E katandisur në pak metra katrorë, AKR premton 160 mijë vende të reja pune - Bota Sot
E katandisur në pak metra katrorë, AKR premton 160 mijë vende të reja pune

Opinione

E katandisur në pak metra katrorë, AKR premton 160 mijë vende të reja pune

Adem Breznica Nga Adem Breznica Më 22 shtator 2019 Në ora: 12:59
Pamja e qendrës së AKR-së në Kryeqytet

Qysh në themelimin e saj më 2006, Aleanca Kosova e Re (AKR), hyri në skenën politike të Kosovës me një vrull të madh. Në zgjedhjet qendrore dhe ato lokale të vitit 2007, kjo parti arriti të grumbulloj 12 % të votave, duke u renditur e treta me radhë në nivel vendi, menjëherë pas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me 23 %, e cila për herë të parë po e pasonte Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me 34 %, parti kjo mandatare e Qeverisë së re që e shpalli pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Aso kohe konsiderohej se AKR-ja dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), kishin shkëputur gjysmën e elektoratit të LDK-së, pas krizës që pati kjo parti nga vdekja e liderit të saj Ibrahim Rugova dhe çarjes në Kuvendin e famshëm të karrigeve, që pasoi zgjedhjen e liderit të ri.

Duke qenë se themeluesi i AKR-së ishte biznesmeni milioner Behgjet Pacolli, subjekti i ri politik gëzoi një përkrahje të konsiderueshme qytetare, sidomos në komunën e Prishtinës, prej nga vinte edhe lideri i saj. Pacolli kishte premtuar qindra-mijë vende të punës, ashtu siç premton edhe sot, në rast se vjen në pushtet.

Mirëpo, zhvillimet e mëvonshme treguan se kjo parti ishte e paqëndrueshme përballë premtimeve megalomane që kishte dhënë lideri i saj milioner. Ardhja e AKR-së në bashkëqeverisjen qendrore më 2010, si dhe marrja në qeverisje e dy komunave (Gjakovë dhe Mitrovicë) më 2013, nxorën në shesh dobësitë e saj menaxheriale, gjë e cila do t’i kushtojë kësaj partie me rënie drastike në zgjedhjet qendrore dhe lokale të 2014-ës dhe 2017-ës.

Reflektimi i kësaj dobësie është vënë re edhe në pamjen e qendrës së AKR-së në Kryeqytet. Dikur, selia e saj “te qafa”, ishte vendi më luksoz dhe më i frekuentuar nga të gjitha selitë e partive të tjera.

Tash, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit - për ç’gjë AKR u detyrua të hyj në koalicion parazgjedhor me dy parti të tjera (NISMA dhe Partia e Drejtësisë) - selia e kësaj partie në Prishtinë është mbërthyer në një kthinë në rrugën e “UÇK-së”, tek hyrja e ish “Hotel Diplomatic”. Për fat të keq, edhe ky ish-hotel i Behgjet Pacollit, nuk ekziston më.

Siç mund të shihet nga një fotografi e ditëve të fundit, në kthinën hyrëse të selisë së AKR-së në Prishtinë, me dimension prej një metri katrorë, ka dy porta të mbërthyera në këndin 90°. Njëra derë të çon në deponi mbetjesh teknike dhe tjetra tek ca shkallë bodrumi. Ndërkaq edhe në këto kushte, AKR pretendon se koalicioni ku merr pjesë ajo, do t’i fitoj zgjedhjet dhe do t’i hapë mbi 160 mijë vende të reja pune!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...