Një ditëlindje të cilën nuk do dëshiroja ta festoja në mesin e të gjallëve..!? - Bota Sot
Një ditëlindje të cilën nuk do dëshiroja ta festoja në mesin e të gjallëve..!?

Opinione

Një ditëlindje të cilën nuk do dëshiroja ta festoja në mesin e të gjallëve..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 15 prill 2019 Në ora: 16:54
Rexhep Elezaj

Sot, në ditëlindjen time të radhës, mendimet nuk më pushojnë së fluturuari, sa kthehen pas në kohën e fëmijërisë dhe rinisë, sa zhytën në vitet e studimeve, sa futën në vorbullën e viteve të kurbetit të zi, sa sillën vërdallë labirinteve të historisë sonë të shekullit 20-të, plotë vuajtje dhe gjak, sa ikin përtej detit Mesdhe deri në Kairo dhe jug të Sudanit, sa vrapojnë nëpër qendra të Evropës së Hygos dhe Shekspirit, sa kthehen prapë në Kosovën e zërit të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës, sa fluturisin mbi qiellin e kaltërt të Rugovës time trime, që dikur ishte plotë vajza dhe nuse të reja, plotë me zëra të bukur të zogjve në breg të brezës, me zërin e këndshëm të kumonave të deleve bardhoka e galica...për t’u kthyer në kokën time boshe, sikur bletët kur lëshohen jashtë nga ulishtat e tyre në grumbuj togje-togje, për t’u derdhur mu në shtratin tim të zbrazët, ku me muaj zvarritëm si gjarpri i vrarë, nga njëri gurë tek tjetri, pa mundur të zë vend pranë asnjë rrënjë kujtimi, apo të ha një kafshatë buke që të jep forcë për një ditë të re, një natë me gjumë dhe një agim i ri, i cili mua bashkë me Kosovën e 250 varrezave masive, të qindra lapidarëve të dëshmorëve, të miave dhe të ëndrrave të mijëra dëshmorëve, do t’u sjellë lule mbi varret e tyre, pa ditur se gjatë rrugës do takosh me qindra lypsarë të cilët me duart e tyre të shtrira e të palara të drejtohen; “Bëni rahmet oj loke, Zoti ta dhashtë...”, por edhe nga frika që të përcjellë kudo që shkon, se kriminelët mund te të ndalojnë, te të vrasin pa nishan, për t’i plaçkitë edhe ata pak grosh që të kanë ngelur në xhep, ngase çdo gurë të tokës së shenjtë të Kosovës martire e kanë zhbi dhe bërë hi e pluhur për pazar të zi..!?

Këtu në vatan paska shumë hajna, piratë të luftës dhe vrasës të lirisë, paska lakuriqë të natës së Bartolomesë kosovare, mu aty midis luginës së “gjarpinjve” të gjakut të Adem Demaçit, të “zek’anave”, të “lul’ëve”, “balo’shave” dhe banditëve të Gropës së zezë të Tiranës së kanabisit e hashashit, dora e zezë i të cilëve çdo ditë e më mizorisht po e vret historinë e kombit shqiptar si dhe ëndrrat më të bukura të gjyshërve dhe të baballarëve tanë, të cilët po i grimcojnë eshtrat e vetë nga dhimbjet që po i “ndjejnë” të thikave të ngulitura mbi shpirtrat e tyre lartë në qiell..!

Me siguri se do ngriteshin nga varret e të dalin mbi tokë që t’i fryjnë murrlanit me stuhi, tejpërtej fushave të vjedhura të Dugagjinit, Hasit, Drenicës, Llapit dhe Gollakut, fushave të Butrintit dhe Drinit të zi e Valbonës, për t’i marrë me vete në varr këta hajdutë e kriminelë barbarë, këta maskarenj të pa shpirt, ngase nuk ka forcë sot mbi dhe, të cilëve mund t’ua ndalë turrin e vrasjes së një populli të tërë, të cilin e kanë futur në birë të miut, jo më për 300 groshë, por për 100 lekë..!?

Në këtë vend dhe në këtë vatan të rrjepur deri në palcë, ku edhe mua më ka lindur nëna ime, bijë e fisit rugovas nga rrënjët e pishave plotë aromë luleve dhe lëng të boronicave të bjeshkëve të Shtedimit, e na rriti me bukë kallamoçi të kuq, mbase e cila as që e kishte imagjinatën se ç’ është liria dhe ushtari i Koshares, e cila për plotë në shekull nuk u përkulë para barbarive serbo-malazeze, vetëm e vetëm që të na rrisë dhe shkollojë, që ne një ditë ta fitojmë dhe ta gëzojmë Kosovën e lirë..!?

Por, meqë Kosova ende nuk është lirë, ashtu siç e ëndërruan të parët tanë, brezat e Ymer Prizrenit e Hasan Prishtinës, ashtu siç punuam të bëhej, por të cilën një bandë horrash, hajnash, oligarkësh, kriminelësh, analfabetësh, bashibozukësh, hajdutësh të natës së zezë si katran, ia pinë gjakun dhe ia ngulfatën frymëmarrjen popullit shqiptar deri në asfiksim...sa do doja, që këtë ditëlindje ta festoja në varr së bashku me shpirtin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit, që mos ta shihja popullin tim duke rënkuar më zë kaq të lartë nga plagët e rënda të varfërisë dhe vrasjes së shpresës, se një ditë do t’i shkëpusim zinxhirët e robërisë nga skamje dhe izolimi nga bota e lirë dhe demokratike, e cila nuk dëshiron që në gjirin e saj ta fus farën e krimit dhe virusin e kancerit, të quajtur sindrom ballkanik i vetëvrasjes morale të vlerave njerëzore dhe humane..!?

Oh Zot i madh, shpëtoje Kosovën dhe kombin shqiptar nga vet shqiptarët e këqij..!?   

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...