Drejtoria e Inspekcionit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike

Mitrovicë

Drejtoria e Inspekcionit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike

Nga: A.M. Më: 15 tetor 2026 Në ora: 18:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

Drejtoria e Inspekcionit vazhdon lirimin e hapësirave publike në Mitrovicë

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, në koordinim me Drejtorinë e Urbanizmit, po vazhdon angazhimin për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve nga shitësit ambulantë.

Aktivitetet e fundit janë zhvilluar në kryqëzimin e rrugëve “Ali Zeneli” dhe “Fatime Hetemi”, në hyrjen që të çon drejt tregut, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe shfrytëzimin e rregullt të hapësirave publike.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, së bashku me drejtorin e Inspekcionit, Mujë Igrishta, kanë vizituar nga afër këtë lokacion për të parë gjendjen dhe ecurinë e aktiviteteve në terren.

Duke u kujdesur që procesi të shoqërohet edhe me zgjidhje konkrete për shitësit ambulantë, Drejtoria e Inspekcionit ka siguruar tezga pa pagesë dhe një lokacion të përkohshëm për ushtrimin e veprimtarisë së tyre, deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të përshtatshme dhe afatgjatë.

Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së hapësirave publike në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Hapësirat publike janë të qytetarëve. Çdo ditë me punë të mira dhe rezultate konkrete për Mitrovicën tonë”, ka deklaruar Igrishta.

Komuna e Mitrovicës do të vazhdojë angazhimin për krijimin e një mjedisi më të rregullt dhe funksional, duke siguruar qarkullim të lirë për qytetarët dhe trajtim të përgjegjshëm të hapësirave publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat