Nënkryetari Mujka vizitoi shoqatën “Zëri i Prindërve” dhe biseduan me kryetarin Bajram Qerkini për aktivitetin, hallet dhe problemet me të cilat përballen

Mitrovica

Nënkryetari Mujka vizitoi shoqatën “Zëri i Prindërve” dhe biseduan me kryetarin Bajram Qerkini për aktivitetin, hallet dhe problemet me të cilat përballen

Nga: F.B Më: 28 prill 2021 Në ora: 12:28
Mujka dhe Bahtiri

Nënkryetari i komunës Faruk Mujka i shoqëruar nga drejtoresha e drejtorisë së administratës komunale Valmira Sylejmani dhe Fitim Rama shefi i zyrës komunale të mbrojtjes së drejtave të njeriut kanë qëndruar në selinë e shoqatës “Zëri i prindërve” ku u pritën nga kryetari i shoqatës Bajram Qerkini dhe asistentja Xhyla Haziri.

Me këtë rast Bajram Qerkini i ka njoftuar zyrtarët komunal lidhur me aktivitetet që po zhvillohen, planin vjetor të punës dhe përkushtimin në vazhdimin e hulumtimit për zbardhjen e fatit të gjithë personave që ende ndodhen në listën e personave të pagjetur .

Qerkini posaçërisht ka kërkuar koordinim të veprimit dhe mbështetje të punës dhe aktiviteteve të shoqatës, qoftë në mirëmbajtjen e zyrës, zhvillimin e aktiviteteve por edhe shënimin e ditëve të masakrave, aktivitete këto që vazhdimisht organizohen nga shoqata së bashku me familjarët e personave të pagjetur.

Pasi në takim ndodheshin edhe grupi i të rinjve vullnetar që ndihmojnë aktivitetin e shoqatës, Qerkini ka kërkuar mbështetje për realizimin e projekteve të ndryshme për të rinjtë qoftë në socializmin, apo trajnimin e ndryshëm që do ndihmojnë integrimin e të rinjve nga familjet me persona të pagjetur në shoqëri.

Temë e pashmangshme ishte edhe projekti i ndërtimit të obeliskut , që është parashikuar të ndërtohet tek sheshi afër palestrës së sporteve, si dhe çështja e ndërtimit të shtëpisë muze në lagjen boshnjake e cila po zhargitet me vite.

Nënkryetari Mujka ka theksuar se vlerëson punën që bëhet në shoqatë dhe misionin që ka shoqata për zbardhjen e fatit të personit të fundit të pagjetur, ndërkohë që ka premtuar mbështetje për punën dhe aktivitetet e shoqatës konform mundësive që ka komuna për këto aktivitete.

Ai premtoi se do të angazhohet që të mbështetet aktiviteti dhe puna e shoqatës, sikurse edhe projektet që janë parashikuar për ndërtimin e obeliskut dhe shtëpisë muze në lagjen e boshnjakëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat