Zoti pa ndalë,/ të më dërgojë pak shpresë për jetë/ nëpërmes pëllumbit lajmëtarë.” (Arka e izoluar)

           Feminiteti në thjeshtësinë e saj mund të shpie drejt përsosjes së asaj që don të thotë paritet i perfeksionimit, pa komplikime që s’e kanë vendin, por vetëm me cilësitë e domosdoshme të përjetimit në intenzitet të vazhdueshëm. Merita i anashkalon subjektet me karakter pesimist, duke i dhënë prioritet optimizmit, ëndërrimit dhe kërkimi si tre elemente qenësore dhe komplementar. Këtu intervenon ajo gjendje sublime të cilën në mënyrë karakteristike e definojmë poezinë si princip elementar i substancës dhe përjetimit: “Mësuam sa e keqe qenka arrogance/ Tash u bëmë shumë të dashur nga distanca./ Në fillim thamë, do bëjmë durim/ Se vërtetë kishim nevojë për pak pushim./ Për pushim kish nevojë dhe vetë globi/ Pasi aqë shumë e keqpërdori robi.” (Të mbyllur në dhomë).

            Në vargjet e Meritës ballafaqohemi me subjekte kushtuar jetës, atdheut dhe vendlindjes, familjarëve dhe dashamirëve në plotninë e hapjes së hapësirave. Duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, Merita K. Kadiri vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat atdhetare, hyjnore e natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej: “Dhimbjet e jetës janë shumë të rënda,/ Njërës prej tyre mendoja se do i shpëtojë/ Se nuk do t’largohem nga vendlindja ime/ Me zemër të thyer e gjithnjë në kujtime./…/ Dikur edhe në gurbet filloi t’më ngohë dielli/ Copëzat e zemrës sime fillova t’i mbledhë/ Atdheun gjithnjë në zemër e kam/ Për të falënderoj Zotin, kudo që jam.” (Me atdheun në zemër).

           Autorja buzëqesh, edhe pse shikimet e kalimtarëve ia ndajnë shpirtin në dy pjesë. Në pjesën e parë përjetimi, kurse në të dytën ëndërrimi. Meriton t’i themi Tungjatjeta, sepse Merita e meriton, siç i meriton dy veprat e botuara, si dhe mirënjohjen. Jemi krenarë që ka krijuar një miqësi të fuqishme letrare, duke botuar poezi të bukura ku tema kryesore është rruga e suksesit dhe ura e shëndetit. Mburremi me faktin se si arriti të punojë me sukses për realizimin e projekteve, ura e saj duke u bërë më e fortë, për të kaluar çdo sfidë për të arritur në prag të lumturisë me realizime ëndërrash dhe projektesh. (Baki Ymeri, Bukuresht, 15 Gusht 2022)

BIOBIBLIOGRAFI E SHKURTË

Merita Kafexhiu Kadiri u lind në vitin 1975 në qytetin e Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, dhe prej asaj kohe ka shkruar poezi në revistat letrare të asaj shkolle “Filizat” dhe “Cicërimat e para”.  Artin dhe muzikën e ka pasion që nga fëmijëria e hershme. Në vitin 1994 nga situata e luftës së asaj kohe në Atdhe, ajo me bashkëshortin emigruan në Kanada. Atje vazhdoi edukimin për parukeri dhe estetikë. Merita ka tre fëmijë, dhe frymëzimin më të madh për poezi e gjen tek ata. Poezitë e saj janë në mes të Kosovës dhe Kanadasë, motivi dhe përshkrimi i botës emocionale në mes të këtyre hapësirave është rruga jetësore që ajo e ndoqi me poezinë. Autorja ka të botuar librin e parë të saj me poezi “Rrugët e jetës”. „Jeta vazhdon” është libri i saj i dytë. Merita jeton dhe vepron me familjen e saj në Kanada.

„Përmbledhja ime poetike “Rrugët e jetës” është hapësira mes  stuhive që më hodhën nga një qosh në qoshin tjetër të tyre. Ishin fëmijtë e mi, që me përkrahjen e tyre më dhanë frymëzimin më të thellë për realizimin e librit. Më dhanë dashurinë dhe forcën poetike të vargut për të pasqyruar në mënyrën time lirike në këtë ecje. Falenderoj poashtu bashkëshortin tim, e në mënyrë të veçantë vajzën time Anita, që më dha forcën e mendimit poetik, që me anë të poezisë të filloj një kapitull të ri të kësaj rruge. Poezia është mbretëreshë e artit, prandaj atë do ta kem bashkëudhetare timen të denjë. „ (Merita K. Kadiri)

AJO

Jetën e donte me befasitë e saj

ëndërra i kishte emër, në syrin e valë.

 

Se vjen një ditë, një rreze më vezullon

dëshirat e plakura, mallshëm m’i përqafon.

 

E pamposhtur në rrugën time plot dritë

çdo vargu dua t’i japë dritë dhe jetë

t’ia them këngës për çdo lis dhe fletë.

 

Vargu dhe kënga

u rritën me mua në thellime

jeta jonë

mundimet tona,

jetojnë në arkën time.

 

ARKA E IZOLUAR

 

Kam një ndjenjë mërzie sot

kërkoj mëshirë nga Zoti pa ndalë,

të më dërgojë pak shpresë për jetë

nëpërmes pëllumbit lajmëtarë.

 

U bënë disa muaj në karantinë

kërkoj vargje për dëshirë të unit,

shtëpi e izoluar, shpresë për ardhmërinë

e ngjajshme me atë të arkës së Nuhi’t.

 

TË MBYLLUR NË DHOMË

 

Në vitin dy mijë e njëzetë

Na rroku një sprovë e vërtetë.

 

Në atë kohë të pandemisë

Të gjithë në shtëpi tuj u katandisë.

 

S’kishim ku për me ikë

Njëri prej tjetrit kishim frikë.

 

Kishim frikë nga kollitja apo zjarrmia

N’rrezik më të madh ishin pleqë dhe fëmija.

 

Nuk gjindej njeri në rrugë apo qytet

Të gjithë kishin kujdes për jetën e vetë.

 

U mbulonim me dorashka dhe maska

Ushqimet i ndanim të tregojmë dashuri paksa.

 

Mësuam sa e keqe qenka arroganca

Tash u bëmë shumë të dashur nga distanca.

 

Në fillim thamë, do bëjmë durim

Se vërtetë kishim nevojë për pak pushim.

 

Për pushim kish nevojë dhe vetë globi

Pasi aqë shumë e keqpërdori robi.

 

Shumë teste dolën pozitiv, pa dhimbje as simptome

Njerëzit u dënoheshin me dy javë në arrest dhome.

 

Në karantinë hynë të gjitha shtetet

Sikur bëjnë luftë vetë me vetëveten.

 

E luftonim armikun, të qetë e t’pasukseshëm

Pa ushtri, pa armë, veç pak të frikshëm.

 

Vdiqën shumica e pleqve të mjerë

Tërë jetën punuan n’ fund pensionin mos t’a merrë.

 

Fëmijtë mbetën pa gjyshërit e shkretë

Duke tretur kujtimet për të dashurit e vetë.

 

Bota u ndal së jetuari, bota u tmerrua

Dhe virusit me kurorë, jeta iu shua.

 

ME ATDHEUN NË ZEMËR

 

Dhimbjet e jetës janë shumë të rënda,

Njërës prej tyre mendoja se do t’i shpëtojë

Se nuk do t’largohem nga vendlindja ime

Me zemër të thyer e gjithnjë në kujtime.

 

Por asaj të mjerës nuk i shpëton dot

Duke na dhuruar dhimbje për secilin mot.

Se kur ndahesh nga i dashuri mëmëdhe

Nuk lumturohesh askund mbi këtë dhe.

 

Dikur edhe në gurbet filloi t’më ngrohë dielli

Copëzat e zemrës sime fillova t’i mbledhë

Atdheun gjithnjë në zemër e kam

Për të e falënderoj Zotin, kudo që jam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat