Rreze që zgjojnë atdheun

Kultura

Rreze që zgjojnë atdheun

Nga: Shefqet Dibrani Më: 20 janar 2026 Në ora: 08:27
Kopertina

Poetin Nuhi Potoku, paraprakisht e njoha përmes mikut tim prof. Nazmi Bajgora, i cili shpesh herë më ka folur për të. Bile edhe këtë përmbledhje bashkë me disa libra të tjerë i kam dhuratë nga ai. Ndërsa në vjeshtën e vonë të vitit që iku, më rastisi ta takoja, kuptohet me ndërmjetësimin e prof. Nazmiut, të cilit i përgjërohem! Poeti mu shfaq si shkëndijë, kurse vargu i poezisë, përputhet me të tëra vetit dhe karakteristikat e tij njerëzore!

Vëllimi me poezi "Rreze në atdhe", nga Nuhi Potokut, përmbush kërkesën time jo vetëm për ta lexuar por edhe për të dhënë një mendim rreth këtij vëllimi me poezi të zgjedhura nga vëllimet e më hershme. Poezia e tij bëhet si zbukurim i fjalës, po më tepër ky varg epik, është një çasje në retrospektivë, bëmave historike të kësaj treve. Ky varg, i vëllimit “Rreze në Atdhe”, është një shtegtim nëpër histori, tipik si ai shqiptari i portretizuar në poezinë "Prologu", që për “tremijë vjet brigjeve të dhembjes”, ka lënë gjurmë jo mbi gurë, por mbi varre. Prandaj vendosja e kësaj poezie në fillim të librit, poeti na bën të qartë se fjala e tij nuk do të jetë e qetë: ajo "zgjohet bashkë me ashtin", "kërkon emrin e vjedhur" dhe vargu "lashtësinë e mohuar", poeti ka arritur të lidhë motivin e poezisë me rrënjën dhe me dhimbjen kolektive.

PROLOGU

Tremijë vjet brigjeve të dhembjes

Më shumë këmbëzbathur eci shqiptari

Shekujt mbushi varre për të lënë gjurmë

Dhe nëpër këto varre zgjohet ashti im

Kërkon emrin e vjedhur, kërkon lashtësinë

Thellësive të tokës i ka ruajtur rrënjët

Errësirave të kohës ka fshehur ecjet

Nëpër lumenj gjaku ujit nderin dhe emrin

Bashkë me yjet krijonte legjendat

Tokës e qiellit mësoi këngën e zogjve.

Faqe 5.

Siç shuhet nga vargjet e poezisë, fjala poetike nuk kërkon vetëm bukurinë estetike, por mbart misionin e dëshmisë historike, morale dhe shpirtërore, duke i vendosur koordinatat themelore të diskursit të tij, një lloj shtegtimi historik nëpër kohëra të gjata të dhembjes shqiptare, pikërisht siç është shprhur ai me "ecjen këmbëzbathur nëpër shekuj", ndërsa varret janë dëshmi-arkiva të historisë, që tashmë përmes këtij vargu ky varg zgjohet për të kërkuar emrin e vjedhur dhe lashtësinë e mohuar. Për poetin Nuhi Potoku, atdheu nuk është abstraksion, por është trup i plagosur, është rrënjë e fshehur në thellësitë e tokës dhe kujtesë e ujitur “nëpër lumenj gjaku”.

Në këtë vëllim poetik, atdheu nuk është trup i përbashkët, i ndërtuar nga shumë duar dhe shumë fate. “Tufë lulesh”, është një altar popullor, ku nënat, mësuesit, të burgosurit, studentët, minatorët dhe mërgimtarët rreshtohen si gurë themeli të mbijetesës shqiptare: “Tufë lulesh për mërgimtarët/ Që në valixhe marrin kujtimet/ Me frmdin e këpucëve marrin baltën/ Më të ëmbël se atje mjaltën”, (f.6-7). Pra vargu i poezisë bëhet gjest i thjeshtë, por domethënës, sepse nderimi këtu u takon atyre që e mbajtën atdheun gjallë edhe kur ai ishte i ndaluar. Kurse, poezia funksionon si kronikë morale e kombit, ku figura e shqiptarit nuk paraqitet si hero mitik i largët, por si njeri konkret në role të ndryshme historike: nënë, mësues, minator, student, i burgosur politik, mërgimtar, luftëtar, e kështu me radhë.

Një shtyllë themelore e këtij vëllimi janë poezitë me dedikim, ku poeti u jep zë figurave emblematike të rezistencës kombëtare që nga: Gjergj Elez Alia, Dedë Gjo’ Luli, Motrat Qiriazi, Hamit Abdullahu, Isë Havolli, Mihane Ramoca-Shabani, Nexhmije Latifi, gjyshja Fatë Potoku, Mustafë Bjaraktari, mësuesit; Remzi Demolli e Ruzhdi Ibrahimi, Kadri Rashiti, Hysen Terpeza, Sabit Rrahimi, Elfir Behrami-Rrushës, Ahmet Potoku, Xhafer Rrëzhana, Isuf Repa, e ndonjë tjerë. Këto poezi nuk janë thjesht elegji apo portrete biografike, por akte poetike të mitizimit etik. Te poezia "Për ty", kushtuar I. Rugovës, fjala e tij politike dhe përkushtimi poetik bashkohen në një altar të përbashkët, ku flijimi personal vlerësohet si kusht i lirisë kolektive.

PËR TY

(Dr. Ibrahim Rugovës)

Për ty që punon

me mend e guxim

e shkrove këngën

me gjithë përkushtim.

Për ty që nëpër botë

e flet drejtësinë

për popujt e robëruar

e gjakon lirinë.

Do të këndoj gjithmonë

si për dëshmorët e dheut

do të thur lavde

sig i këndova Skënderbeut.

Për ty që ke guxim të thuash

se na mungon liria

se jemi rrënjë e moçme

që nga Iliria.

Nëse vazhdon kështu

falë të qoftë jeta ime

vendose në altar t’atdheut

si Rozafën, si Norën trime.

Pas teje që je luftëtar

i guximshëm i pavarësisë

jam gati të flijohem

sig flijohen bijtë e lirisë.

Faqe 12.

Një dritë e veçantë bie mbi figurat që poeti i kthen në shenja morale të kohës. Ta zëmë guximi i Demë Ahmetit, kthehet në epikë si “lis i vjetër” me “shtatë zemra”, Xheladin Deda, mjeku që ua ktheu dritën syve, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Xheladin Rekaliu dhe shkrimtari Ymer Elshani, e mbrojtën etninë edhe përtej grilave, edhe përtej jetës së tyre. Tash ata shfaqen si të gjallë dhe frymojnë në ndërgjegjen kombëtare. Te poezia kushtuar Adem Demaçit, vargu arrin kulmin e përkushtimit: “Edhe kur goja më mbyllet/ me zemër të mbroj”, (f.14), duke u shndërruar heshtja në akt rezistence. Në poezitë tjera kushtuar heronjëve dhe të burgosurve politikë, poeti Nuhi Potoku, arrinë të ndërtojë një epikë heroike, në atë hapësirë mendimi ku vepra e fiton pavdekësinë.

YJET E QIELLIT TIM

(Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut)

-Kë ke istikam, Afrim Zhitia ?

-E kam Bregun e Diellit.

-Kë ke yll mëngjesor përkrah?

-Fahri Fazliun, yll drejt qiellit.

Ndeshur jemi me kërnishat e murrme

Me këmishat e zeza

Bukës bukë e jo pelim

Duhet t’i vijë era.

Sot Bregu i Dellit

E nesër Kosova istikam

Ballkani i gjakosur pa mua

Përpara s’mund të shkojë.

Faqe 33.

Në poezitë me motiv të luftës vargu bëhet i ashpër, i zjarrtë, por edhe më i drejtë. Poezia “Stili i shqiponjave”, (f.16-17), kushtuar (Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës, Ilir Konushevcit), dhe në poezinë “Tokë e plasëritur”, ndërtohet një epikë, ku shqiponja, mali dhe flaka janë simbole të një populli që nuk pranon të zhduket. Këtu, atdheu mbrohet me qëndresë dhe sakrificë, kurse “tokë e emër” janë vlera që nuk negociohen.

TOKË E PLASARITUR

(Flaka e Janarit)

Se plasaritje e tokës hiqej

kur ujitej me gjak

Se zemrat e nënave pajtoheshin

kur merrnin hak

Se të fortë ishim dikur

Hëna më ndriçonte si nur

Se njerëzit e mi ishin në vete-

Qëndresë

Se kullat e mia ishin në vete-

Fortesë.

Faqe 98.

Dimensioni i luftës dhe rezistencës së armatosur zgjerohet edhe me vargjet tjera, duke ndërtuar një epikë me ikonografi të qëndresës. Lufta si kudo tjetër bënë histori. Në anën tjetër, poeti Nuhi Potoku dinë të rikthehet te qetësia e rrënjës. Poezia “Oda jonë”, (f.77); “Lisi i Murgllës”, (f.104); “Bjeshka ime”; (f.122), dhe plotë të tjera me këtë motiv, janë poezi që rikthejnë nostalgjinë në një kohë të shkuar. P.sh. "Oda" e poetit Nuhi Potoku, ishte shkollë e parë, "Lisi" është dëshmitar shekujsh, kurse "Bjeshka", është shnderruar në mall të pashuar të fëmijërisë.

FJALË ZEMRE

Në Kosovë e kam lindjen

në Kosovë e kam diellin

në Kosovë e kam babin

në Kosovë e kam hënën

në Kosovë e kam nënën

në Kosovë e kam vajzën

në Kosovë e kam djalin

në Kosovë e kam djepin

në Kosovë e kam mallin

në Kosovë e kam varrin.

Faqe 93.

Në këto poezi ai rrëfehet, herë herë sikur lë amanet, për të ruajtur identitetin, varg i thjeshtë por me vlerë të natyrshme. Një motiv tjetër i shfaqur në poezi është përkushtimi për mërgimtarët, të cilët për poetin janë të "lodhur në mërgim/ nga pamundësia për të ardhë/ i djegur nga malli/ si nënën pa të parë”, (f.48). Kurse një poezi me vlerë antologjike, është poezia “Çegrani ka zemër”, me strukturë të thjeshtë, por në vetvete e ruan të kthjellët kujtesën për mikpritjen shqiptare që ua bënë kosovarëve në kohën e "egzodit biblik" në vitin 1999. Kjo poezi përveçëse bartë kujtesë dhe falënderim, është humane dhe njerëzore.

ÇEGRANI KA ZEMËR

Çegrani ka ujë, etjen shuan

ka bukë, urinë largon

ka fjalë, zemra pajton

ka fytyrë, shpirtëra qetëson.

Çegrani ka simbole e ka emër

Kosovarët i ka në zemër.

Faqe 123.

Në fund mund të them se vëllimi me poezi “Rreze në Atdhe”, i Nuhi Potokut, do të mbetet në meomorien e kujtesës letrare. Kjo poezi është si rrezja që bie mbi plagë, si kujtimi mbi varre, prandaj aty ku dhemb plaga, ai varg do të ndriçojë të ardhmën. Ky poet është me mision patriotik dhe ka shkruar me çiltërsi si dëshmitar i kohës së tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat