Dua Lipa ka shënuar një tjetër arritje të madhe në karrierën e saj. Kënga "Levitating" është certifikuar Diamant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë kënga e parë e këngëtares me këtë status.
Lajmin e bëri të ditur shtëpia diskografike e këngëtares të martën, më 17 nëntor, përmes një postimi në Instagram. Aty u prezantuan nëntë certifikime të reja të Shoqatës Amerikane të Industrisë Diskografike (RIAA) për Dua Lipën, raporton revista Billboard.
13 herë platin
Sipas certifikimit të ri, "Levitating" ka arritur statusin 13 herë platin. Një këngë merr statusin Diamant kur kalon 10 milionë njësi të barasvlershme, ku llogariten shitjet dhe dëgjimet në platformat digjitale.
"Levitating" është pjesë e albumit të dytë të këngëtares, "Future Nostalgia", i publikuar në vitin 2020. Kënga u bë një nga hitet më të mëdha të asaj periudhe dhe vazhdon të dëgjohet gjerësisht edhe sot.
Krahas Rihannës
Certifikimet e reja të RIAA-s përfshinë edhe disa këngë të Rihannës, mes tyre "Where Have You Been", shkruan Billboard.
Dua Lipa, e lindur në Londër nga prindër nga Prishtina, mbetet artistja me prejardhje shqiptare me sukseset më të mëdha në skenën botërore të muzikës.