Kur rrahin daullet e gjakut të arbërit

Libra

Kur rrahin daullet e gjakut të arbërit

Nga: Remzi Limani Më: 16 janar 2021 Në ora: 22:06
Prof. Dr. Nusret Pllana

Është e pamundur të shkruash, të lexosh, e mos të përjetosh shtërzime emocionesh shpirti ndër më të ndryshmet, nga të bëmat e Bajlozit të Zi, mbi pafajësinë e popullatës rrënjëse, ndër më të vjetrit në Gadishullin Ballkanik.

Monografia në fjalë Djaloshi me dy zemra të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, e cila ka të gjitha tiparet e një romani dokumentar, kësaj radhe shtrinë dhimben e gatuar nga jargavecët barbarë mbi Krushën e Madhe, ku më 26 mars të vitit 1999, pamëshirshëm u masakruan 241 veta. Pra, atë që nuk e reprodukonte mendja e njeriut të shëndoshë, e bëri soldateska serbe në krye me Bajlozin e Zi…

Tani, vështirë është t’i mbështjellësh vragët e kohës, sepse të gjitha janë ende plagë të malcuara dhe, jo rastësisht, autori, Pllana, synarin e mendjes së tij në këtë libër e vë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke u përbiruar nëpër shtjellat e historisë deri tek ditët e sotme – në vazhdimësi duke u marrë me sensibilizimin e kauzës kombëtare, përtej mureve të ndaluara… Pra, z. Pllana, narracionin e tij historik të tipit romanesk e fillon që nga fëmijëria, duke kaluar nëpër ëndrrat për lirinë dhe etjen për shkollimin, për ta kuptuar mirëfilli të sotmën, me të cilën kacafytemi ende… Mbi këtë bazë, autori i librit na jep shifra të sakta mbi të masakruarit, të cilët u shlyen nga sytë tanë sikur të mos ishin kurrë… Këto të dhëna, përveç të libruara, autori i vë edhe në beze filmi, për ta dëshmuar filmikisht atë që ka ndodhur mbi Tokën e Djegur, duke e shpalosur dhimbjen gjithandej botës demokratike.

Së këndejmi, i kthehemi Djaloshit me dy zemra, i cili sa rritej e lëshonte shtat prej Vigani që mund ta gjejmë vetëm në përralla, ku sytë e vashave fokusojnë dhe ëndërrojnë një  mashkull të bukur siç ishte në fakt, Blerim Nalli, protagonisti kryesor në këtë rrëfim prekës, ku pamja e tij prej një luani me pamje hyji, në kohën e tij më të bukur, ra në sytë e kanibalëve, të cilët, në kraharorin e gjerë sa bjeshka tek dëshmori, Blerim Nalli, i shihnin dy zemra dhe, pa hezituar, e morën dhe ia nxorën organet e brendshme, në brendinë e kamionit të policisë, i cili qëndronte pas kanibalëve me tërë stafin mjekësor, për t’i masakruar djemtë e ri pasi që i vrisnin si zogjtë e pafajshëm…

Mëtej, për të bëmat e paskrupullta të dorës së zezë, do t’ua lë lexuesve, në veçanti gjeneratës së re, që edhe ata ta hetojnë dhimbjen kolektive, përmes Blerimit të Krushës se Madhe të të Madhit Ukshin Hoti për të mos e harruar kurrë aromën e Tokës së djegur, në të cilën lindën dhe u rritën.

Së fundmi, duhet të përmendim se, Prof. Nusret Pllana, deri tash ka të realizuara 62 vepra, ca prej tyre libra autorial’ mbi luftën e UÇK – së, monografi, intervista dhe ekspozita fotografish mbi masakrat e kryera, të ekspozuara si artefakte nëpër shumë qendra universitare në Evropë dhe në Amerikë. Në kuadër të sensibilizimit të luftës, u shfaqën edhe shumë filma dokumentarë të shoqëruar me shumë intervista nga Prof, Pllana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat