Carys Douglas, vajza 23-vjeçare e aktores Catherine Zeta-Jones dhe aktorit Michael Douglas, ka folur për etiketimin “nepo baby” dhe paragjykimet me të cilat mund të përballet gjatë ndërtimit të karrierës së saj në aktrim, shkruan BBC.
Ajo tregoi se prindërit e kishin paralajmëruar se njerëzit mund të kishin “ide të paragjykuara” për vendimin e saj për t’u bërë aktore.
Carys këtë vit bëri debutimin e saj në teatër, duke luajtur rolin kryesor të Ninës në veprën “Pulëbardha” të Anton Çehovit, në Brooklyn të Nju-Jorkut.
Nëna e saj, Catherine Zeta-Jones, e cila është e martuar me Michael Douglas, djalin e yllit të Hollywoodit, Kirk Douglas, më herët e kishte cilësuar termin “nepo baby” si “të tmerrshëm”.
Ky term përdoret për fëmijët e personazheve të famshëm, të cilët perceptohen se kanë arritur pasuri dhe sukses falë ndikimit dhe famës së prindërve të tyre.
Megjithatë, Carys tha se prindërit e kishin mësuar të ndërtonte “identitetin e saj” dhe se me kalimin e kohës kishte mësuar të përballej me presionin që shoqëron këtë etiketim.