​Dyshohet për helmimin e qenve në Mitrovicë të Veriut

Mitrovicë

​Dyshohet për helmimin e qenve në Mitrovicë të Veriut

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 14:25
Fotoilustrim

Rreth shtatë deri në tetë qen dyshohet se janë helmuar në Mitrovicë të Veriut, ndërsa numri i tyre po vazhdon të rritet.

Policia e Kosovës ka pranuar një raportim më 18 nëntor, ku një grua ka ngritur dyshimet për helmimin e dy qenve.

Sipas policisë, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe ekipet relevante janë duke u marrë me rastin.

Aktivisti për mbrojtjen e kafshëve, Skender Sadiku, në një prononcim për KosovaPress ka thënë se fillimisht ishin raportuar tre deri në katër qen të helmuar, por numri tashmë ka arritur në shtatë deri në tetë.

Sipas tij, njëra nga hapësirat ku janë gjetur qen të helmuar ndodhet në afërsi të shkollës “Branko Radiçeviq”, ku frekuentojnë edhe fëmijët, raporton KosovaPress.

Sadiku ka paralajmëruar se helmimi, përveç rrezikut për kafshët, mund të paraqesë rrezik edhe për qytetarët dhe kafshët e tjera që mund të bien në kontakt me helmin.

“Janë vrasje masovike të qenve, mirëpo është duke u bërë në mënyrë më mizore, me helm. Ai helm është i rrezikshëm dhe mund të kalojë edhe te njerëzit. Një pjesë ku kanë gjetur qen të helmuar është afër shkollës ‘Branko Radiçeviq’, ku frekuentojnë edhe fëmijët. Edhe helmimi i qenve automatikisht po i rrezikon edhe banorët”, ka thënë Sadiku.

Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje e ka hapur rastin në polici, ndërsa ka kontaktuar edhe Komunën dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sadiku ka thënë se dyshohet që helmi po vendoset në ushqim, si mish apo sallam, kryesisht në afërsi të kontejnerëve ose në hapësira ku qentë ushqehen.

Aktivisti ka ngritur shqetësimin edhe për mënyrën e trajtimit të trupave të kafshëve të ngordhura nga helmimi, duke theksuar se për këtë duhet të ndiqen procedurat përkatëse nga profesionistët.

Ai ka kujtuar se një situatë e ngjashme ishte evidentuar edhe në vitin 2023, kur dyshohet se ishin helmuar edhe mace dhe kafshë të tjera.

Sipas Sadikut, në rastet e fundit dyshohet se është helmuar edhe një qen me pronar, ndërsa ka kërkuar reagim të institucioneve përgjegjëse, duke vlerësuar se çështja paraqet rrezik edhe për shëndetin dhe sigurinë e banorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat