Parastoo Ahmadi u dënua me 74 rrahje me kamxhik pasi u shpall fajtore për "fyerje të moralit publik" për performancë pa hixhab - mbulesën e kokës që kërkohet për gratë në Iran.
Avokati i saj tha për gazetën reformiste iraniane Emtemad se dënimi u ekzekutua sot dhe lidhej me një koncert të Ahmadi në dhjetor 2024, i cili u transmetua drejtpërdrejt në YouTube.
Këngëtarja dhe katër anëtarë të ekipit të saj të prodhimit u paraqitën sot tek autoritetet provinciale në qytetin e shenjtë Qom, siç u urdhërua pasi një gjykatë penale lokale mbështeti dënimet e tyre në shtator. Atyre iu dha gjithashtu një ndalim dy-vjeçar për t'u larguar nga vendi.
Përveç 74 goditjeve me kamxhik, Ahmadi dhe tetë anëtarë të ekipit të saj u dënuan gjithashtu me një ndalim dyvjeçar për t'u larguar nga vendi dhe një ndalim dyvjeçar për të gjitha "aktivitetet artistike".
Këngëtarja dha koncertin në Dayr-Gachin, një ndërtesë e lashtë e vendosur përgjatë ish-Rrugës së Mëndafshit në Iran. Performanca e saj përfshinte tema të nacionalizmit dhe kryengritjes popullore.
Sipas ligjit iranian, i cili bazohet në interpretimin shtetëror të ligjit të sheriatit, gratë dhe vajzat duhet të mbulojnë flokët me hixhab pas arritjes së pubertetit.
Në vitin 2022, Irani u trondit nga protesta masive pas vdekjes së Mahsa Amini, një 22-vjeçare kurde që vdiq në paraburgim policor në shtator të atij viti. Ajo u arrestua nga policia e moralit e Teheranit për dyshimin se mbante hixhab "gabimisht".
Gjatë protestave kundër autoriteteve fetare që u përhapën në të gjithë vendin, gratë dogjën shamitë e tyre ose i tundnin ato në ajër. Forcat e sigurisë vranë qindra në një shtypje të dhunshme të demonstratave.