Koha shtesë në 7 vjet e 7 ditë

Libra

Koha shtesë në 7 vjet e 7 ditë

Nga: Visar Zhiti Më: 16 maj 2021 Në ora: 19:50
Visar Zhiti

“Extra time” më erdhi si një befasi me të gjitha kuptimet. Dhe i tillë është, arrin të të gjejë dhe të godet, si era mbase e të trondit si një tërmet, pa zhurmë, por i heshtur.

Se jeta kështu është, dhimbja e saj ashtu si dhe ngazëllimet, e zakonshmja dhe e pazakonshmja, etj, etj, duan dhe një sendërtim të dytë, për t’u kuptuar më mirë dhe jo vetëm kaq, për t’u ndjerë e ty të duhet ta ndalësh kohën, më saktë ta krijosh, ta rikrijosh ende më saktë, jo perjetesinë e pamundur, por të përhershmen, një të gjithmontë tonën.

Libri/ romani, besoj, mbetet më i përshtatshmi për ta mbartur rrjedhën e jetës si një praní, ëndërr dhe mister bashkë, ku e pritura dhe e papritura ngatërrohen mes tyre, shkëmbejnë dhe vendet ose kapitujt. I tillë është dhe libri yt, aq shumë filmik, që më shumë ngjan se shikohet se sa lexohet. Dhe ashtu siç ti kërkon një “extra time” - kohë shtesë rrëfimi, kështu do të duheshin dhe “extra words” për të rrefyer rrëfimin, fjalë shtesë që s’janë shpikur ende dhe ti ke nxjerrë shpirt nga fjala, pa i kërkuar ato, janë fjalë të përditëshme tonat, a u ke dhënë shpirt të ri a nga Qielli ka rrjedhur ajo frymë prej Ati a të gjitha bashkë a diçka tjetër e përtejme, një si ndihmë prej Hyu a të gjitha ishin këtu, brenda nesh.

Libri yt përjetohet, ritmi i tij është pulsim i gjallë, si një ecje e nxituar e atij që nuk ka kohë ta thotë kumtin e vet më të rëndëishëm, por që duhet thënë patjetër, shenjat e tij do të donin të kundërshtonin harrimin dhe ti ia del ta pakësosh atë, duke hequr të tepërtat, siç thoshte Mikelanxhelo për statujën, por duke vënë të tepërtën e rëndë, jo që të përftohet një statujë, por jetë e jetës.

Të teorizosh si kritikët e të thuash që është pasqyrë e një realiteti, jo, nuk ke për të qenë i saktë, - i them vetes, - as të shtosh se është një realitet tjetër paralel letrar, gabim, - prapë i them vetes, - por vêrtet “Extra time” është një të jetuar tjetër, si zanafillor, me magjinë e leximit, real si ai i përjetuari që s’lejohet të bëhet kujtim, i shpalosur në një një tashmë autoritare, të filtruar natyrisht, se ti je shkrimtari, me atë teknologji që bëhet lënda e së përhershmes, (gjuhësisht koha e tashme e përhershme duhet krijuar medoemos), që s’është një dimension sipas logjikës së varfër të njerëzve, por vërshim njëherësh e-shkuar-e-tashme-e-ardhme-bashkë, duke i bërë një çarje çesariane barkut të Kronosit,

Ky është libri yt, një risi në letrat shqipe, sipas meje. Në fund të fundit ai është një rrefim në altarin e vetes, një e folur me vete, nga një tronditje supreme, ndërkaq e mbajtur 7 vjet brenda vetes dhe e zbrazur për 7 ditë si në një mit, prandaj dhe libri me të drejtë mund të quhet dhe mitobiografi, duke iu larguar vetes, si shpirti që kërkon të na ngrihet lart, për të na kqyrur me një mosfolje të shenjtë.

Shkrimtari e thyen këtë pakt nga shkaku i demonit të tij të brendshëm, ti flet dhe s’e ke për gjë t’i rrefehesh vegimeve ashtu si dhe një ikone, apo urës, bregut pranë shtëpisë, agut, ashensorit, që pasi hap dyert, nuk sjell atë që duam dhe e nis sërisht, të vijë me ëndrrën e asaj që duam.

Shkrimtari i jep zë të heshtur fletës së shkrimit nē kompjuter, të kaltër si një copë parajsore qielli dhe studion e krijimit e bën fushë futbolli, ku luajnë jeta me vdekjen, me arbiter fatin. Që pas lojës janë bashkë. E kush fitoi?

Po kjo është lojë, pa fitues të vërtetë dhe humbës të vërtetë dhe Zoti e di ku është e vërteta, si e qysh. E bukur dhe frikshme! Dikur, thua ti. Dhe dikur është dhe nesër, Ti mundohesh t’i bashkosh si në një tashme. Dhuratë për fëmijët. Dhe djemtë tanë fatalisht deshëm të ishin dhe etërit tanë. Sa gabim dhe ç’dhimbje pa fund që na dëgjuan...

Dhe s’na mbeti gjë tjeter veçse t’i japim dinjitetin e merituar dhe vdekjes ashtu si jetës.

Durim Taçi, me këtë libër ia ke arritur, shkëlqyer mynxyrshëm a mynxyrshëm shkëlqyer a… duhen extra words. Di që nuk është libër-britmë, as requiem dritë-mugët. Është një vetvete e dytë, jo vetëm jotja. Dhe s’kish si të ishte ndryshe...

Asaj i drejtohesh, vetvetes si tjetrit, njëlloj si botës, s’ke ç’i bën emfazës, është si pandemia, aqkollajrënëse, nuk është e veprës tënde, realiteti vërtet është habitës, dhe i një antilogjike tokësore, ndërkaq i druhesh emocioneve të tua, që t’i tregosh dua të them, por jo poezisë së fshehtë, dhe tregon ato, jo më tepër, që të mundin të shkaktojnë emocion te leximtari, te tjetri, te vetja tjetër.

Në fund të fundit qëllimi yt më duket se është shumë më konkret, se edhe ëndrra është konkrete, edhe deliri, edhe krijimi, konkretja s’është dhe aq konkrete, ti do që Atisi yt, ashtu si birin e mitologjisë që Zeusi deshi ta ringjallë, qoftë dhe pjesërisht, ta risjellësh, të dashur dhe të bukur, sportist në fushën e jetës.

Prandaj dhe  ashensori i librit, kur i mbyll në funf fletët e veta, shohim se e ka nxjerrë atë dhe po vjen drejt nesh.

Image
Shkrimtari Durim Taçi
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat