Një natë koncerti u kthye në panik në Manchester. Më shumë se 12 mijë fansa të reperit amerikan Don Toliver u evakuuan të dielën në mbrëmje nga arena Co-op Live, pasi në turmë u lëshua një substancë e panjohur që shkaktoi kollë dhe djegie të syve.
Sipas agjencisë Associated Press, policia e Manchesterit të Madh u thirr rreth orës 22:00 dhe shpalli "incident madhor", procedurë që u lejon shërbimeve të emergjencës të veprojnë të koordinuara. Substanca fillimisht u dyshua si gaz lotsjellës, por autoritetet ende po hetojnë se çfarë ishte saktësisht dhe si përfundoi mes publikut.
Shërbimi i ambulancës për Anglinë veriperëndimore njoftoi se më shumë se 80 persona u kontrolluan në vend për shqetësime në sy dhe në frymëmarrje, ndërsa një person u dërgua në spital. Arena iu nënshtrua dekontaminimit si masë paraprake.
Dëshmitarët përshkruajnë skena të tensionuara. Një fans i tha gazetës Manchester Evening News se nisi të kollitej dhe t'i kruheshin sytë, ndërsa Toliver u largua nga skena dhe dritat e sallës u ndezën. Sipas tij, njoftimi se shfaqja kishte marrë fund erdhi pothuajse një orë më vonë. Një tjetër i pranishëm i tha BBC Radio Manchester se pa njerëz që nxirreshin me karroca, duke u mbytur nga kolla.
Zyrtarja e lartë e policisë, Steph Parker, u bëri thirrje të gjithë atyre që janë ndier keq pas koncertit të paraqiten në spital. Drejtuesit e Co-op Live thanë se po bashkëpunojnë me policinë për të zbuluar shkakun. Toliver, i nominuar për Grammy dhe i pranishëm në kolonën zanore të lojës së re "Grand Theft Auto", sipas AP-së ishte planifikuar të performonte të hënën në O2 Arena në Londër dhe të martën në Wembley Arena, në kuadër të turneut "Nitrous".