Sërfisti mbijeton pas 26 orësh në det mes frikës dhe të ftohtit

Ndryshe

Sërfisti mbijeton pas 26 orësh në det mes frikës dhe të ftohtit

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 11:39
Foto ilustrim

Një sërfist slloven i cili që nga e hëna llogaritej i zhdukur pasi i humbet çdo gjurmë në detin në Umag, është gjetur i gjallë në Itali, ku kishte lundruar për 26 orë me dërrasën e tij, duke përshkuar një distancë prej 40 kilometrash.

Siç shkruajnë mediat italiane, pas 26 orëve të kaluar në det të ftohtë, ai ia kishte dalë të mbërrijë në bregun në afërsi të Triestës, ku më pas ka kërkuar ndihmë në një kafeteri.

Gazeta italiane Il Piccolo shkruan se punonjësit e kafeterisë kanë thirrur ndihmën e shpejtë, e cila e ka dërguar në spital ku është trajtuar për hipotermi.

Një dëshmitare okulare, e cila ka rastisur në kafeterinë në fjalë, i ka rrëfyer gazetës italiane për përvojën e pazakontë kur ka parë në orët e mbrëmjes një burrë këmbëzbathur me veshje për sërfim, i cili i ka rrëfyer se ka mbërritur nga Umagu i Sllovenisë.

“Nuk mund ta imagjinoj dot si ka mundur të luftojë me erërat e forta dhe me valët e larta. Menjëherë thirrëm ndihmën e shpejtë dhe pastaj kuptova se ky njeri po kërkohej nga e hëna. Kishte disa gërvishtje në fytyrë dhe ishte i lodhur megjithatë arriti të thoshte emrin e tij dhe numrin e telefonit për ta thirrur gruan e tij”, rrëfen dëshmitarja.

Goran Jablanov (47) nga Sllovenia humbi të hënën pasi bashkë me një shok të tij ishte nisur për sërfim, por erërat e forta kishin shqyer velat e sërfit, me çka atij i humb çdo gjurmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat