Në odën e Ali Ethem Gashit në Drenofc të Zatrqiqit - Bota Sot
Në odën e Ali Ethem Gashit në Drenofc të Zatrqiqit

Opinione

Në odën e Ali Ethem Gashit në Drenofc të Zatrqiqit

Nga: Sinan Kastrati Më: 2 mars 2019 Në ora: 14:20
Sinan Kastrati

(Kur) Fehmi Lladrofci kishte ardhur në Drenofc.

Fehmi Lladrofci: -Ai qeni me klyshte e vetë.

Baca Ali: “Ne ushtrinë tonë do ta përkrahim dhe do ta ndihmojmë ...”

Ne ta marrim kamionetën e nuk të vesim, i thonë bacës Ali “udhëheqësit e shtabit” të Drenofcit.

Pse atherë u shpall hero, nëse ai ka dezertua?

Me të zotin e shtëpisë, aty ku do të shkojnim biseduam nga Rahoveci dhe posa mbërritëm në katund, na dual përpara baca Ali, Ali Ethem Gashi (*1) dhe na priti si miq s`pari.

Baca Ali na priu përpara duke na thënë:

 -Mirë se u ka pru Zoti e mirë se keni ardhur!

Unë isha më “jabanxhiu” prandaj mua më qitën në ballë të oxhakut, e Hasanin, kusheririn tim që ishte më i ri, i bënë vend më poshtë” por afër meje.

Oda e Ali Gashit e kishte derën hapur për miq, dashamirë e nevojtarë, kur e ziente nata ndonjë jabanxhi, me bujt aty, sikur dikur, oda e shumë drenocasve por kishin ndodhur shumë ndryshime edhe në Drenofc ama në odën e bacës Ali ende rrinin veç burrat, sipas adetit.

Në odën e bacës Ali ishte formua LDK-ja, nëndegë e Rahovecit, ishte mbajtur referendumi e zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale të Kosovës, më 1992.

Kur ne shkuam, sipas adetit, dikush nga mashkujt e bacës Ali na pruni kafe turku, dhe më vonë na kthyen sofrën e hëngrëm bukë, një kaftjall të vonë, sa për qaj e “si për qaban”, na tha baca Ali.

Bisedën e filloj baca Ali, i zoti i shtëpisë, një plak i mbajtur mirë dhe i hollë nga mendja që s`ma merrte mendja që i ka ato vjet që në të vëtetë i kishte, i kishte kalua të 80-tat.

Nganjëherë, baca Ali e fillonte bisedën duke më shikua mua në sy e pastaj shikimin e largonte nga unë dhe “e shetiste” me shikim gjithë odën, deri në derë, sikur dyshonte se mos është ndonjë njeri “i padëshiruar”, dhe kur i kujtohej ndonjë ndodhi e rëndësishme, që sipas bacës Ali, mua më interesonte më shumë, e k`puste bisedën dhe ia niste me një zë të qetë, ngadalë, pa u ngutur e duke e ngritur zërin nga pakë por i qetë. Folte rrafsh. Rrinte i ulur këmbëkryq dhe vetëm këmbën e nd`rronte , duke e qitur njërën këmbë mbi tjetrën kur lodhej e pastaj pinte qajin, e dëgjohej “hrrpa” e mandej “pushonte” dhe prap më shikonte në sy sikur donte të më thoshte, se nuk kam harrua ku e kam lënë llafin dhe e di pse ke ardhur këtu.

(Kur) Fehmi Lladrofci kishte ardhur në Drenofc.

Fehmi Lladrofci: -Ai qeni me klyshte e vetë.

Fehmi Lladrofci ishte i pari që ia shtiu flakën katundit dhe i ndajti katundarët e Drenofcit e të rrethinës, në ata të Rugovës, të qenit dhe k`lyshëve të qenit e ata të “luftës”, të fesatit (shën. imi) që deri atherë nuk kishte pasur (shumë) mosmarrveshje, ashiqare sa i përket luftës që po na trokiste te dera.

Hallet e mëdha e të k`qiat s`kishin fund në Drenofc dhe jo vetëm në Drenofc por edhe në Kosovë. Përveç frigës së pushtetit policor e ushtarak, pushtuesit serb i cili kishte shti në “grusht” Kosovën ishte edhe friga tjetër, mungesa e ushqimit. Rezervat e ushqimit shterreshin e friga e masakrave serbe rritej dhe rreziku i luftës vëllavrasëse në mes të shqiptarëve, grupeve të armatosura që më tepër iu ngjanin fiseve e bajraktarëve se sa një formacioni ushtarak që duhej të ketë rend e rregull dhe kierarki ushtarake.

Sikurse kjo të mos mjaftonte, kishte edhe lufta ideologjike brenda udhëhqjeqsëve të “lëvizjeve” nga jashtë e “partive”, nga brenda, sidomos ajo e lpk-istët nga Zvicrra që bënin një propagandë kundër Ibrahim Rugovës e instituconeve të tjera legjitime të Kosovës, nëpërmjet të RadioTelevizionit të Tiranës, Zërit të Kosovës dhe të jezuitëve që ishin shprënda nëpër Evropë e në vend të bashkimit kombëtar, bënin përqarje.

Thjeshtë më shumë i luftonin institucionet e Kosovës e njerzit aktivistë e kombëtar dhe familjet e njohura e ta që ishin të afërt me LDK-në dhe Ibrahim Rugovën se sa pushtetin serb. Kësaj lufte i printe lpk-ja me përfaqësuesit e saj të shumtë, gati të gjithë: Jakup Krasniqi, Fatmir Lima, Hashim Thaci ... por edhe Bardhyl Mahmuti, Ibrahim Kelmendi e Fehmi Lladrofci, Adem Demaçi e të përkrahur nga partia “nënë”, bija e saj. Partia Socialiste e Shqipërisë.

Këtë frigë e këtë ndarje në Drenofc të Zatriqit, i pari e pruri dhe e nguli, Fehmi Lladrofci.

Sikurse në tërë Kosovën, në Drenicë e Dukagjin, në Llap e në Llapushë, ushtria e policia serbe e shtonte zullumin e fshatarëve hallegjinjë iu shtoheshin dertet edhe më shumë e iu shtërngohej “laku në fyt”.

Në shkollën “Vëllezërit Frashëri” në Drenofc të Zatriqit në një mbledhje, e ku merrnin pjesë: Fehmi Lladrofci me Xhevë Krasniqin, Isuf Sherif Gashin, (“Bacën e ... “ nga Drenofci), Gjemë Gashin (“Gjermanin”, nga Sferrka e Gashit), Mahir Hasanin, Mensur Zyberajn etj. u fol edhe për një mbledhje që gjoja e ka mbajtur LDK-ja e ku Faredin Krasniqi kishte qenë procesmbajtes i mbledhjes, për me përkrah luftën, por ata i shtrembëroni faktet, thonin se LDK-ja ishte kundër “luftës”.

.....

“Ai qeni, Ibrahim Rugova më klysht e vetë, i ka  shti”.

Njëri nga të pranishmit, “Gjermani” i drejtohet bacës Ali:

-A është e vërtetë se LDK-ja ka mbajtur mbledhje dhe iu ka bërë thirrje popullsisë që mos ta ndihmojnë “ushtrinë”? Fjalën e kishte për UÇK-në, krahu i majtë (vr. ime)

-Jo, jo! Ne ushtrinë do ta përkrahim dhe do ta ndihmojmë me krejt çka kemi mundësi, me ushqim, me pare e me njerëz. Unë i kam tre mashkuj në ushtri, përgjigjet baca Ali: Vehbiun (1965 djalin e Muharremit, vellait te baces Ali) dhe Samiun (1968), djalin tjetër të Muharremit (1975) dhe Ruzhdiun, djalin tim.

Dikush nga “lepurushat”, kështu i quanin lpk-istët, të gjithë “udhëheqësit” e oraganizatave që kishin ardhur nga dreqi i biri e kush nuk iu binte në fije, kishin hapur fjalën se LDK-ja në Drenofc iu ka thënë fshatarëve, që mos ta ndihmojnë “luftën” e Fehmiu paska thënë “Ai qeni, Ibrahim Rugova më klysht e vetë, i ka  shti”.

-Ne ta marrim kamionetën e nuk të vesim.

Njëherë tjetër bacës Ali ia lypin do pare “udhëheqësit” e “shtabit”

-Po na duhen do pare. Baca Ali më tha në odën e tij: iu dhash 500 DM.

 

Mahir Hasani, Bedri Zyberaj shkojnë te baca Ali dhe ia kërkojnë kamionetën ... dhe ende pa marrë përgjigjen, i thonë:

-Ne ta marrim e nuk të vesim.

Dikush tjetër tha se ka qenë edhe “Mensuri Zyberaj, vëllai i Osman Zyberajt të cilët kanë shkua te baca Ali e ia kanë lyp kombin dhe pa marrë përgjigje nga baca Ali i kanë thënë: ta marrim e nuk te vesim. Mensuri është vrarë te Celina. Flitet se shqiptarët e kane vrarë, pra UÇK-ja -, pasi që, thuhet, ka dezertua, e tash është hero. Edhe për këtë si edhe për disa emra të tjerë, burrat shikoheshin në mes veti por askush nuk donte me iu përmend emri. Kur unë i pyeta: Pse atherë u shpall hero, nëse ai ka dezertua? -Për me ia mbyll gojën familjes që mos ta lypin vrasësin ose vrasëit, e shpallin hero, u përgjigj njëri duke mos dashur që emri i tij ti qitet në gazetë, ani pse edhe ai nuk ishte i sigurt,me fjalë të tjera, ishte fjalë goje, kështu flitet në Drenofc.

 

Baca Ali edhe psei kishte tre mashkuj, dhe me gjithë aktivitetin kombëtarë që kishte bërë, ai shikohej si njeri i dyshimtë nga “ushtria” e lpk-istëtëve. (vr.ime).

Deri atherë ishte edhe Isuf Gashi, një nga ish aktivistët e LDK-së por më vonë u largua dhe kaloi në taborrin tjetër, në ate të lpk-istëve të Zvicrrës.

Që nga ai fjalim përqarës i Fehmi Lladrofcit, fshatarët e Drenofcit, më nuk kanë besua në ata njerëz të “malit”, me “maska” e me “nofka” dhe as në “luftën” e tyre.

Përveç bacës Ali, shumë njerëz u ftofën e nuk binin as ushqim e mish në të ashtuajturin “shtabin” e Drenocit, shkaku që  Fehmi Lladrofci e ofendon Ibrahim Rugovën me fjalet “Ai qeni me klyshte e vetë... “ e plasaritjet e përqarjet e mosbesimi rriteshin, krahas vuajtjeve të popullsisë.

Qifllaki i kanë pru lopët nëpër Drenoc e i kanë qu në shtabin e Rahovecit sepse popullsia u mashtrua e u zhgënjyen me Gani Gjemë Paqarizin (“Rrezikun”), Gjemë Gashin (“Gjermanin”) nga Sferrka, Mahir Hasanin, Bedri e Mensur Zyberajn, Selim Krasniqin, vëllain e Xhevës etj. (shën. imi)

1* Ali Ethem Gashi ka lindur më 10 shtator 1937 në Drenofc të Zatriqit. Me profesion është bujk, vreshtar)

 

Përmirësim gabimi dhe kërkim falje!

Dje, më 1 Mars 2019, në shkrimin tim “A kishte organizim ushtarak, “Shtab” të UÇK-së dhe “luftë çlirimtare në Drenofc të Zatriqit e rrethinë"? që e publikua edhe në disa portale, mu kanë përvjedh disa gabime të paqëllimta:

E para: "Po të dalim krejt te vëllezërit ideologjikë të “komandantëve” të UÇK-së, p.sh. nuk thuhet Lufta e Vietkongut por lufta e popullit vietnamez kundër agresionit amerikan ...”.

Fjalinë ”kundër agresionit amerikan” e tërhjeki dhe kërkoj falje.

Gabimi i dytë:"Një nga ish shokët e mi, Fetah Berisha, nga Drenofci i Zatriqit, i burgosur politik i demostratave të vitit 1981, sa herë që flisja në telefon më lutej që të shkoj te ai në Prizren e të flasim sepse ai dëshirontre që bashkë me mua të shkojmë në Drenofc, fshatin e tij të lindjes e të shkruajm për ato që fliteshin në ndeja, në deka e dreka rreth gjithë asaj që kishte ndodhur më 1998 e 1999" ... . Fjalinë ”… më lutej që të shkoj…” duhet hequr sepse Fatahu mua ka lut që rrije me te e jo të shkoj në Drenofc.

Dhe gabimi i tretë:, në vend të "Hotel Parkut" në Rahovec, kam shkrua "Hatel Pashtriku", që është hoteli më i njohur në Gjakove.

P.S. Në traditën e shkrimeve, përmirësimet, korigjimi i  gabimeve, thuhet në fund të shkrimeve por unë e bëra tash, pasi që mora disa letra, këshilla e vrejtje nga lexuesit.

Edhe njëherë: Kërkoj falje!  

Vazhdon

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...