Djemtë e lirisë - Bota Sot
Djemtë e lirisë

Opinione

Djemtë e lirisë

Nga: Ramiz Spahiu Më: 16 mars 2019 Në ora: 16:31
Nxënësit e ranë në altarin e lirisë

Sërish vjen marsi.  Marsi i pranverës, i rinisë, i lirisë. Marsi i përkujtimit, i dhimbjes, i krenarisë. Dhe, sa herë vjen marsi edhe nxënësit e mësimdhënësit e gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skënderaj, i përkujtojnë shokët e tyre të rënë për liri. Me buqeta lulesh të freskëta në dorë, i vizitojnë vendet e rënies së shokëve të tyre, varret ku u pushojnë eshtrat. Në qepalla u vezullon loti, e buqetat e luleve në dorë u njomën nga lotët për shokët, duke ndier dhembje për mungesën fizike të tyre, për ndarjen e hershme nga ne, për shkëputjen e tyre në lulen e rinisë. Siç thotë Dritero Agolli në poezinë ”Reliket e heroit”, as ne shokët e vjetër nuk e dinim, se do vinte një kohë, kur emri i tyre do të zinte vend mes yjeve: /” Kështu ndodh ngaherë me heronjtë qw vijnë, Mes nesh rriten e ne se dimë”/.

Por, krahas lotit sakaq vjen krenaria që i njohëm, që i patëm shokë, që patëm fatin të ishim moshatarë të tyre, që patëm nderin të ishim shokë të së njëjtës klasë, të se njëjtës shkollë. Apo që patëm fatin dhe nderin të ishim edhe mësimdhënës të tyre dikur. Ishim mësimdhënës të tyre dikur, por më vonë i ndërruam rolet, se duke u flijuar për liri, duke rënë dëshmorë të lirisë, ata u bënë shembull dhënës e mësimdhënës tanë të përjetshëm.

Dhe, ne sot ndihemi krenarë se frymojmë lirshëm të ulur në bankat e shkollës që dikur qëndronim trup shtrënguar, për shkak të ndërhyrjeve çnjerëzore të policisë serbe, që atëherë ndodhnin çdo ditë, orë e çast kudo nëpër Kosovë. Ndihemi krenarë se mësojmë të lirë, aty ku s’patëm fatin të mësonim dikur, se atëherë okupatori i vuri drynin shkollës sonë (nga shtatori 1991 deri në çlirimin e Kosovës).

Vendosmëria e fortë gjithmonë e kërkon guximin, dhe ne sot krenohemi që shkolla jonë pati të tillë djem, që nuk i patën frikën vdekjes për liri, që kishin vendosur ta këmbenin jetën e tyre me lirinë tonë. Dhe, krenaria vazhdon. Kur u përflak qielli i Kosovës, kur u kënduan vargjet: “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë. Vraponi burra se ska me pritë” atëherë kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu përgjigjën edhe djemtë e shkollës sonë: Fitimi, Samiu, Isa etj. Ata librit i shtuan edhe pushkët e lirisë.

Nga gjimnazi “Hamëz Jashari”, në altarin e lirisë ranë nxënësit: Fitim Jashari, Isa Ferati, Sami Bajra, Driton Bajrami, Arton Xhinovci, Safet Ahmeti, Faton Aruqi, Afrim Ymeri, Muhamet Jakupi, Nazif Ferizi, Bastri Deliu dhe Musli Shala. Ata u bënë gurë themeltar të lirisë se Kosovës.   

Dhe, kur erdhi pranvera, shkolla sërish hapi dyert duke pritur me padurim t’i ktheheshin nxënësit. Por, në bankat e saj nuk u kthyen më djemtë tanë dhe në vendin e tyre erdhi liria. Siç thotë poeti T. Dervishi: /”Ti - kur të hapësh derën -  në vendin tënd na vjen Liria, /do të vij pa ty, ajo që shkove ti t’e marrësh, /Të bukurën e dheut që quhet liri”. 

Lufta është kapitull i madh në historinë e shkollës shqipe në Kosovë, kapitull i dhembshëm me vlera të shumëfishta edukative që do ta quaj pasuri edukative për shkollën. Liria që erdhi në këmbim me jetën e djemve tanë, ne duhet ta çmojmë shumë , ta ruajmë si dritën e syrit dhe për jetë t’u jemi mirënjohës dëshmorëve, flijimtarëve të lirisë, se ata janë të shenjtë.

Në mbyllje do të shtoja. Me Djemtë e Lirisë shkolla jonë është më me fuqi edukative. Një pllakë përkujtimore me këta djem,  nuk duhet t’i mungojë  shkollës sonë. Ajo do t’u bënte nder djemve dhe shkollës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...