Ivezaj “jozyrtare”? Ajo mban titullin Miss Universe, deklarata i takon Miss World-it

Mediale Vip

Ivezaj “jozyrtare”? Ajo mban titullin Miss Universe, deklarata i takon Miss World-it

Nga: Bota sot Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 10:03
Marija Aleksandra Ivezaj duke bërë shqiponjën

Pas gjestit me shqiponjën dykrenare në skenën e Miss Universe, mediat në Serbi kanë hapur një front të ri ndaj Marija Aleksandra Ivezajt, 22-vjeçares me origjinë nga Tuzi që përfaqësoi Malin e Zi në garën botërore të bukurisë në Porto Riko.

Portalet "Kurir" dhe B92 i dhanë jehonë një deklarate të organizatës Miss Monte, e cila tha se Ivezaj nuk është përfaqësuese zyrtare e Malit të Zi në kuadër të saj dhe as mbajtëse e titullit zyrtar të Miss Malit të Zi. "Alo" e cilësoi paraqitjen e saj "skandaloze" dhe e lidhi gjestin me idenë e të ashtuquajturës "Shqipëri e Madhe". Më herët, edhe "Telegraf" dhe "Blic" e kishin trajtuar rastin si skandal.

Dy konkurse, dy licenca

Deklarata e Miss Monte i referohet një konkursi tjetër. Vetë organizata thotë se Miss-i i saj zyrtar për vitin 2026 është Masha Vukiqeviq, e cila ka fituar të drejtën ta përfaqësojë Malin e Zi në Miss World, jo në Miss Universe.

Ivezaj, nga ana tjetër, mban titullin Miss Universe Montenegro 2026, të cilin e fitoi në qershor në Tiranë, në një ceremoni të përbashkët ku u kurorëzuan edhe përfaqësueset e Shqipërisë dhe të Kosovës. Licencën e Miss Universe për Malin e Zi, që nga viti 2024, e mban organizata e Eduart Dedajt, e cila organizon edhe Miss Universe Albania. Organizata Miss Montenegro, e drejtuar nga Vesna de Vinça, e kishte këtë licencë deri në vitin 2015 dhe nuk e ka rinovuar që nga viti 2016. Edhe në vitin 2024 Malin e Zi në Miss Universe e përfaqësoi një vajzë nga Tuzi, Rumina Ivezaj.

Ivezaj: Isha krenare për të dyja

Gjestin, Ivezaj e bëri më 21 nëntor në San Juan, gjatë paradës së kostumeve kombëtare. Ajo nuk u tërhoq pas reagimeve. Në Instagram shkroi se e kishte menduar këtë moment para se të dilte në skenë dhe se e zgjodhi që vajzat me origjinë shqiptare nga Mali i Zi ta shohin veten të përfaqësuara. Ivezaj tregoi se prindërit i ka të lindur dhe të rritur në Mal të Zi dhe se familja e saj është nga Tuzi, ku ajo kthehej çdo verë.

"Kur thashë 'Mali i Zi' dhe ngrita shqiponjën, isha krenare për të dyja", shkroi ajo.

Jo të gjitha mediat në rajon e trajtuan rastin si skandal. N1 dhe Nova.rs sollën shpjegimin e saj pa etiketime. Një media serbe nga Banja Luka vuri në dukje se nuk ka asnjë konfirmim që Ivezaj donte të përcillte mesazh politik dhe se shqiponja dykrenare gjendet edhe në stemën e Malit të Zi.

Edicioni i 75-të i Miss Universe, me garuese nga 116 vende dhe territore, u mbyll natën e 24 nëntorit në San Juan me kurorëzimin e Jennifer Barretos nga Porto Riko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat