Konteksti i ngjarjes së hidhur

Opinione

Konteksti i ngjarjes së hidhur

Nga: Remzi Salihu Më: 20 prill 2019 Në ora: 10:45
Remzi Salihu

Personazhi im një kohë të gjatë kishte shtegtuar me imagjinatën e tij nëpër labirintet e fshehtësive kreative. Në atë kërkim të vështirë e të pa njohur, ishte mbushur me përvojë të madhe jetësore. Kishte bërë një udhëtim sublim, për ta ndërgjegjësuar dhe ndryshuar veten. Nëpër këtë rrugëtim të pa dukshëm e sakrifikues i bënte gjithnjë roje jeta dhe vdekja, drita dhe errësira, e bukura dhe e shëmtuara e pranishme. Kurse  kandilat e motiveve që ia qartësonin hapësirën e lëvizjes, ia ndriçonin në kujtesë edhe temat e ndryshme të frymëzimit. Megjithatë ato tema, si të llojllojshme që ishin, i rrinin nënvetëdije si barrikada të pa kapërcyeshme, e që kërkonin vendimmarrje të guximshme në trajtimin e tyre të vlefshme. Ato tema në parabolën e tij imagjinare i shfaqeshin herë të mëdha e herë të vogla. Bile nga ndonjëherë ato ide të grumbulluara e futnin edhe pikësynimin e tij në dyshime marramendëse, mbase edhe shpesh i krijohej në ndjeshmëri një kalamendje e pa vendosur në vete, se cilat nga këto tema do të ishin më të preferuara për stinën dhe kohën që vepron. Të merresh me tema të mëdha e të sjellësh në dritë ngjarje të vogla nuk është modë.

Sepse tanimë nga temat e vogla shumë shkrimtarë tregojnë edhe ngjarje të mëdha. Ndaj duhej të kihej përherë parasysh qëllimi i veprimit. Kjo situatë e ndërlikuar e pa vendosmërisë së qasjes, ia krijonte një rrjetë merimange në imagjinatë, që mendjen e Personazhit tim, tanimë, e kishin lëshuar në lavjerrësin e dyshimeve të kohës, kurse frymëzimin stimulues ia ngulfatshin detaje të shumta jetësore të pa sistemuara të shoqërisë. Brenda vetes shëmbëllente një mister i madh. Ai gjithnjë mendonte  me supozimin e tij se të bëhesh shpikës dhe absorbues i vërtetë  i ngjarjeve të përthithura të shoqërisë dhe veçanërisht të jesh autonom në shkrime, me synim për të dhënë diçka të qëndrueshme dhe afatgjate nga vetja, para së gjithash, duhet talent dhe punë permanente leximi. Kështu mendonte Personazhi im, gjatë tërë kohës që qëndronte i pa përkulur në selinë e vetëdijesimit të vet.

I kalonin net dhe ditë të tëra duke menduar për këtë pështjellim psikologjik të madh kohor. Kjo ndërmarrje kreative, medituese dhe sublime, në bindjen e tij të vendosur i ishte tatuazhuar thellë në vetëdije, si një detyrë serioze dhe si një punë e rëndë dhe shumë delikate, ndaj ai me këtë vendimmarrje serioze e kishte humb edhe lirinë e të të jetuarit lirshëm. Ishte tërhequr thellë në zgavrën e njohjes së vete, duke gjurmuar risitë e shumta dhe gjërat e pa zbuluara të kohës së vet. Se pa e njohur veten, nuk mund të thuash se i njohësh të tjerët.

Ai e përmbushte kohën me meditime të gjata. Thellohej me orë të tëra që të mbetet vetja. Ai thoshte se në punën kërkimore të përditshmërisë të mbulon batanija e asketizmit permanent shkrimor, sidomos të përndjek kauza e asaj mbështjelljes shkencore serioze e një hulumtimi të gjatë, për ta realizuar një ide apo projekt të shëndosh që ke ndërmarrë si detyrë dhe si njeri në jetë. Prandaj nga kjo situatë e krijuar duhet ndryshuar veten, para se të kërkosh të ndryshohen të tjerët. Kurse në këto rrethana të rënda që gjendet shoqëria jonë, angazhimi dhe kërkimi hulumtues i këtillë, është sakrificë e madhe, por ja që tani kërkesa e dijes dhe lirisë së vërtetë të tërheq zvarrë nëpër çdo skutë e torturë të fjalëve dhe ideve të frymëzuara, posaçërisht të atyre ngjarjeve fiktive, imagjinare e magjike. Madje pa dyshim në këtë drejtim të kërkimit serioz, veprimtaria shkencore kërkon edhe vendosmëri të jashtëzakonshme hulumtuese, thoshte ai. Kërkon izolim nga jeta normale e qytetarit të rëndomtë, e jo fjalomani boshe dhe pallavra të neveritshme, të përshtatura nëpër skena e panele të improvizuara, që nuk durohen nga monotonia e qasjes së përçartë.

Sepse sot, i nderuari Vigan, më thoshte ai, konkurrenca dhe kjo stina e acartë e politikës së zhvilluar në njërën anë dhe në anën tjetër kërkesat e mëdha të përgjegjësisë demokratike të mirëfilltë, nuk durojnë krahneza artistike të derdhura e të dala pa lidhje e pa kriter qëllimi, nëpër dritaret e hapura të synimit dhe të mbjelljes së artit personal, sepse arti i pa gjetur, kështu siç përhapet, gjithandej hapësirës sonë, as sesi sot nuk i përmbush dëshirat minimale njerëzore dhe nuk ka as atë nivelin e duhur standard që na e imponon koha. Kurse një angazhim i këtillë, siç behet tani nga kultivuesit e kreativitetit të kësaj periode të brishtë, që me çdo kusht, të shpalohet çdo llakërdinë nëpër arena afirmimi, e portale e mjete tjera sociale të ndryshme, është një humbje kohe. Të vlerësosh gjërat shkel e shko, kurse derdhjeve të mendimeve t’u japish kahe pa kriter efektiv, atëherë ngujimi stihik, në punë të bezdisshme, bëhet plehu artistik i pa kapshëm, jo atraktiv, drejt fushës së pafund kreative,  e që nuk sjell në të ardhmen afërt ndonjë aromë tërheqëse estetike dhe as vlerë ndikuese te të tjerët. Prandaj nga këto rrethana tunduese, të ftohta që jemi, ka ikje nga liria e brishtë, ikje nga kjo formë e këtillë e qasjes. Ikje nga kjo kasaphanë improvizimi të shpejtë e monoton, ku bëhet përmbytje e madhe e kundërmimit të artit të keq. Të atij arti kiç, që ta zë frymën me improvizime e kopi-pase të skajshme. Të merresh me të kaluarën është detyrë dhe punë e historianëve, kurse ne kemi nevojë t’i qasemi të sotmes dhe synimeve tona në drejtim të së ardhmes dhe rrugëtimit të vetes drejt risive të mundshme.

Nuk mendoj se e kaluara e hidhur apo e bukur qoftë duhet harruar dhe larguar nga ne, si diçka e pa vlerë, por ne nuk duhet të mbetemi peng i asaj kohës së shkuar, të hidhur, që na kthen prapa me veprimet tona të grindjes. Bile nuk duhet të merremi as me ata njerëz që i kanë shërbyer të keqes, makabres dhe dhunës. Energjia jonë duhet orientuar dhe shfrytëzuar për gjëra tjera sublime, të pa zbuluara e të pa ndodhura deri më tani në jetë. Njerëzve duhet dhënë shembuj dhe përvoja pozitive se nga duhet ta orientojnë synimin e tyre. Të merresh me defektet e të tjerëve është një humbje kohe dhe kjo vardisje e shëmtuar inateve shkatërruese, nuk të çon askund. Një mendim i këtillë të kthen prapa. Duhet kërkuar shpresa të reja e të mundshme njerëzore. Dhe vetëm kështu shkohet përpara dhe kjo bindje optimiste sjell perspektivë dhe shpresë te një shoqëri e shëndosh. Sikur ta kishim harxhuar energjinë për vepra të mira shoqërore, sot nuk do të na shoqëronte ky standard jetësor i jetësor, i rëndë. Fatin e mirëqenies dhe lumturinë do ta kishim në këtë vend të pasur, ku jetojmë dhe veprojmë. Sa shumë kohë kemi humbur duke demonstruar majtas djathtas, për të ardhur në qeverisje zgjebeshit, që me thonjtë e tyre të grabitjes janë duke e zhvatur atdheun. Sikur secili të jepte nga vetja diçka sublime, shkrepat do të ishin rrafshuar dhe bregdeti do të ishte bërë oazë e ekzistencës sonë të mrekullueshme. Mundin e kemi harxhuar për gjera të kota. Jemi bërë gazi i botës, me qasjen tonë të ngathët.  

Kjo mënyrë kreative e rëndë, nuk do vetëm vetmi të madhe, sipas Personazhin tim të ri, por do punë, guxim, stil kapshëm e të gjithanshëm, që mban tension tërheqës ndaj sfidave që do t’i vinin në të ardhmen e pa njohur. Ndaj atyre ndodhive befasuese, bashkë me shpërndarjen e atyre komenteve të shumta që do të shpërthejnë pas qëndrimit të tij kritik, si reaksion nxitës dhe të pa durueshëm nga kolegët injorues, mendoja, duke medituar thellë në vete. Kjo frymë e hidhur do të ishte tragjedia e një kohe të turbull e të zhvatur dhe pa kriter artistik. Pastaj ai më tha: Shiko Vigan, ky veprimi im që ju duket juve kundërshtues dhe i pa kuptimtë, ndaj së keqes së kultivuar një decenie, nuk është bindje individuale, por një standard vlerësimi i përgjithshëm i shoqërisë sonë. Ne mundohemi t’i trajtojmë fenomenet shoqërore, kurse këto qasjet e mia nuk kanë të bëjnë fare me individë të caktuar. Sot ne i trumbetojmë jo vlerës, gjërave që nuk kanë peshë dhe perspektivë të gjatë shoqërore. Dhe tani nëse bëhemi pak më racional në bindje e shprehje, atëherë, si të gjunjëzohesh para këtyre gjërave ekzistuese? Këtij niveli shoqëror, të krijuar kështu pa sistem të bindshëm? Pikërisht kësaj anomalie i duhet reforma të mirëfillta, por kjo gjendje, tani, e di se do edhe përgatitje muskujsh të çeliktë ideologjik e sistemor, të mbushur me armatim erudit e artistik të rëndë, për të ndryshuar këtë situatë e standard që jemi. Pastaj do edhe qëndresë mendore të fuqishme dhe posaçërisht kërkime të mëdha studiuese të veçanta, nëpër kratere të thella gjuhësore e të pa zbuluara deri më tani. Do një ekip të shëndosh studiuesish, që t’i marrin punët me seriozitetin më të madh. Nuk do neglizhencë dhe eupati derdhjesh mendimesh përmbysëse dhe pa lidhje, që nuk kanë vlerë të qëndrueshme dhe interesim disa vjeçar, bile, më së paku, ato mendime dhe motive të shpërndara, gjithandej hapësirës sonë, të jenë në shërbim atraktiv një etapë të tërë, kurse mesazhi i tyre, i dhënë, pa hamendje të mbeten të qëndrueshme dhe të freskëta një kohë të gjatë.  Kurrsesi nuk duhet të pajtohemi me këtë monotoninë e krijuar nga ne. Ku nuk dihet presja dhe pika e mendimit të dhënë. Jo, se pastaj kështu siç veprohet, në mënyrë stihie, mund të biem të lënduar keq nga detonacionet konvencionale shkrimore, të pa pritshme dhe sidomos të atyre fërkimeve të ideve individualiste dhe të rrethanave të hidhura politike ekzistuese. Të atyre standardeve të pa sistemuara, mu në tabutin nihilist të rezistencës vetjake e afatgjate. Kurse kësaj anomalie të shfrenuar shoqërore, pa dyshim, i duhen forca shkencore të sofistikuara të reja, që këtij vulgarizimi jetësor të varfër, duhet t’i shpallet luftë permanente kulturore, me të diturit dhe të shkathët e verifikuar të botës së ndritur dhe civilizuar, për të frenuar të shëmtuarën dhe fenomenet e rënda, që janë hedhurina ndikuese dhe shkatërruese për njeriun, shoqërinë dhe për tërë botën e gjallë. Kjo punë do vlera të bindshme dhe arte të mirëfillta, i nderuari Vigan. Pastaj dalja nga ky shund i skajshëm i improvizimit vulgar dhe kultivimi i ndjenjës lirike sentimentale, që zukat ditë e natë kuluareve militante, me patetizëm vulgar dhe premtime boshe politike, ndërmarrjen e veprimit e bën edhe më të rëndë. Kurse perspektiva e qëllimit të shëndosh humbet në Pension. Aty duhet rregulla, pastaj, pa praninë e qasjeve kritike, e shëmtuara do të zihet keq, kurse në kazanin e kohës së përdalë do të ketë vetëm vlime të përkuljeve të mëdha kulturore, ku liria e artit pastaj do të burgoset tmerrësisht nëpër kthetrat e manipulimit sentimental të skajshëm e individual. Pa dyshim se kështu edhe standardi jetësor e shoqëror do të rrënohet, njerëzit do të gënjejnë veten, dhe duke gënjyer veten veprojnë e jetojnë në monotoninë e të kapurit peng pranë kallaballëkut strukturor imponues, të mjerimit të madh shoqëror e gënjeshtar. Dhe kështu jeta pa pretekst nënshtrimi bëhen e detyrueshme dhe e nënshtruar për të gënjyer edhe të tjerët. Prandaj sot këta të përfolurit aktual, në fund e bëjnë grupin fisnor të leshinarve gënjeshtar, të stimuluar dhe avancuar keq në sistem, posaçërisht, duke bërë më vonë edhe strehim interesi madhor nepotist, mu në leverdinë dhe në shprehinë e këtij klani të ngathët kulturor në Pension. Kryesisht për të jetuar rrejshëm dhe me shtirje, nëpër eterin politik e të ngarkuar me trishtim e anomali, me vite të tëra.

Të jetohet pa kuptim e në absurditet, sidomos nëpër këtë kornizë të kufizuar kulture, ku nga jo vlerat e përhapura, të merren ato turbullira, të cilat ato, tanimë, derdhen, si llavë djegëse, kryesisht nëpër arte të sajdisura me mjegullnajë kulture të rënduar keq mbi Tokë, e pastaj nga kjo ‘’sallamadi’’, loje e përdorur me magji manipulimi, do të na gjykojnë rëndë pasardhësit. Tërë kjo bindje e formuar injorance, latohej këndshëm nga klani në Pension. Një klimë e frymë e këtillë, pa dyshim, se do ta largonin rininë e shëndosh nga vendi. Personazhi im, këtë shpërfillje intelektuale e sheh si prapështi shoqërore, të kurdisur nga qarqe të ndryshme dhe me qëllime të caktuara tendence, që nuk ia duan të mirën këtij populli. Prandaj këtë qëndrim Personazhi im, të pranishmëve në mbledhje ua tha troç në fytyrë:

Ne nuk durojmë dot këtë gjendje kulture të krijuar nga ju, e cila gjendje e shëmtuar, si shihet kështu ashiqare, me përfshirjen e saj monotone, sipas kësaj forme shpërndarëse të keqe e të kufizuar arti të dobët, derdhet mbrapsht në jetë, por që e keni pëlqyer ju, si të tillë, si vlerë orientuese të qëndrueshme, apo si punëtori kreative të njëanshme. Për njerëzit ditur kjo klimë kulture nuk ka vlerë. Unë personalisht distancohem dhe largohem nga ky s’zheu juaj i ngushtuar, veçanërisht nga ky kanonizim ideor i perceptimit tuaj të vrazhdë, që del nga kjo hapësirë e rrëfimit tuaj sulmues dhe atakues i ngjarjes, e që derdhet e turbullt dhe pa kriter gjithandej shoqërisë sonë, sidomos me këtë vrazhdësi helmuese nëpër këtë qytetit të vrullshëm dhe me ndodhi të shumta e të papritura, por mjerisht i shfrytëzuar keq dhe skajshmërisht, nga ju përfitues dhe improvizues të pa skrupullit të të mirave të përgjithshme shoqërore, tha më në fund, Personazhi im, gjatë largimit të tij nga konteksti i ngjarjes së shndërruar e të hidhur Pension...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat