Jetë e skalitur në vepra

Libra

Jetë e skalitur në vepra

Vlash Prendi Nga Vlash Prendi Më 8 janar 2022 Në ora: 09:25
Ballina e librit

Pas ceremonisë madhështore organizuar vite më parë në qytetin historik të Shkodrës, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar për lumturimin e 38 martirëve të kishës katolike shqiptare qe luftuan deri në pikën e fundit të gjakut kundër vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri dhe për konsolidimin e përkatësisë fetare në këtë vend, mes tyre edhe i lumnueshmi don Shtjefen Kurti, martir i Kishës katolike, lindi nevoja e pasqyrimit të jetës dhe veprimtarisë së tij atdhetare dhe fetare përmes dokumenteve të hulumtuara për ti pasqyruar ato në disa vëllime të shkruara me kujdes nga Nikolin Kurti, studiuesi i njohur Nikollë Loka dhe av. Alfred Duka.

Kjo detyrë humane dhe punë kolosale u realizua me sukses nga autorët, prandaj sot kemi në duar mjaft material të reja dhe dokumente me vlera që flasin për jetën dhe veprimtarinë atdhetare dhe fetarë të këtij misionari të fesë, që sot nuk i dihet, as varri.

Jeta e vështirë dhe plot përpjekje e don Shtjefën Kurtit ka qenë një luftë e vërtetë. Në pranverë të vitit 1925, në barakën e vjetër që shërbente si kishë në fshatin Novosel të Kosovës, do të trokiste 28 vjeçari don Shtjfën Kurti, për ti shërbyer me devotshmëri atdheut të tij të robëruar. Shpirti i tij i madh nuk u lodh kurrë, shpresa e tij nuk u venit, por si një patriot i vërtetë dha një shembull të shkëlqyer se si mund të mbijetojë një njeri, një atdhetar, një patriot, një misionar, si mund të japë edhe mbi mundësitë që ka për popullin e tij. Don Shtjefni lindi në Ferizaj të Kosovës me 24 dhjetor 1897, natën e Krishtlindjeve, në një familje patriotike të njohur kosovare, si fëmija i 6 prej 9 fëmijëve që kishte familja. Pasi mbaroi shkollën fillore në Ferizaj, vazhdoi Seminarin Pontifik të Shkodrës.

Image
Dom Shtjefën Kurti

Rreth vitit 1914 mbaron shkollën e mesme dhe fiton të drejtën e studimit teologjik në Romë, duke i përfunduar me rezultate mjaft të mira dhe duke zotëruar pesë gjuhë të huaja, mes të cilave latinishten, gjermanishten dhe frëngjishten. Pas përfundimit të studimeve teologjike, megjithëse i propozohet të punojë në Selinë e Shenjtë, ai e refuzoi këtë ofertë, meqë dëshironte t’i shërbente me devotshmëri popullit të tij martir. Kështu, pasi shugurohet meshtar në Romë, më 13 maj 1921, kthehet në vendlindjen e nënë Terezës në Novoselë të Gjakovës, për të vazhduar misionin fisnik të saj. Por ditë të errëta po vinin për popullin shqiptar të Kosovës.

Presioni, shantazhet dhe mizoritë ishin intensifikuar nga klika shoviniste serbe, prandaj edhe don Shtjefni bashkë me vëllezërit e tij, Don Luigj Gashin dhe Don Gjon Bisakun punonin ditë e natë për të mbrojtur popullin e shumëvuajtur kosovar nga sulmet shoviniste serbe. Këtu prifti i ri iu përvesh punës për edukimin e masës me dashurinë për atdhe dhe për fe e veç të tjerash ndërtoi edhe kishën e re në themelet e një barakë të vjetër. Në Kosovë kaloi për rreth tetë vjet një jetë të re aktive si patriot, atdhetar, misionar i fesë dhe shpesh herë vuri edhe jetën në rrezik. Veprimtaria e tij në dobi të fesë dhe patriotizmit ra shpejt në sy të autoriteteve serbe, prandaj në shumë raste edhe u kërcënua, por asnjëherë nuk u frikësua.

Vrasja e at Shtjefën Gjeçov Kryeziut, në Zym të Hasit e hidhëroi shumë, por nuk u tërhoq nga rruga e tij. Siҫ kujton Ai vetë, një milic i kishte kërcënuar haptazi duke u thënë: “Edhe ju do ta pësoni si frati i Zymit”, e kjo nuk e dobësoi, por me dashuri punoi për ta ndihmuar popullin  e vendlindjes së tij. Janë pikërisht këto, një mori faktesh dhe dokumentesh tepër të vlefshme që autorët e monografisë  në tre vëllime studiuesi Nikollë Loka, Nikolin Kurti dhe av. Alfred Duka sjellin para lexuesit duke përshkruar me shumë kujdes dhe seriozitet jetën dhe veprimtarinë e një prej heronjve më të shquar të shqiptarisë.

Gjatë viteve që veproi në Kosovë, don Shtjefën Kurti nuk reshti së punuari, veç të tjerash, edhe për mbledhjen e shumë materialeve dhe dëshmive mbi keqtrajtimet, Torturat dhe dhunën e ushtruar mbi popullsisë shqiptare të Kosovës nga sistemi diktatorial serb. Materialet e mbledhura janë sistemuar dhe radhitur në formë peticione e prej tyre lindi memorandumi i tre klerikëve të shquar, drejtuar OKB-së, me 5 maj 1930, me seli në Gjenevë të Zvicrës. Ky memorandum ishte konceptuar në 6 kapituj: Mbrojtja e jetës, mbrojtja e lirisë, e drejta e pronës, e drejta e përdorimit të gjuhës, e drejta e shkollimit dhe e drejta e ushtrimit të fesë për të gjithë shqiptarët pa dallim. Prandaj gazeta “Drita”, e Ferizajt, do të theksonte: “…Këta klerikë nuk do të mbesin në histori vetëm për peticionin drejtuar OKB-së në Gjenevë, por edhe për ankesa të tjera për çështjen kombëtare shqiptare”. Megjithatë, duhet theksuar se deri tani ky memorandum ka mbetur i pari dhe i vetmi që bëri jehonë në arenën ndërkombëtare për pozitën e rëndë të shqiptareve në Jugosllavi, me anë të të cilit kërkohet ndërhyrja e shpejtë kundër persekutimeve, keqtrajtimeve barbare dhe torturave që u bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Për këtë qëllim tre vëllezërit shkojnë edhe në Beograd për të protestuar për vrasjen në pabesi të at Shtjfën Gjeçovit, por rezultati ishte minimal, sepse edhe përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në Beograd ishte i pafuqishëm për të bërë një ndërmarrje të tillë.

Ishte pikërisht ky memorandum, që u paraqit në Lidhjen e Kombeve, që nxiti fantazinë dhe dëshirën krijuese të studiuesit të njohur Nikollë Loka, i cili pas një pune hulumtuese disa vjeҫare botoi librin e suksesshëm studimorë “Memorandumi drejtuar Lidhje së Kombeve – Klerikët Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi, dëshmitar të popullit martir”, botuar në vitin 2021, duke pasqyruar, analizuar dhe shpjeguar gjithë rrugën e mundimshme të këtyre klerikëve të njohur kosovarë qe ҫoi në hartimin e kësaj promemorie e cila pati jehonë të madhe në arenën ndërkombëtare, sepse u demaskuan veprimet djallëzore të qeverisë së Beogradit ndaj popullit shqiptar të Kosovës, nga ana tjetër bëri që të dështojnë planet e Kragjeçoviçit për shfarosjen e popullit kosovar.

Duke vepruar me ndërgjegje të pastër, në këtë mënyrë këta “Tre apostujt” të fesë shqiptare, siҫ i përshkruan autori Nikollë Loka, i kishin marrë parasysh problemet dhe vështirësitë që do t’u dilnin. Atë kohë në trevën e Kosovës vepronin shumë  organizata terroriste, një nga më të egrat dhe më mizoret ishte “Cerna Ruka” - “Dora e Zezë”, që drejtohej nga shovinistët e Beogradit. Janë pikërisht këta kriminelë që i sinjalizuan se ishin futur në listat e zeza të dënimit me vdekje, prandaj duhet të largoheshin sa më shpejt nga vendlindja e tyre, Kosova. Eksperiencën e hidhur, këta patriot të vërtetë, e kishin, sepse kishin parë me sytë e tyre si ishin likuiduar nga kjo organizatë shumë atdhetarë shqiptarë, kishin përjetuar vrasjen në pabesi të patriotit të shquar atë Shtjfën Gjeçovit, prandaj u detyruan që të largoheshin nga vendlindja e tyre e dashur me zemër të thyer.

Në fshehtësi të plotë u detyruan të largohen nga Ferizaj i tyre i dashur, drejt tokës mëmë Shqipërisë, për të vazhduar me devocion rrugën e tyre ndaj atdheut, fesë, Zotit dhe shqiptarizmës, por mendjen e kishin prapë te vendlindja e tyre e dashur, Kosova. Pas ardhjes në Shqipëri, në vitin 1930, menjëherë filluan punën e meshtarëve, Don Shtjefën Kurti fillimisht u emërtua famullitar në kishën e Shënpremtes në Kurbin, ku qëndroi pak kohë, vetëm dy vjet. E kishte vlerësuar këtë vend të shenjtë  dhe të njohur historikisht, jo vetëm për faktin se dikur kishte qenë Seli e Ipeshkvisë së Durrësit, por edhe pse pikërisht në këtë kishë ishte hapur e para Shkollë Shqipe nga Imzot Mark Skura në vitin 1632. Puna e tij vetëmohuese i dha jetë dhe shpejt u bë një vend nga më të vizituarit nga besimtarët. Në nëntor të vitit 1932 shkon famullitar në fshatin Gurëz. Vërtetë aso kohe gjendja ishte e vështirë dhe mjerimi kishte përfshirë gjithë masën e popullit, sidomos fshatarët e Gurëzit, që vazhdonin të vinin nga vendet malore të Kosovës e Mbishkodrës. Sidoqoftë, ai atje gjeti bujarinë, ngrohtësinë dhe burrërinë e malësorëve trima.

Në veprën madhore kushtuar këtij kleriku dhe patrioti të shquar, sintetizoget rruga e mundimshme disavjeçare që përshkoi ky martir, për të realizuar misionin e tij ndaj atdheut dhe fesë. Prandaj don Shtjefnit iu desh të përballej me shumë vështirësi, sepse në Gurëz nuk kishte kishë. Në vend të asaj ishte një barakë e vjetër, prandaj u detyrua që gjithë kulturën e dijen e fituar në vendet perëndimore t’i vinte në shërbim të popullit, atdheut dhe fesë. Kështu, megjithëse në Gurëz qëndroi vetëm 5 vjet, arriti të ndërtojë një kishë të re dhe çelën e saj. Kjo i kushtoi shumë mund dhe djersë, po e ndjente veten të kënaqur dhe krenar për këtë shërbim ndaj atdheut dhe kombit të vet. Këtu qëndroi deri në vitin 1937, kur kaloi famullitar në Tiranë. Këtu ai punoi me këmbëngulje në shumë drejtime, pasi edhe këtu gjendja ishte e vështirë, por Don Shtjefni i kishte vënë vetes detyrë të edukonte një rini të mëkuar me atdhedashuri, që të besonte Zotin, pra të kishte kulturë fetare. Kështu ai, veç shërbimit fetar, mblidhte rreth vetes shumë të rinj dhe organizonte aktivitete fetare - kultuore dhe atdhetare për edukimin e të rinjve me ndjenjën e atdhedashurisë.

 Në Tiranë punoi me ngulm për ngritjen dhe funksionimin e mjaft rretheve kulturore dhe artistike, letrare, teatrore dhe fetare, të cilat kishin si qëllim edukimin fetar dhe atdhetar të masës. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe dallgët e historisë, të gatuara nga sistemi totalitar, do ta përplasnin don Shtjefën Kurtin në brigjet e dhunës, torturës çnjerëzore e më vonë, në qelitë e burgut komunist. Kjo ndodhi me 27 tetor 1946, ku pas rrethimit të famullisë, forcat e Sigurimit e arrestojnë me akuzën e sajuar: “Bashkëpunëtor i organizatës terroriste të Sami Qeribashit, akuzohet për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”. Akuzë e cila u vërtetua katërçipërisht se ishte një farsë politike. Ky arrestim erdhi si rezultat i mospranimit të një thirrjeje të bërë nga diktatori E.Hoxha, që don Shtjefni të merrte në dorë drejtimin e fesë katolike dhe ortodokse në Shqipëri, me kusht që të hiqte dorë nga lidhjet me Vatikanin. Refuzimi i don Shtjfnit ishte kategorik, ai u tha: “Unë nuk mundem me tradhtue idealin tim, siç keni tradhtu ju Kosovën, dhe tani doni me i shit Titos Shqipërinë”.

Pas kësaj përgjigje, arrestimi nuk do të vononte. Rrufeja mizore do të binte mbi njeriun e Zotit, por ai nuk do të përkulej, do ta priste me krenari dhe urrejte. Kështu, në moshën 50 vjeçare detyrohet të provojë qelitë e ftohta të burgut. Fillimisht për të shfryrë urrejtjen ndaj tij, pushtetarët komunistë e dënuan me vdekje, por në sallën e gjyqit ai deklaroi: “Nuk i kam shërbyer askujt, vetëm Zotit dhe idealit tim, që kur kam veshur veladonin”. Sipas të dhënave dokumentare që na japin autorët, me 17. M04. 1947, dënimi iu kthye në 20 vjet burg. U transferua në burgun e Burrelit. Hetuesit mizorë i bënin tortura nga më të ndryshmet, vetëm që të përkulej, por atij i jepte fuqi Zoti, prandaj morali i tij në çdo moment ishte i lartë.

Pjesë nga kujtimet e heroit:…“Një natë, mbas mesnate, më morën me makinë dhe më çuan jashtë Tiranës,më dhanë lopatën dhe më thanë: “Puna jote, pa gjyq mori fund, tani hape varrin tënd”. E hapa. Ata vunë skuadrën e pushkatimit dhe më thanë: “Prano aktakuzën, ose të vramë”. Unë nuk e pranova. Pas kësaj lufte psikologjike thanë: “Po e lëmë një herë në burg”. Kështu provoi përsëri ftohtësinë e burgut famëkeq të Burrelit. Dr.Lazër Radi kujton: “Natën e Krishtlindjeve, me dritë të errësuar, don Shtjefni thoshte meshën në mesnatë. Mbas meshe, kur u ndezën dritat, shohim dyshemenë të lagur nga lotët e tij”. Vuajtjet e këtij martiri të fesë nuk kanë të sosur. Ai e grishi zërin kur në shoqërinë shqiptare në rend të ditës ishin padrejtësia, shtypja, dhuna etj. Këto ishin arsyet e largimit nga plumbat e serbëve, këto qenë arsyet që u diskriminuan totalisht nga kasta diktatoriale në shtetin e tyre amë.

Në këtë material voluminoz, nuk mungojnë analizat e thella për gjendjen e vështirë të familjeve shqiptare, denoncimet ndaj dhunës së terrorit komunist, përshkrimi i proceseve gjyqësore dhe dënimet, dëshmitë  e bashkëpunëtorëve, miqve dhe njerëzve të tij të dashur, rreth jetës, vlerave dhe vuajtjeve të këtij heroi. Pas 17 viteve privim lirie, një ditë të ftohtë nëntori të vitit 1963, largohet nga qelitë e burgut, për t’u ndjerë përkohësisht i lirë. Fillimisht shkoi në famullinë e Tiranës, ku qëndroi pak kohë me don Mark Dushin, pastaj u kthye përsëri në kishën e Gurëzit. Punoi për riparimin, meremetimin dhe pajisjen e kishës me mjetet e duhura me ndihmën e fshatarëve.

Fshatarët e Gurëzit shihnin te don Shtjefni njeriun e drejtë, njeriun e Zotit, që u falte besim dhe dashuri. Ai u ngrohte zemrat me fjalë të ëmbla dhe i orientonte drejt së vërtetës. Kur në vitin 1967 u mbyllën kishat dhe xhamitë dhe vendi ynë u shpall vend ateist, don Shtjefni me zemër të thyer u detyrua të punojë si punëtor në Kooperativën bujqësore të fshatit ku kishte shërbyer një jetë të tërë. Megjithëse në moshë të thyer,70 vjeç, qe një shembull i shkëlqyer në punë dhe në jetë.

Njerëzit i besonin dhe shihnin tek ai njeriun e shpresës. Dhe ai,si engjëll i vërtetë reflektonte dashuri për të gjithë, por edhe urrejtje për sistemin totalitar që po betonohej gjithnjë e më tepër. E shihnin kur punonte si punëtor në brigadë ose në magazinat e kooperativës bujqësore për të siguruar bukën e gojës. Por edhe jeta e re prej kooperativisti zgjati vetëm 3 vjet. Këtë periudhë e shfrytëzoi për të pagëzuar fëmijë fshehtas dhe për të bërë propagandë në besimin tek Zoti dhe urrejtjen ndaj sistemit totalitar. Por sigurimi i shtetit ishte afër, ai e ndiqte dhe e survejonte në çdo lëvizje.

Siҫ del nga dokumentet, në qershor të vitit 1970, don Shtjefën Kurti detyrohet t’u kthehet qelive të burgut. Arrestohet në fshatin gurëz, të Kurbinit me akuzën qesharake se: “Ka kryer shërbime fetare dhe ka pagëzuar një fëmijë”. Detyrohet t’u nënshtrohet torturave çnjerëzore, kësaj radhe në moshën 73 vjeçare. Madje u ngrit edhe hipoteza e ekzistencën së një grupi armiqësor, që po “sabotonte” ekonominë bujqësore, duke i shërbyer kështu Beogradit. Veç don Shtjfën Kurtit, në grupin “armiqësor” bënin pjesë edhe mjaft të tjerë, bij nga më të mirët, më të urtit e Gurëzit.

Pasi dhunohen dhe torturohen, nxirren në gjyq, me 30 korrik të vitit 1971, dhe trupi gjykues, duke improvizuar dëshmitarë të rremë arriti të japë dënime absurde dhe antikushtetuese. Njeriu i madh don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje, pushkatim; Bardhok Marku,18 vjet burg; Fran ndoci,14 vjet burg për sabotim në ekonomi; Pjetër Biba 14 vjet burg; Agustin Preçi - mësues,13 vjet burg, për propagandë tek nxënësit kundër pushtetit popullor; Zef Nishi 12 vjet burg dhe Ndue Leti 10 vjet burg. Të gjithë të pafajshëm, të gjithë me reputacion të padiskutueshëm në popull. E gjithë kjo, për të eliminuar njeriun e mirë don Shtjefën Kurti. Më në fund, shteti diktatorial ia arriti qëllimit. Arriti ta “nënshtronte” këtë emër të pavdekshëm, por vetëm fizikisht, sepse edhe përpara gjyqit ai qëndroi lart moralisht. Nuk e pranoi akuzën, duke iu kundërpërgjigjur gjykatësit: “…Jam ushtar i Krishtit dhe i shërbej atij dhe nuk kam frikë as nga vdekja, sepse jam i pafajshëm”.

Njerëzit që ishin në kishë, e shihnin viktimën e sistemit totalitar me admirim dhe krenari. Figura e don Shtjefnit sa vinte e rritej përpara besimtarëve. Më në fund u dha vendimi mizor, dënimi me vdekje - pushkatim. Me krenari dhe brengë në shpirt, ai shprehet: “Nuk më vjen keq se po vdes, por më vjen keq se jetën po ma merrni pikërisht ju…”.

Kështu u shua, si qiriu kjo jetë e stërmundueshme që, megjithëse u akuzua për tradhti ndaj atdheut, në të vërtetë u shkri për të. Pas 8 muajsh burg, me 29 shtator 1971 të lidhur këmbë e duar, e dërguar para togës së pushkatimit. Shpirti i tij fluturoi në parajsë, për të mos u kthyer më kurrë, pikërisht në momentin që xhelatët komunistë tërhoqën këmbëzën e ekzekutimit, duke mbetur kështu simbol i perëndisë për popullin. Jetoi, punoi dhe vdiq për idealet e shenjta, për mbrojtjet e kombit, për të cilat do të sakrifikohej çdo shqiptar i ndershëm.

Varri i tij as sot nuk dihet, sepse trupi i tij u përdor si kadavër për praktikat mësimore të studentëve të mjekësisë në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar, në shenjë urrejtje nga shteti komunist ndaj këtij njeriu të mrekullueshëm që luftoi për liri, jetë dhe atdhe. Tashmë ai është lumturuar nga Selia e Shenjtë nga Papa Francesku, si hero i kristjanizmit, si shenjtor. I është ngritur edhe një përmendore plotësisht e merituar me këto vepra të realizuara mjeshtërisht nga dora e studiuesit Nikollë Loka, ing. Nikolin Kurti dhe Av. Alfred Duka.

Ka kaluar plot një gjysmë shekulli nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e këtij patrioti, martiri dhe meshtari të madh, por kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e besimtarëve, në zemrat e mbarë popullit, sepse vetë jeta, puna dhe aktiviteti i tij ishin një shkëndije e pashuar në mes të errësirës. Ai e mundi errësirën, mundi sistemin dhe tash ndrit ndër breza. Puna plot vetëmohim për çështjen e lirisë dhe fesë po i  shpërblehet sot, sepse Don Shtjefen Kurti kujtohet plot lavdi bashkë me 38 vëllezër të tij, qe dhanë jetën në luftë kundër diktaturës komuniste, ata janë shenjtorët më të rinj. Për nder të tij, u ngrit një përmendore e bukur me plot 7 vepra, qe kulmojnë më veprat më të reja botuar vitet e fundit, që këtë figurë të shquar të kombit tonë, këtë shenjt të ri, e bëjnë të pavdekshëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat