Komisioni i venedikut dhe përdorimi i gjuhës shqipe

Opinione

Komisioni i venedikut dhe përdorimi i gjuhës shqipe

Nga: Skender Musliu Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 17:11
Skender Musliu

Vitin e kaluar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe përkundër obstrukcioneve nga presidenti i kaluar, me shumicë të kualifikuar të votave, u miratua Ligji për përdorimin e gjuhëve. Me këtë Ligj u avancua përdorimi i gjuhës shqipe në disa nivele të institucioneve, por kursesi nuk bëhej fjalë për zyrtarizim e saj, edhe pse Tirana dhe Prishtina zyrtare nga pakujdesia shpejtuan me deklaratet e tyre duke u deklaruar se me këtë Ligj u zyrtarizua gjuha shqipe.

Mirëpo opozita maqedone, e cila ishte kundër këtij Ligji,  menjëherë filloi t’a kontestojë, respektivisht ajo obligoi qeverinë që ligjin në fjalë t’ia dërgojnë Komisionit të Venedikut për mendim.

Me këtë rast duhet theksuar se Projektligjet mund t’i dërgohen Komisionit të Venedikut për vlerësim, mirëpo vetëm në fazën  para se ato të miratohen nga Parlamenti, me qëllim që Projektligjet eventualisht të harmonizohen me rekomandimet e këtij Komisioni.

Vlenë të përmendet se miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve ishte produkt i një marrëveshje politike mes partive politike shqiptare dhe partisë maqedone në pushtet dhe se një Ligj që miratohet nga Parlamenti me shumicë të votave, ai duhet jo vetëmtë të respektohet por edhe të zbatohet.

Mirëpo derisa Ligji është miratuar nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk është praktikë që ai të dërgohet për mendim në Komisionin e Venedikut, por nëse opozita maqedone ka patur vërejtje në Ligjin e miratuar, atëherë ajo është dashur t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, si institucion i vetëm kompetent, për vlerësimin e kushtetushmërisë, respektivisht të konstatojë se Ligji në fjalë a është në kundërshtim me Kushtetutën apo jo. Parashtrohet pyetja se pse nuk ka ndodhur kështu? Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë lojë politike! Sido që të jet përgjegjësia bie mbi partitë politike shqiptare të cilët pranuan që  Ligjit t’i dërgohet  Komisionit të Venedikut për vlerësim, sepse Ligji tani më ishte miratuar nga Parlamenti.

Komisioni i Venedikut ditë më parë publikoi raportin për Ligjin mbi përdorimin e gjuhëve dhe në këtë kontekst ka dhënë disa rekomandime. Tani interpretimi i këtyre rekomandimeve është bërë si mollë sherri mes shqiptarëve dhe maqedonëve.

Derisa partitë politike shqiptare rekomandimet i shikojnë si një mundësi për krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për implemetimin sa më të mirë të ligjit në fjalë, partitë politike maqedone, gati pa përjashtim, konsiderojnë se tani është momenti i volitshëm për përmirsimin e Ligjit duke e kaluar edhe një herë në Parlament për t’a  kufizuar përdorimin dhe aplikimin e gjuhës shqipe.

Reagimet më të ashpra, lidhur ma rekomandimet e Komisionit të Venedikut, vijnë nga opozita maqedone, partia VMRO-DPMNE e ish kryeministrit Nikola Gruevskit që tani gjindet në Hungari si azilant. Së pari, sepse kjo parti është nacionaliste dhe radikale ndaj të drejtave të shqiptarëve, dhe së dyti, në prill të vitit të ardhshëm në këtë Republikë mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe ata konsiderojnë se kjo do të jetë një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore.

Duhet theksuar se rregullimi i gjuhës shqipe gjenezën e ka nga Marrëveshja e Ohrit që u arrit si rezultat i ndalimit të konfliktit të vitit 2001, ku ishte paraparë, përveç tjerash, që gjuha shqipe të zyrtarizohet, mirëpo për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme dhe mosinsistimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, kjo çështje jo vetëm që nuk u realizua, por si temë u keqpërdor politikisht gjatë fushatave parazgjedhore që nga viti 2002 e këndej.

Maqedonët dashtën apo jo, ata janë të parapërcaktuar të bashkëjetojnë me shqiptarët dhe çështja e ghuhës shqipe nuk duhet ti shqetësojë, ajo çka është dashur të jet problematike për ata, është ndryshimi i emrit, që ishte si rrjedhojë e mosmarrëveshjes me Greqinë, ose mohimi i gjuhës, identitetit dhe kulturës maqedone nga Akademia e Shkencave të Bullgarisë, korrupcioni dhe krimi i organizuar dhe shumë dukuri tjera negative. Maqedonët duhet t’a kujtojnë kohën e Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene kur gjuha maqedone nuk është folur, ka qenë e ndalur, por vetëm pas Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavinë e Titos ata krijuan Republikën dhe gjuhën maqedone dhe një popull që e ka vuajtur këtë çështje, nuk duhet t’ua mohojnë të tjerëve.

Maqedonët duhet t’a pranojnë dhe kuptojnë faktin se shqiptarët aty janë në vazhdimësi në trojet e tyre etnike shekullore, me shtrirje homogjene gjeografike, gjuhë, traditë dhe  histori në vete, prandaj shqiptarët nuk mund të trajtohen si minoritet por si popull autokton.

Si është e mundur që serbët e Kosovës me një popullatë prej  më pak se  4%, gëzojnë të drejta të barabarta me shqiptarët dhe se gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë, si dhe faktit se serbët e Kosovës janë kolonë, sepse Kosova gjatë historisë është kolonizuar disa herë me serbë, kurse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që përbëjnë mbi një të tretën e popullatës, të konsiderohen si pakicë edhe pse gjuha shqipe aty është folur me shekuj dhe se kur sllavët kanë ardhur, shqiptarët i kanë gjetur aty.

Derisa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut konsiderohen si pakicë, si përqindje dhe numra, kjo qështje nuk do të zgjidhet, prandaj partive politike shqiptare i ngelë si imperativ që çështja shqiptare të zgjidhet përmes ndryshimit të Kushtetutës duke rregulluar statusin e barabartë politik të shqiptarëve me maqedonët që do të nënkuptonte edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe, dhe jo vetëm.

Prandaj për ti dhënë fund manipulimeve politike, konflekteve ndëretnike dhe abuzimeve të vazhdueshme të maqedonëve me të drejtat e shqiptarëve, kjo do të mund të ndodhte tani, me unifikimin e faktorit politik shqiptar në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Prill të vitit 2020, duke arritur një marrëveshje mbi koalicionimin parazgjedhor dhe në momentin e formimit të qeverisë së ardhshme hyrja e shqiptarëve në qeveri të kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese, sepse mirëfilli dihet se asnjë qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të formohet pa shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat