Na ishte dikur UP...

Opinione

Na ishte dikur UP...

Esad Dujaka Nga Esad Dujaka Më 8 nëntor 2019 Në ora: 00:47
Studentët e Fakultetit të Arteve protestojnë para Ministrisë së Arsimit

Kur i pash dje në Prishtinë atë grup studentësh që shkonin rrugës “Agim Ramadani” e të cilët kishin marr drejtimin nga Ministria e Arsimit, nuk kisha idenë se çfar po ndodh. Mendova në mos po i përkujtojnë demonstratat e njohura të nëntorit 1968 që ishin nisur pikërisht nga oborri i Filozofikut, por jo ende është herët, ka kohë deri në 28 Nëntor, për Ditën e Flamurit. Po çfarë gazetari isha unë me kaq vite përvojë ngarkuar mbi shpinë që nuk afrohem dhe nga afër t’i pyes ata djemë e vashëza se ku ia kishin mësyrë!

Jemi studentë të Fakultetit të Arteve dhe po duam të protestojmë para Ministrisë së Arsimit sepse nuk u tregua fer ndaj nesh! Po kërkojmë anulimin e vendimit për ndarjen e bursave, pasi ky fakultet ka mbetur jashtë vendimit për të marrë bursa nga ministria.

Studentët e këtij fakulteti vazhduan protestën e tyre përmes këngëve dhe një performance nga studentët e aktrimit duke kërkuar kështu në një formë tjetër, pak më ndryshe, shumë të civilizuese kërkonin që edhe për ta të ndahen bursa...

Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Arteve, që udhëhiqet nga Organizata “Reforma” kanë kërkuar që ministria të shfuqizojnë vendimin për ndarjen e bursave.

Pra, mënyra e protestës së tyre, kishte simbolikën e veçantë! Studentë me gojë të mbyllur me letërngjitës, me një studente me shami të kuqe mbi fytyrë...Ata vazhduan rrugës nga ishin nisur ,unë në drejtim të UBT ku kisha një takim pune, ndërkaq që më vonë u kuptua se me studentët nuk kishte pranuar të takohej ministri përkatës, i cili edhe ky është në ikje, apo si po i thonë pak më butë – në shkuarje. U tha se nga dritaret e Ministrisë fatkeqësisht dikush ka hedhur në drejtim të studentëve të tubuar të cilët gjatë tërë kohës u tha se ishin të qetë.

“I vetmi kompromis është që ky vendim të anulohet, përndryshe ministri deri në shkarkim do të ballafaqohet me studentët. Sot ishte protestë më shumë paralajmëruese që në ditët në vijim gjithmonë mund të ketë masa deri më radikale. Ky vendim është i papranueshëm, mos të na maltretojë ministri, është e pakontestueshme...Konkretisht është vendimi i marrë për konkursin e bursave nga Ministria e Arsimit, e cila ka përgjysmuar dhe ka bërë ndasi ndaj studentëve bursistë të cilët e arrijnë notën mesatare ashtu siç e përcakton Ministria e Arsimit. Për ne është shumë e papranueshme dhe ne këtë gjë po e kundërshtojmë, nuk jemi kundër kritereve, të cilat i vendos Ministria e Arsimit, thjesht jemi kundër mos me pas gjithëpërfshirës”, u shpreh përfaqësuesi i studentëve të Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

Në mbështetje të studentëve të Fakultetit të Arteve kishin dalë edhe profesorët e këtij fakulteti. Profesori Jeton Ahmetaj tha se kanë dalë për të mbështetur një kauzë të drejtë të studentëve.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për ndarjen e bursave për Fakultetin e Bujqësi- Veterinari, FShMN, Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, Fakultetin Teknik dhe Shkenca të Aplikuara.

# # #

Në orët e mbrëmjes nuk e di se si më dolën përpara emrat e rektorëve të dalluar e shumë të nderuar të viteve historike të Universitetit të Prishtinës për të cilin lidhen edhe shumë hapa historik që ka bërë Kosova drejt mvetësimit të saj deri te ndryshimet që erdhën më vonë – me politikë dhe me pushkë. Po i them disa nga ata emra të nderuar: Prof. dr. Dervish Rozhaja (1970-1973), Prof. dr. Idriz Ajeti (1973-1975), Prof. dr. Feriz Krasniqi (1975-1979), Prof. dr. Gazmend Zajmi (1979-1981), Prof. dr. Minir Dushi (1981-1983), Prof. dr. Hajredin Hoxha (1983-1985)...Nuk e di se pse por më sillen e mbështillen situata të paqarta se si u bë që Universiteti i Prishtinës pas luftës nuk ia doli në plotëni të mbrohet nga ndikimi i jashtëm i politikës kurse në ball të këtij institucioni erdhën zakonisht kuadro që merrnin aminin e politikës dhe të cilët, sipas vlerësimit të opinionit, nuk u dëshmuan as menaxherë të zotët e as bashkëpunues të mirë me prijësit e fakulteteve e as me udhëheqësitë studentore, sepse gjatë këtyre viteve të pasluftës shumë gjëra në këtë institucion të lartë arsimor morën tatëpjetën kurse për nga cilësia UP në ranglistat ndërkombëtare nuk u gjet në vende të lakmueshme, përkundrazi...

Kjo mjafton që para Qeverisë së re të shtrohet si detyrë urgjente për një rimëkëmbje të gjithanshme të këtij institucioni të lartë arsimor të këtij vendi që nuk mund të thuhet se nuk pati përvojë në ngritjen arsimore e universitare krahasuar madje edhe me vendet e rajonit në Ballkanin Perëndimor!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat