Nën udhëheqjen e kryeministrit të ri, Albin Kurti, dialogu me Serbinë do të përfundon me sukses

Opinione

Nën udhëheqjen e kryeministrit të ri, Albin Kurti, dialogu me Serbinë do të përfundon me sukses

Nga: Rexhep Elezaj Më: 10 tetor 2019 Në ora: 13:54
Albin Kurti

Nuk ka asnjë dyshim, se me fitoren e LVV-je në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 si dhe me ardhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, jo vetëm se do fillon ndryshimi rrënjësor në politikën e jashtme të Kosovës karshi Beogradit zyrtar, por faktikisht do merr fund njëherë e mirë, analfabetizmi politik, sharlatanizmi, lojërat me territorin e Kosovës, korrigjimit të kufijve, këmbimit të territoreve, koncesioneve ekonomike si dhe degradimi i mëtejmë i kuptimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës para botës.

Sepse, siç e dimë të gjithë, vetë fillimi i procesit të dialogut me Serbinë (2011) kishte nisur mbrapsht, pa kurrfarë kriteresh dhe kushtesh paraprake, pa platformë për bisedime dhe përgatitje profesionale, pa ekip unik negociator dhe pa grupe të ekspertëve. Pastaj, pala serbe nuk ishte kushtëzuar fare me asnjë kërkesë, së paku fillimi i dialogut me Serbinë do duhej kushtëzuar me kthimin e domosdoshëm në Kosovë të 1700 shqiptarëve të masakruar dhe të varrosur në Batajnicë afër Beogradit, të hudhër në lumin Danub në Serbi dhe gjetiu, e mos të flasim për dëmet në miliarda të luftës, për sukcesionin, pensionet, borxhet e kursimeve bankare si dhe shumë çështje tjera të hapura të cilat kërkojnë zgjidhje midis dy shteteve tona fqinje!

 

Prandaj, me plotë të drejt z. Albin Kurti vazhdimisht qe disa vite në fjalimet e tij të zëshme dhe plotë argumente në Kuvendin e Kosovës, në intervista dhe takime me zyrtarë të lartë të BE-së, ka shtruar dhe kërkuar që regjimit serb në Beograd duhet, para se gjithash, t’i dërgohet zyrtarisht lista me kërkesat e Kosovës për dëmet e luftës, kompensimin e borxheve që ajo duhet t’ia paguajë Kosovës. Po ashtu, ushtrimin e aktakuzës për gjenocid në Kosovë pranë gjykatës së Hagës, pagesën e reparacioneve të luftës për shkatërrimet masive të mbi 650 fshatrave dhe qyteteve të Kosovës, etj., dhe tek pastaj të hyhet në bisedime për çështjet e lartë përmendura dhe normalizimin e marrëdhënieve midis viktimës (shqiptarëve) dhe xhalatit (Serbisë), qoftë madje duke biseduar edhe 10 vite, derisa të arrihet marrëveshja finale e cila në fund do përmbyllej me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar..!

 

Asnjërën nga këto kërkesa pala kosovare nuk i ka shtruar ndaj Serbisë gjatë bisedimeve teknike e më vonë politike gjatë 7 viteve sa kanë zgjatur ato, por të cilat, mjerisht në mënyrë anti-kushtetuese i mori në dorë dhe i udhëhoqi presidenti Hashim Thaçi, i cili siç dihet, dialogun me Serbinë e privatizoi si dhe e shndërroi në pazar për ta fituar bashkë me A. Vuçiçin “çmimin Nobel” për paqe, duke ia dhënë Serbisë Veriun e Kosovës në këmbim të kinse me dy tri fshatra afër Bujanocit dhe Medvegjës..!? 

Prandaj, duke i ditur gjitha këto anomali dhe dëme që ia ka sjellë Kosovës njeriu u parë i shtetit, HTH dhe ekipi i tij negociues, është fat i madh për Kosovën dhe popullin shqiptar fitorja e LVV-je dhe e Albin Kurtit për kryeministër të ri të Kosovës, i cili mbrëmë në mënyrë të prerë në intervistën tek Blendi Fevziu (mik i Baton Haxhiut, v.j.) në “Top Chanel”, tha se dialogun me Serbinë do ta udhëheq ai personalisht dhe atë mbi bazën e një platforme gjithëpërfshirëse e përgatitur mirë nga ekspertë të fushave të ndryshme. Kjo, pa asnjë dilemë, është garanca më e sigurt si dhe qasja e vetme dhe e drejt e cila do zbatohet dhe prezantohet nga pala kosovare në dialogun me Serbinë në krye me kryeministrin Albin Kurtin, e që do domosdo do përmbyllet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar..!             

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat