Mujëshia, cinizmi, deri në rrugaçëri e KQZ-së

Opinione

Mujëshia, cinizmi, deri në rrugaçëri e KQZ-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 20 shtator 2019 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Një letër të dërguar KQZ, me konsultim edhe me përfaqësues të mërgimtarëve të disa shteteve të botës,  ku punojnë e jetojnë shumësia e shqiptarëve të Kosovës, kemi kërkuar shtyrjen e afatit të regjistrimit për votimet e 6 tetorit 2019, deri me datën 20 shtator. Kemi marrë vetëm konfirmimin për pranim të letrës dhe premtimin se do të marrim përgjigje. Por, kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Dhe, kjo përbën një shkelje të rëndë, sa edhe mospërfillëse e burokratike, deri edhe tallëse, mujëshore e cinike.

Afati i shkurtër për aplikim, regjistrim, pranë KQZ, mos pasja qasje në internet e shumësisë të mërgimtarëve, burokracia e shërbimit postar, pamundëson marrjen në konsideratë, për ushtrimin e së drejtës për votim të mërgimtarëve.

Zyrtarët e Kosovës, në vijimësi, denoncojnë shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovën Lindore, pra, Preshevë, Bujanovc e Medvegje, nga administrata shtetërore e Serbisë. Kjo është e vërtetë. Por, e heshtin të vërtetën e madhe se administrata shtetërore e Kosovës, në rastin konkret KQZ, e heshtin shkeljen masive të të drejtave të njeriut, në rastin konkret, mohimin e së drejtës të votimit. Dhe, kjo është makro-shkelje.

Mbulojmë me fakte mendimin tonë:

Në Kosovë votojnë 750 mijë deri në 850 mijë votuesë. Dihet mirëfilli se më shumë se gjysma popullsisë të Kosovës, me të drejtë ligjore të votimit, jetojnë jashtë Kosovës, pra, në Mërgatë. KQZ mburret se janë regjistruar 13 mijë votuesë me postë nga Mërgata! Tani, ky numër edhe mund të jetë trefishuar. Megjithatë, sipas përllogaritjeve, rezulton t`u jetë mohuar e drejta e votimit, të paktën, 700 mijë votuesëve të ligjshëm mërgimtarë! Padyshim, ky fakt i trishtëm, deri në traumë, përbën një krim të madh.

Thonë se zullumi këputët prej së trashi. Dhe, kjo e vërtetë është provuar me katandisjen e Millosheviçit dhe të minoritetit serbë, të cilët humbën rahatinë, shtëpitë dhe trojet e tyre. Një zullum kriminal e rrugaçëror vazhdon ta bëjë edhe skizofreni narcizoid Edvin Rama, i cili e rrënoi pluralizmin partiak dhe, rrjedhimisht, demokracinë në Shqipëri, të fituar me sakrifica e gjak 30 vjet më parë.

Ngjashëm po ndodhë edhe në Kosovë. Pushtetarët kriminelë të gjitha veprimet satanike i kanë të kalkuluara për llogaritë e tyre, për ta mbajtur pushtetin, pavarësisht shkeljeve të rënda, siç është edhe mohimi i së drejtës për votim. Realizimi i kësaj të drejte elementare, është lehtësisht i realizueshëm. Por, sabotues është PAN-krimi, të cilit i mungon interesi për organizimin e zgjedhjeve, meqë Mërgata ka qenë dhe mbetet bastion i LDK-së. Megjithatë, së  fundi, "torta ndahet" me Vetëvendosjen.

Mujëshisë dhe cinizmit të pushtetarëve rrugaçë PAN-istë, të ngritur në kupolë të shtetit dhe të pushtetit me shantazhe e dhunë vrastare, duhet dhënë fund  me votën e popullit. Për ta arritur këtë, duhet ndryshuar ligji aktual zgjedhor, është i domosdoshëm, madje, duke filluar menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të tetorit.

1) Kosova me një zonë zgjedhore, është një krim i menduar nga "komandantët", të cilët me pasuritë e grabitura të brezave shqiptarë, pra, të korrupsionit, alias hajnisë zyrtare dhe të haraçit të përgjakshëm, arrijnë kuotën e deputetit. Prandaj, Parlamenti i Legjislaturës së fundit, kishte 27 deputetë kriminelë me kartelë;

2) Përballja e deputetëve partiakë, brenda një apo dy-tre komunave, është shumë më real dhe më racional. Forma klasike e përzgjedhjes së deputetëve, ka qenë dhe mbetet parësore dhe garanton cilësi;

3) Një person, pesë përzgjedhje, metodë fort e diskutueshme. Ndoshta, një votues - një deputet, është më logjike.

Sidoqoftë, ndryshimi i kodit zgjedhor, është nevojë e ngutshme. Çdo hezitim, medyshje, vonesë për ndryshim, do të ishte një përdhosje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat