Një margaritar i prozës bashkëkohore

Libra

Një margaritar i prozës bashkëkohore

Nga: Ndue Dedaj Më: 27 gusht 2021 Në ora: 08:16
Romani “Margaritari i një çmendine” i Salvator Gjeçit

Salvator Gjeçi ka ecur me hapa të matur e pa bujë në fushën e letrave, ashtu siç iu ka hije shkrimtarëve të mirëfilltë. Ka botuar së pari librin me fabula “Politikë biberoni” (2000), më pas romanin “Margaritari i një çmendine” (2004, botim i ripunuar 2019) dhe së fundi librin me poezi “Hem udhë, hem udhëtar” (2020), edhe pse sprovat poetike i ka pasur herët. Mbase nuk ia njihte dhe aq dhuntinë letrare vetes, kur mësonte në shkollën e lartë të aktorëve në Tiranë, as kur debutonte në disa filma artistikë në vitet ’80, por prirja letrare e tij do të vinte duke u shfaqur pëherë e më fort. Tashmë ai është i dëshmuar si autor, mjeshtër i fabulës, me një roman konkurues dhe poezi që rrezaton poetin me ndjeshmëri të veten.

Mund të thuhet pa droje se romani “Margaritari i një çmendine” është njëri nga margaritarët e prozës bashkëkohore shqiptare. Vetë prologu është një tregim konçiz. Martin Alku, në Detroit, po bën një pikturë mbi kryeqëzimin e Jezusit për ta paraqitur në një ekspozitë atje, kur i mbërrin në një zarf fotoja e nudos së të dashurës së tij të dikurshme, Ana Bokjani. Dy piktura që mbase qënderojnë larg si përceptim estetik, por që plotësojnë njëra-tjetrën, pasi nudoja ka kaluar nëpër “kryqëzimin” e autorit të saj, arratisur para disa vitesh duke lënë në Shqipëri një kujtim, që rikthehet përmes një romani të shkruar me pasion dhe art.

Ai zhvillohet si një film bardhë e zi, në një fshat të Bregmatit, në një shtëpi kulture, me Martinin, piktorin e saj dhe një vajzë shkolle, Anën, që nis e frekuenton këtë mjedis artistik e jo rastësisht në shfaqjen e ardhshme të shkollës luan rolin e Zhulietës. Martini ka filluar të ndjejë për këtë “Zhulietë” të re, i bën portret, i kushton dhe një këngë, “Këndoj vetëm për ty”, po që ia rrëmbejnë për t’ia dhuruar Partisë. I dashuruar, në kërkim të përsosmërisë së portretit të Anës, i bën asaj dhe një nudo, që e titullon “Margaritari i një çmendine”, që bëhet muza, kredoja dhe e salvuara e romanit. Çdo gjë duket se shkon mirë, deri sa aty shfaqet, në fillim i kamufluar, pastaj agresiv, censori ideologjik i koncertit ku do të këndohej kënga kushtuar Anës, shoku Marenglen Caliko, sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit, me aparatçikë të burokracisë shtetërore përreth, servilë mediokër e “strabikë”, që e fashisin në embrion këtë frymë krijuese të shpenguar. Një “realitet patetik” e quan autori i romanit deformimin që iu bë festivalit të Shënkollit, ku tashmë paradoksi kërkon të shitet për art. Ana pret që Martini në skenë të këndojë këngën e asaj dhe mbetet pa mend, kur sheh se ajo ishte zëvendësuar me “Partinë”. Nuk ishte Arturi regjisori, njëherësh përgjegjës i shtëpisë së kulturës, që mund të vendoste, kishte vetëm një “regjisor” të gjithçkaje, udhëheqja politike, që, po të përifrazojmë shkrimtarin, kishte “djegur” jo tri strofa të një këngë, por një festival kombëtar të muzikës së lehtë në Radiotelevizion etj. Këtë sfidë nuk mund ta pranonte Martin Alku, artisti rebel dhe antikonformist, i cili, natën e fundit, në vend të këngës për partinë këndoi atë për Anën, duke provuar prangat e ftohta mbi duar. Lirohet se nuk mund të provohej akuza (“nga emocionet u ngatërrova dhe këndova variantin  parë të këngës, ishte justifikuar në hetuesi Martini), por i plotfuqishmi politiko-ideologjik shoku Marenglen i thyen studion dhe i grabit nudon e Anës me biografi të keqe.

Salvatori i ka ndërtuar këto skena të veprës dhe gjithë strukturën e romanit me “mjeshtri regjisoriale”, çka vjen dhe nga formimi i tij aktorial. Dy të rinj që sapo dashurohen, privohen nga dashuria e tyre, se nuk janë në “përputhje” me ideologjinë në asgjë, pa pasur kurrëfarë platforme disidence. Romani na tregon përballjen fatale të njeriut me regjimin, e cila mund të vijë dhe kur ti nuk je nisur aspak për të qenë ndonjë protagonist në jetën sociale, aq më pak politike. U desh një “incident” që Caliko i Partisë të niste një fushatë revolucionarizuese në fshatra për pastërinë e artit, duke shpalosur oratorinë e tij politike. Bash në këtë situatë revolucionare, që befas e kishte krisur një këngë dashurie dhe një nudo, “lajmi se një “gjamë” rënkonte nga zemra e dheut u përhap si rrufeja”, në shtratin e vjetër të lumit Alk, buzë Adriatikut. Kjo e rrit dramacitetin e këtij teatri absurd, pasi ngjan si një britmë e shthurjes së regjimit, që përndiqte Martinin, Anën dhe cilindo tjetër të asaj rrokullie. Ndërkohë nudo pëson një “përkthim” idiot në fshat nga agjitpropi, sikur Anën e kanë fotografuar lakuriq, çka bën që nëna e saj, duk mos e duruar “turpin”, vret veten, paçka se ajo që ata të dy kishin bërë ishte veçse mëkati i lirisë e dashurisë. Për çudi, “gjama” që vinte prej shtratit të lumit nuk po pushonte. (A nuk ruhej atypari toponimi “Këneta e Kuçedrës”?) Autori e ka përdorur me mjeshtri artistike këtë detaj për ta kthyer rrjedhën e romanit në Stomin e Vaut dhe legjendat e tij, në një ralitet tjetër nga ai “patetik”. “Nusja e Stomit të Vaut asht e lidhun me botën tjetër... Ajo flet me orët, zanat e shtojzovallet. Vetëm ajo e din gjuhën e tyne”. Të duket se ke shkelur në ndonjë nga ato trevat mistike të realizmit magjik të Gabriel Garsia Markezit.

Martin Alku sakaq është zhdukur, si për të vërtetuar atë që Ana kishte paralajmëruar që në fillim, se nuk mund të ndodhte ajo dashuri. Shoku Marenglen ishte i tronditur nga ajo gjama misterioze (“Një ngjarje kaq banale të tirret e të na shndërrohet mu para hundëve tona si një legjendë!”) dhe nga nudoja e Martinit, që ishte mbyllur në kasafortën e hekurt të zyrës së tij. “Sa më shumë e vështronte, aq më shumë e robëronte magjia e saj. Për herë të parë kuptoi se kishte në dorë një gjë të çmuar”. Në komitetin e Partisë sekretarët janë të alarmuar, ngaqë partia në Bregmat kishte filluar të shihej si një kuçedër që u shkakton drama e vuajtje njerëzve. Britma në shtratin e vjetër të lumit po shndërrohej në një makth për sekretarin e zellshëm politik, i cili kishte ardhur të prekte bazën si “Anteu” për t’u ngjitur lart në Komitetin Qendror. Ai breg i Shënkollit, Fushëkuqes i kishte ruajtur ende legjendat dhe ndodhitë e vjetra me dragonj, zana, lahutarë, vajza me emrat Diella dhe Hana, sigurisht të zbritura nga malësitë veriore dy shekuj më parë. Kjo e pasuron romanin me nënshtresën e vet etnologjike. Është një botë e vjetër që e trondit kohën e re të Calikos dhe ai don ta mundë të shkuarën, që e heton ndër pleq vetëm për përfitim ideologjik, duke u shtirur kinse është “shkrimtar”. Ai  kupton se ajo botë legjendash me britma ishte i triumfi o fundi i tij. Është një nga kumtet e romanit frika e shokut Marngelen nga e “vjetra” që nuk ishte shqitur aspak nga ndërgjegja e njerëzve, dëshmi e së cilës ishte ekzistenca mitike e Nuses së Stomit të Vaut, një plakë jetose, me një dramë dashurie, në atë shtëpizën e saj prej dërrasash larg syve të botës. Misionari i Partisë fillon dhe e vuan këtë realitet tjetër. “Nusja e Stomit të Vaut ishte legjendë dhe histori... Nusërimi i saj kishte zgjatur një jetë, njëqind vjet, sa një amanet”. Ajo shuhet atë ditë që gjenden në pyllin e prerë eshtrat e të shoqit, mbytur prej motesh në lumë si lundërtar. Partia donte ta zhbënte këtë “fole” legjendash, por nuk zhbëhej lehtë. Lahutari që mahnit francezët në një koncert është me biografi të keqe. Ikën Nusja e Stomit të Vaut, por është Ana Bokjani, shemra e saj, e cila ka të njëjtin fat, e humbt dashurinë por jo dinjitetin njerëzor, që ishte kuptimi i jetës së këtyre njerëzve të pashprishur në virtytin e tyre.

Në pjesën e dyrë të romanit ngjarjet zvillohen në “demokraci”. Martini e sheh atdheun nga avioni. “Asnjëherë s’e kisht parë vendin e tij nga lart”. Ai kthehej të dinte se si kishte shkuar fati i Anës dhe i pikturës, ku ishin ato. Ana është në Tiranë, po ashtu dhe nudoja e saj. Kohët kanë ndërruar, shoku Marenglen tashmë është bërë zoti Fanko, deputet në Kuvend dhe bos në parkun “Rinia”. Përpara nudos së varur në mur ndodh ballafaqimi i Calikos me Anën dhe Martinin dhe një incident fizik mes tyre, pasi vjedhësi i nudos nuk don ta lëshojë as tani prenë e tij. Ana i bën gjyqin moral “shokut Marenglen” në lokalin e tij “Mrizi i Zanave”, që administrohet nga një personazh intersant, Klara e divorcuar, e lidhur me Calikon jo për shkak të dashurisë. Pas incidentit Fanko përfundon në spital, kurse Martinin në qeli, për herë të dytë nga i njëjti individ i veshur me pushtet, si për të treguar se në këte shoqëri të çmendur asgjë e re nuk ka ndodhur, paçka ndërrimit të sistemit politik. Autori nuk ka kursyer dhe ndonjë skenë të nxehtë mes Klarës dhe Fankos, ku ajo që ndodh në të vërtetë ishte përdhunimi imagjinar i nudos nga ana e tij. Këtu është dhe kulmimi artistik i romanit. Lloji i Fankos nuk mund të linte asgjë të pastër në këtë botë pa e ndotur e shëmtuar. Ai nuk është përvers pse është sekretar partie, që si i tillë mund t’i vishën gjithë të këqiat, por se pushteti i ka kultivuar atij veset deri në skajshmëri.

Episodet e fundit të dramës romanore luhën në Bregmat. Martini nuk hakmerret, por vuajtjet e tij të “kryqëzimit” i ka pikturuar në një pikturë të re që do t’ia dhurojë kishës së restauruar të Shën Kollit. Në përurimin e saj mban një fjalim deputeti Fano Caliko, që si shoku Marenglen duhet të kishte mbajtur fjalim dhe kur ajo qe mbyllur nga shteti. Ky është pardoksi i kësaj kohe, që komunistët u konvertuan në demokratë. Autori sikur i thotë lexuesit se ata atje lart janë ata në çdo kohë, pasi kanë pushtetin, kurse njerëzit poshtë mund të kënë në çdo çast prangat, si Martini.

Ana do të martohet me Martinin, por ajo ka marrë andej nga Stomi i Vaut, ku kishte rrojtur gruaja që e kishte pritur një jetë të shoqin dhe kur ai ishte “kthyer” në vig, ajo kishte shkuar të vdiste dhe vetë. Edhe Ana e kishte pritur Martinin një jetë, mes dhimbjes së shkaktuar nga mjedisi social dhe bukurisë së saj shpirtërore. Ajo dhe Martini janë njerëz dhe aspak mite apo heronj, shëmbëlltyra artistike pr të cilat lexuesi ka nevojë sot e gjithmonë. Ashtu siç Martini kishte pikturuar Anën e tij, edhe Salvatori me mjetet e një tjetër arti, letërsisë, “pikturon” karakterin e Anës dhe të Martinit, por dhe të personazheve të tjerë të romanit, si Marenglen/ Fanko Caliko, Arturi, Nusja e Stomit të Vaut, Prekani - lahutari i Bregmatit, Plaku i Nikajve, Klara etj. Caliko është “gjeniu i së keqes” i socializmit totalitar dhe më pas i tranzicionit, që krijoi një klimë kaq të përshtatshme për ngjitjen në pushtet të këtij arketipi kuadrosh, që kanë pasionin e pushtetit, pasurimit dhe abuzimit. Në rrëfimin e autorit ndihet dhe gjuha e rrjedhshme e bardëve të maleve aty pranë votrës e gurit të caranit. Përshkrimi i imët është një tjetër veçori e stilit të tij, në mënyrë të vçantë ai i nudos është ndër faqet më të bukura të romanit. Autori luan me simbolika të njohura, po me funksion artistik, si tabloja e Martinit e frymëzuar nga kryqëzimi i Jezusit, emri i sajuar “Marenglen”, zëvendësimi i emrit Shën Koll me “Ylli i Kuq”, “Zhulieta” - që nuk mund të jetë vetëm shekspiriane, Nusja e Stomit të Vaut që e pret të shoqin si një Penelopë, në një breg lumi, po dhe Ana që ka të njëjtin fat (ndonëse kanë një shekull në mes), bari “Mrizi i Zanavë” në Tiranë etj.

Herdokur, ky roman më brumë skenik, dramaturgjik mund të jetë dhe skenari i një filmi artistik, që pamjet e luftës politike klasore të kohës i ka sjellë nga rrethina, periferia, provinca.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat