Refleksion dhjetori mbi botimin e veprës “Lideri nuk lind... bëhet”, me autore Dr. Iris Halilin

Libra

Refleksion dhjetori mbi botimin e veprës “Lideri nuk lind... bëhet”, me autore Dr. Iris Halilin

Nga: Marjana Bulku Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 19:51
Ballina e librit

Është 8 dhjetor 2020 . Një datë që tri breza(ne, prindërit tanë dhe fëmijët tanë)e njohin mirë sepse ia kanë numëruar me ankth orët e zhurmshme të atyre ditë netëve dimërore që viteve 90-të që ndollën pranverën e një shprese plot ëndrra lirie duke u bërë protagonistë të saj.

Në kutinë time postare gjej librin “ Lideri nuk lind ...bëhet” nga Iris Halili, mike dhe bashkëkohëse e viteve studentore në Fakultetin Histori -Filologji, Tiranë. E marr ta shfletoj rrëmbimthi edhe pse shumë nga çështjet e botuara aty Irisi i ka publikuar në shtypin e përditshëm , nuk mungojnë referenca, citime dhe gjykime të thelluara mbi teoritë e lidershipit.

Prekem thellësisht në shpirt kur lexoj se këtë botim ajo ua kushton prindërve të saj, mbase edhe të mijve e ndofta të të gjithëve ne që ëndërruam atyre netëve të gjata studentore dhjetori për lirinë e shumëpritur e aq shumë të munguar.

Tashmë Irisi jeton në SHBA, unë po ashtu, shumë nga ne u larguam nga atdheu “sepse na vdiq shpresa” -siç shprehet ajo”, e fjala na mbeti në gojë… e pathënë por gjithmonë në mendje.

Kështu mu duk se erdhi ky libër; në këtë natë plot me kujtime të ftohta dhjetori e me ideale të pastra, e shëmbëllime ëndrrash e vrullesh rinore.

Teksa e shfletoj ndjej se nga Irisi ish -studente dhjetori ka mbetur po ajo energji, mprehtësi gjykimi dhe thellësi mendimi që vozit lirshëm sa në letërsi po aq edhe në mitogji ku dukshëm bie në sy depërtimi nëpër informacionet e pafundme filozofike e kërkimore që vijnë në mënyre koncize dhe plot përvoja jetësore si dhe ajo prej pune, duke krijuar kështu një komunikim të artikuluar thjesht, bukur, saktë.

E lexoj dhe pohoj pareshtur dhe filloj të besoj se teoria mund të shndërrohet lehtësisht në praktikë nëse “ rruga drejt lidershipit kalon nëpërmjet edukimit, vetëshërbimit ndaj shpirtit mendjes dhe trupit “- siç shprehet ajo.

Më tej shikoj profilin e Irisit petagoge, me mendimin që sulmon me gjykim, me frazën e shkathët e të zhdërvjellët që i referohet mendjeve që udhëhoqën botën me mendim dhe veprim (Gandi,Mandela, nënë Tereza) me arsyetimin që kultivon maturinë, logjikën saktësinë.

Nuk ke se si të mos i kthehesh dy herë në lexim konceptit të Lidershipit toksik ku ajo rendit:

1.Liderët e paaftë

2.Liderët e ngurtë dhe jofleksibël

3. Liderët e papërmbajtur

4.Liderët e pashpirt, pa emtati, pa ndjenja

5.Liderët e korruptuar

6.Liderët izolacionalistë

7. Liderët diktatorë

Mjafton ky narracion tiparesh që të qartëson edhe pamjen e shoqërive ku jetojnë e veprojnë këto lloj liderash të pranishëm në skenën politike shqiptare dhe jo vetëm, çka është e ngulitur në mënyrë postulare në fjalët e Kasit tek ” Jul Cezari”; -“ Dështimi i dashur Brut qëndron te vetja jonë.

Ky moment dhe shumë të tjera analoge e sjellin Iris Halilin në rrafshin e analistes që politikën dhe shoqërinë me të gjitha tiparet kulturore e historike din ti verë në një rrafsh studimor duke e bërë veprën mjaft të dobishme për studentët, gazetarët dhe politikanët , për të gjithë dhe për çdo moshë që të dijë e të mundë ta dallojë liderin.

Rasti i Shqipërisë nuk solli vetëm diktaturën e egër hoxhiane por edhe Liderin që duhet imituar duke pasqyruar kështu në mënyrë tejet emocionale Nënë Terezën si një nga katër Lideret më të mëdhenj të njerëzimit përkrah Gandit, Martin Luter Kingut dhe Mandelës .Një model frymëzimi për shumë shkolla amerikane të cilat liderin shërbëtor e konsiderojnë si lidership moral që udhëheq përmes shembullit personal plot me vlera e virtyte sublime ku në thelb qëndron shpirti human dhe respekti maksimal për njeriun.

Ky moment i veprës është i mbushur me analiza studimore, përqasje mendimesh, përvoja jetësore, fakte historike dhe teologjike ku dominon njerëzorja Terezë, arsyeje legjitime krenarie për përkatësinë etnike të përbashkët por edhe mëkatin e madh po aq të përbashkët që ajo aq pak njihet dhe studiohet në shkollat shqiptare . Ky studim është një version ndryshe që Shenjtoren Terezë e radhit në rrafshet më të larta që udhëheqin njerëzimin ( Gand, Luter King, Mandelë).

Po e lexoj duke shkruar këtë libër sonte duke iu afruar asaj që duket se mbeti përherë në rrugëtim; kërkimi i një lideri që të frymëzojë të tjerët të ëndërrojnë.

A ka?!

A do të ketë?!

Një dilemë e cila ne dhe prindërit tanë na mundoi gjatë, uroj të mos jetë kaq e mundimshme për fëmijët tanë.

“Gjithkush mund të bëhet një lider i mirë përsa kohë ata flasin rreth zgjidhjeve “ citon Iris Halili si për të na e lehtësuar dilemën e gjatë në këtë natë dimri të gjatë kur 30- vjet më parë belbëzonte liria.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat