Nisma e gabuar për të çuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit - Bota Sot
Nisma e gabuar për të çuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Opinione

Nisma e gabuar për të çuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 20 mars 2019 Në ora: 07:59
Propozimi i Mogherinit për ta dërguar në KS të OKB është në kundërvënie të hapur me qendrimin e SHBA dhe të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me rrugën e përfundimit të marrëveshjes Serbi-Kosovë.

Përfaqësuesja e lartë e BE për çeshtjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Federica Mogherini, në 12 mars në Këshillin e Sigurimit të OKB-së parashtroi një raport të politikës së ndjekur nga KomisioniEuropian në rajonetëndryshme të botës dhe në pjesën, kur foli për Kosovën,paraqiti nismën e saj që çështja e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë për miratim në Këshillin e Sigurimit të OKB.

“Një marrëveshje finale, tha Mogherini, do të ketë nevojë të jetë në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe do të duhet të mbështetet nga KS i OKB. Roli juaj është dhe do të jetë kyç dhe ne jemi gati, unë personalisht jam gati, të intensifikoj shkëmbimet tona me të gjithë anëtarët e KS të OKB për këtë”.

Sikundër shihet, znj.Mogherini bën të ditur edhe për lëvizje e veprimtari diplomatike të saj në funksion të realizimit të kësaj nisme diplomatike.

Është hera e parë që Komisioni Europian e shtron zyrtarisht në forumin më të lartë të OKB një nismë të tillë, çka tregon se diplomacia e BE po sforcohet të zyrtarizojë shtrimin e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës në KS të OKB. Në fakt kjo tezë e Mogherinit, sipas burimeve diplomatike, u është sugjeruar prej saj Beogradit dhe Prishtinës në bisedimet e mbyllura në Bruksel.

Për ta bërë bindëse nismën e saj, përfaqësueses së BE për çeshtjet e jashtme i duhet ta paraqesë se ka mbështetje nga vetë dy shtetet bashkëbiseduese. Serbia natyrisht e ka pranuar me entusiazëm, sepse kjo nismë është në thelb një qendrim i vjetër serb, që tani merr etiketën e BE. Nisma materializon një kërkesë të vjetër të diplomacisë serbe që prej 20 vitesh për ta kthyer “çështjen e Kosovës” si çështje statusi prapë në KS të OKB, dhe i krijon diplomacisë serbe një pozitë avantazhi në strategjinë e refuzimit të pavarësisë së Kosovës.

Ndaj zv.kryeministri dhe ministër i jashtëm serb, Ivica Daçiç, e përshëndeti menjëherë në 14 mars nismën e Mogherinit, duke e quajtur rrjedhim logjik i ngjarjeve dhe një “momentum”, që duhet të shfrytëzohet. Serbia mezi po pret që nisma e çuarjes në KS të OKB të bëhet sa më parë.

Mirëpo konstatojmë se tezën e Mogherinit e ka pranuar zyrtarisht edhe Prishtina, megjithëse siç shprehen burime autoritative nga Prishtina, pas debateve të gjata. Kjo sanksionohet në Platformën zyrtare të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 7 mars 2019. Në pikën 17 të Platformës, me titullin: “Kosova sipjesë e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet:

“Në praktikë, ka të ngjarë që gjerësisht të pranohet se marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në çfarëdo rasti. Kjo do të ishte e nevojshme ose të paktën shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve për të siguruar që marrëveshja të arrijë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar”.

Mënyra evazive e përkufizimit shpreh vështirësinë për të bindur publikun, dhe përmban një detaj të habitshëm se flet se “do të ishte shumë e dëshirueshme nga këndvështrimi i të dyja palëve”. Nuk i takon një Platforme shtetërore të bisedimeve diplomatike me një shtet rival të flasë për qëndrime të përbashkëta të dy palëve për tezën e KS të OKB, çka hedh dyshimin se kjo tezë mund të ketë qenë objekt i bisedimeve në prapaskenë midis dy palëve.

Gjëja e parë, që bie në sy nga paraqitja e nismës së Mogherinit, është ngutja për ta zyrtarizuar trajtimin nga Këshilli i Sigurimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ngutja e saj mund të shpjegohet me dëshirën e përfaqësueses së lartë të BE për çështjet e jashtme që të arrijë një sukses personal para largimit të saj nga posti, pas zgjedhjeve parlamentare europiane të 23-26 majit 2019. Por ka një koinçidencë ngutje me Serbinë, e cila po kërkon të kapërcejë sa më parë barrikadën që quhet Kosovë dhe që e pengon në rrugën e anëtarësimit në BE.

Gjëja tjetër, që bie në sy është se për të dërguar marrëveshjen e Serbisë me Kosovën në KS të OKB nuk janë shprehur zyrtarisht as SHBA, as Gjermania, as Britania e Madhe, as Franca, etj. Në situatën e komplikuar diplomatike, ku e kanë ngatërruar çështjen e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, dalja e nismës së Mogherinit për ta çuar në KS të OKB meriton vëmendje të veçantë, sidomos nga Prishtina dhe Tirana. E analizuar në plan historik dhe komtemporan të së drejtës ndërkombëtare, të organizatave ndërkombëtare dhe të praktikës diplomatike, nisma mund të karakterizohet si e gabuar dhe mund të sjellë kosto të rëndë për shtetin e pavarur të Kosovës.

Së pari, duke dërguar marrëveshjen në KS të OKB, Bashkimi Europian heq përgjegjësinë nga vetja për paaftësinë, që nuk arriti dot në 8 vjet bisedime nën udhëheqjene tij në Bruksel, që të finalizonte marrëveshjen e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me njohje  reciproke. BE ka një mandat nga rezoluta e 9 shtatorit 2010 e OKB që të organizojë, ndërmjetësojë dhe të realizojë pajtimin midis dy shteteve, që aspirojnë të dyja anëtarësim në BE. Detyrën e pakryer, që i takon asaj, pra që të sanksionojë marrëveshjen dypalëshe Serbi-Kosovë për njohje reciproke, Brukseli ia atashon tani KS të OKB.

Kjo përmban edhe një rrezik tjetër. Duke ia kaluar KS të OKB, Brukseli praktikisht heq nga mesi dhe shpëton Serbinë nga kushti i njohur i deritanishëm se pa njohur Kosovën, ajo nuk mund të hyjë në BE.

Së dyti, propozimi i Mogherinit për ta dërguar në KS të OKB është në kundërvënie të hapur me qendrimin e SHBA dhe të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me rrugën e përfundimit të marrëveshjes Serbi-Kosovë. Në letrën e tij të 14 dhjetorit 2018 dërguar njëkohësisht edhe presidentit Hashim Thaçi, edhe presidentit Aleksandër Vuçiç, presidenti amerikan u jep alternativën që dy presidentët ballkanikë të vijnë dhe ta nënshkruajnë në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen përfundimtare midis tyre. Në këtë mënyrë presidenti Trump doli me rol të ri drejtues në procesin e marrëveshjes dhe me garancinë e SHBA për funksionimin.

Tani Mogherini e anashkalon alternativën amerikane dhe del me nismën për ta çuar në KS të OKB, duke hapur rrugën për një rol të ri në Ballkan të Rusisë dhe Kinës.

Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm. Në telegramin e urimit, që presidenti amerikan Trump dërgoi me rastin përvjetorit të 11 të pavarësisë së shtetit të Kosovës, theksoi me forcë se thelbi i marrëveshjes duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Në fjalën e saj në KS të OKB, përfaqësuesja e lartë e BE për çështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë, nuk e përmendi fare fjalën “njohje reciproke” si themel i marrëveshjes, çka don të thotë se ajo e mënjanon ose nuk e konsideron shtrimin e kësaj çështje në KS të OKB.

Së treti, ka një gjykim të gabuar edhe në qarqe politike e diplomatike në Prishtinë dhe në Tiranë se duke e dërguar në KS të OKB zgjidhet problemi i rezolutës 1244 të KS të OKB të 10 qershorit 1999. Nga pikëpamja juridike rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë. Rezoluta vërtet flet për një lloj sovraniteti të RFJ, por RFJ ishte shtet tjetër. Rezoluta nuk e përmend në asnjë rresht emrin “Serbi” dhe çdo jurist i thjeshtë e kupton se një dokument nuk mund t’i japë pronësinë atij, që nuk e ka emrin.

Një element i rëndësishëm, që nuk e di pse harrohet nga Prishtina dhe Tirana është fakti historik se Serbia nuk ka qenë shtet anëtar i OKB në vitin 1999, kur u miratua rezoluta 1244 dhe asaj nuk i takon ndonjë e drejtë apo pretendim nga OKB. Këtë e ka vendosur me një vendim të saj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tribunali më i lartë juridik i OKB, në 15 dhjetor 2004, kur hodhi poshtë padinë e Serbisë kundër SHBA, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe vendeve të tjera të NATO-s për inkursionet ajrore të marsit 1999, dhe argumentoi se Serbia nuk ka qënë shtet anëtar i OKB në atë kohë dhe s’mund të pretendojë të drejta, që u takojnë vendeve anëtare.

Së katërti, çdo logjikë e kupton se KS i OKB nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një noter i një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës. KS i OKB do ta vendosë në rendin e ditës dhe do të hapë debat të ripër këtë marrëveshje dhe është e natyrshme se këtu fillon nga e para përplasja e qendrimeve dhe interesave të kundërta midis anëtarëve të përhershëm të KS të OKB. Sepse në pesëshen e anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoja janë dy shtetet, që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës: Rusia dhe Kina. Kjo don të thotë se Rusia përmes shtrimit në KS të OKB hyn në lojën ballkanike dhe mund ta zgjasë në pambarim debatin dhe të sabotojë pavarësinë e Kosovës.

Nuk e di nga vjen ai optimizëm foshnjor në Prishtinë se presidenti Vladimir Putin do të pranojë symbyllur çfarë do të vendosin Beogradi dhe Prishtina. Bllofi, që luajti presidenti Putin, duke takuar dhe biseduar me presidentin e Kosovës në 11 nëntor 2018 në Paris, është një ushtrim mëngjesor për carin e rafinuar të Rusisë, që ka luajtur dhe po luan bllofe të shumta diplomatike me krerët e shteteve të fuqishme të  botës. As Prishtina, dhe madje as Beogradi, nuk kanë siguri se Moska do të pranonte marrëveshjen, që mund të arrijnë të dy palët, pa kërkuar gjë dhe pa e hedhur si kartë në bixhozin makrodiplomatik ndërkombëtar.

Gazeta e mirëinformuar ruse “Komersant” duke shkruar për një takim kokë më kokë të Putinit me Vuçiçin në Moskë në fund të vitit të kaluar, thekson se: “Vuçiç nuk e gjeti Putinin shumë dakord kur është fjala për arsyet përse Rusia duhet të mos verë veton në KS të OKB për marrëveshjen, nëse Kina realisht ve në pikëpyetje anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Interesi strategjik i Mokës nuk është zgjidhja e konfliktit të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës, sepse ai konflikt është e vetmja mënyrë për të qenë e përzier në punët e Ballkanit. Nga ana tjetër, Prishtina duhet të ketë parasysh mesazhin zyrtar, që dha në datën 4 mars 2019 zëvëndësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko. Në një deklaratë për mediat e Shqipërisë zyrtari i lartë rus dha nga Tirana mesazhin e qartë se “Për Rusinë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën janë çeshtje krejtësisht e brendshme e Serbisë” dhe kërkoi që marrëveshja midis tyre të dërgohet për miratim në KS të OKB.

Uroj ta kenë lexuar në Prishtinë për t’u qartësuar sesi do ta trajtojë Rusia në KS të OKB çështjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, pra si një konflikt i brendshëm brenda një shteti, njësoj si Transnistria e Moldavisë, që ka shpallur pavarësinë, por nuk e njeh kurrkush. Nuk duket se rastësisht diplomacia ruse ka rihedhur në qarkullim diplomatik tani formulën e “dy gjermanive”, të cilat u pranuan në OKB si dy shtete anëtare, por pa e njohur njera-tjetrën.

Së pesti, KS i OKB  për shkak të Rusisë ka një rekord katastrofik negativ për interesat dhe çeshtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. KS i OKB për shkak të Rusisë ka kundërshtuar të miratojë rezolutën për ndërhyrjen humanitare në Kosovë në vitin 1999 dhe po të ishte për KS të OKB, sot e kësaj ditë Kosova do të ndodhej akoma nën pushtimin serb. KS i OKB për shkak të Rusisë dështoi në vitin 2007 të miratonte planin Ahtisaari, i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB, për pavarësinë e kushtëzuar. Asnjë rekord dhe asnjë shenjë nuk të nxit për optimizëm se tani KS i OKB me Rusinë brenda do të tregohet gjeneroz dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është marrëveshje dypalëshe e dy shteteve për njohjen reciproke dhe nuk ka nevojë të dërgohet në KS të OKB. Nuk është Traktat paqeje i dy shteteve, që kanë luftuar me njeri-tjetrin. Ështe naive të kërkosh nga diplomacia ndërkombëtare të bëjë tani, atë që duhej ta kishte bërë para 20 vitesh, kur duhej të organizonte një Nuremberg dhe një Potsdam për shtetin agresor, Serbinë.

Alternativat ndërkombëtare të legalizimit dhe të garantimit të një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës janë dy. Njëra është që BE ta legalizojë dhe ta garantoje marrëveshjen nëpërmjet kushtit të anëtarësimit të Serbisë në BE pasi të njohë Kosovën. Dhe e dyta, që marrëveshja përfundimtare të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë nën garancinë e presidentit amerikan dhe të SHBA.

Dhe meqë Mogherini i BE po kërkon hulli të gabuara, mbetet alternativa amerikane./Dita

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...