Vrasjet makabre që nuk njeh historia: Din dhe Arsim Paçarizi, dy 11 vjeçarët që Serbia nuk i la të jetonin

Ndryshe

Vrasjet makabre që nuk njeh historia: Din dhe Arsim Paçarizi, dy 11 vjeçarët që Serbia nuk i la të jetonin

Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 16:19
Din dhe Arsim Paçarizi

11 vjeçarët Din dhe Arsim Paçarizi kanë qenë nxënës të klasës së tretë të shkollës së fshatit Dragobil të Malishevës.

Ishte 5 prilli 1989 dhe ata po loznin në fshat sikurse çdo ditë. Ishte ditë e mërkurë. Të nesërmen bëheshin fiks dy javë që Serbia me dhunë e tanke e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Dini dhe Arsimi akoma nuk e dinin se çfarë ishte as autonomia, as republika. Ata dinin të luanin, ndonëse e nuhatnin se diçka e jashtëzakonshme po ngjante në vendin e tyre.

Anembanë Kosovës po mbaheshin demonstrata dhe kishte pasur shumë viktima. Serbia kishte vendosur t’ia tregonte dhëmbët civilëve paqësorë që të vetmen armë kishin dy gishtat e ngritur lartë.

Atë të mërkurë, një konvoj ushtarak serb stacionohet në vendin e quajtur Golesh, në të dalë të fshatit të Dinit dhe Arsimit. Duke bërë “manovra” filluan të shtinin në drejtim të Dragobilit.

Dy 11 vjeçarët vriten dhe i ngel në gjysmë loja. Faji i vetëm i tyre? Ishin shqiptarë. Dhe kushdo që ishte shqiptar nuk meritonte as të luante, as të rritej, as të shkollohej. Serbia kishte vendosur që Dini dhe Arsimi nuk meritonin as të jetonin.

Kësisoj – një dhjetëvjeçar para Abrisë, Rezallës, Bellacërkës, Poklekut, Studimes, etj. – Serbia po e dëshmonte se ish në gjendje të luftonte me tanke kundër fëmijëve dhe foshnjave. E, Dini dhe Arsimi u bënë paralajmërimi që hasi në vesh të shurdhër të kancelarive botërore për atë çfarë do të bënte Serbia vite më pas.

Sot, Dini dhe Arsimi do të ishin burra 41 vjeçarë. Kushedi se çfarë profesioni do kishin. Vetëm mund të hamendësojmë sepse Serbia vendosi që ata të vriteshin si fëmijë akoma pa e shijuar mirë jetën.

30 vite më vonë duhet që së paku t’i kujtojmë dy djaloshët-martirë, sikundër dhe një brez të tërë fëmijësh që u rritën para kohe mes plumbash dhe gazit lotsjellës.

Lavdi! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat