Rrëfim i një plaku 120-vjeçar

Kultura

Rrëfim i një plaku 120-vjeçar

Nga: Adem Bytyçi Më: 7 korrik 2025 Në ora: 11:33
Autori Adem Bytyçi

Biro, tha: "Ruajeni lirinë si dritën e syve!"

Ne shqiptarët, n’Serbinë e parë,

kemi vuajtur shumë.

Regjimi i atëhershëm

na trajtonte si të mos ishim njerëz.

Hapni veshët dhe dëgjoni,

dhe kurrë mos harroni!

Kur shkonim ushtarë,

eprorët ushtarakë serbë

silleshin me ne

si të ishim kafshë,

e jo njerëz.

Në dhomat e fjetjes

vetëm neve, shqiptarëve,

na urdhëronin

dritaret t’i lehim si qentë,

dhe gjithë natën

të mos bënim gjumë.

Mos, mos e harroni, biro!

Ruaje lirinë si dritën e syve!

Ne shqiptarët, edhe në ish-Jugo-Serbi,

kemi vuajtur shumë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore,

më shumë se pesëmijë

na kanë masakruar

në Tivar të Malit të Zi.

Shumë nëna shqiptare

kanë mbetur pa djem,

gra pa burra,

motra pa vëllezër,

dhe djem pa baballarë.

Dhe askush për këtë

krim kundër njerëzimit

nuk ka dhënë përgjegjësi.

Plaku 120-vjeçar, Kuk Ndreu,

duke marrë frymë thellë,

herë-herë i emocionuar,

lotët i rridhnin si lumë.

Vazhdonte rrëfimin e tij të trishtë:

Dikur, serbët nga viset e ndryshme të Serbisë

erdhën në Kosovë.

Tokat tona na i morën

me terror dhe dhunë,

dhe shqiptarët i deportuan

nga vatrat e tyre

për në Turqi —

n’Izmir e në Anadoll —

atje ku jeta ishte

më e vështirë

se në cilindo vendbanim tjetër

në Evropë dhe në rajon.

Biro, ruaje lirinë si dritën e syve!

Për lirinë që e gëzoni sot,

çdo pëllëmbë e tokës së Kosovës

është larë në gjak

nga bijtë dhe bijat

më të ndershëm

të popullit tonë.

Edhe në Luftën e fundit, më 1999,

rezhimi serb i Millosheviqit

vrau e masakroi mbi njëzet mijë shqiptarë —

pleq, gra e fëmijë.

Mbi një milion i deportoi

nën tytën e armëve

në shtetet e rajonit dhe në Perëndim.

Me ç’rast, falë ndërhyrjes së Bashkësisë Ndërkombëtare

dhe luftës së lavdishme të popullit të Kosovës,

e fituam lirinë —

të cilën duhet ta ruajmë

si dritën e syve tanë,

për t’ua lënë trashëgim

gjeneratave që vijnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat