Kufiri, Shengeni dhe Migrantët - Bota Sot
Kufiri, Shengeni dhe Migrantët

Opinione

Kufiri, Shengeni dhe Migrantët

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 10:12
Nexhmedin Saqipi

Java e tretë e dhjetorit, është e mbushur me ngjarje, të cilat Luginën e Preshevës e bëjnë të mos ndihet e gëzuar, gjithaq, për këtë fundvit festiv të Vitit të Ri.

Së pari është lajmi i shumëpritur për hapjen e kufirit Miratoc - Llojan (Serbi-Maqedoni, kufi i cili kalon nëpër tokat shqiptare e që e ka marrë dritën jeshile gjatë Samitit të Ohrit, kur presidenti Vuçiq, i premtoi zëvendës kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, se do ta nënshkruajë Memorandumin për hapjen e kësaj pike kufitare.

Ky lajm jo i zakonshëm ka filluar të marrë ngjyra politike se kush është meritori nga Lugina e Preshevës për këtë të arritur për të fituar poena politikë, reputacion e kredibilitet. Kjo pikë kufitare e cila në të kaluarën shërbente për kalime ilegale për tugjarllëk, tani po merr tjetër karakter, përse askush nuk e thotë të vërtetën.

Shengeni

Në skenën politike preshevare hapja e kufirit Miratoc - Llojan, lidhet me Mini Shengen Ballkanik, i cili do të mbahet për të tretën herë, të caktuar paraprakisht më 20 dhjetor nga Ohri në Durrës, të cilën e tronditi tërmeti shumëshkallësh.

Ka, gjithashtu, zëra politikë, të cilët i shfrytëzojnë këto dy ngjarje për përfitime politike në këtë Luginë të Preshevës, të cilën e pret një dimër i egër dhe i gjatë. Askush nuk e zë në gojë se Preshevën krahas këtyre dy ngjarjeve e pret një valë e refugjatëve nga Serbia, të cilët do të stacionohen në këtë komunë me probleme shumë ekonomike, politike dhe infrastrukturore.

Numri i këtyre migrantëve, i cili kalon shifrën e 10 mijve, në këtë stinë të bardhë të vitit, jo vetëm që do ta ngulfatë Preshëven e njohur për 95 për qind shqiptarë, por do ta sjell para një katastrofe humanitare.

Refugjatët

Si pasojë e solidarizimit të patriotëve të Marshit të solidaritetit me viktimat e tërmetit në Shqipëri, si dhe për hapjen e kufirit Miratoc - Llojan, Serbia këtë Preshevë të taksirateve do ta shpërblej me 10 mijë refugjatë, kuptohet duke e qerasur me viruse të shumta politiko-shëndetësore.

S'ka dyshim se të gjithëve na dhimbset fati i refugjatëve, nën lëkurë e të cilëve kemi qenë jo fort larg vitesh, por Serbia e Vuçiqit, merr me miliona euro ndihma nga Bashkimi Evropian në emër të kësaj tragjedie njerëzore dhe ata i vendos në Preshevë e jo në Kralevë e Smederevë.

Një arsyetim i ardhjes së refugjatëve në Preshevë lidhet edhe përkatësinë fetare, ngase ata janë të besimit islam e mund të gjejnë gjuhë të përbashkët me preshevarët, që lidhet edhe me mikpritjen e para disa viteve, ku me ç'rast u hapën shumë tenda për vendosjen e tyre. Kjo ndjeshmëri besimi, pse mos të lidhet me Sanxhakun, por me Luginën? Jo pse nuk e di Serbia, por qëllimi është ta destabilizoj këtë rajon me plane të reja shumë më të rrezikshëm se ato të parat.

Karantina

E politikanët tanë partiakë e institucionalë mendojnë dhe veprojnë ndryshe karshi këtyre lëvizjeve, të cilat vijnë avash-avash e që do t'i mbajmë gjatë në mend, për rreziqet që do t'na presin jo vetëm gjatë këtij dimri të gjatë, por edhe në verën e ardhshme të thatë.

Imagjinoni Luginën e Preshevës, me policë, xhandarë e ushtarë të shumtë, plus tani edhe me prani të shtuar të refugjatëve, duke e shndërruar këtë rajon në një karantinë të terrorit psikologjik, apo jo?!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat