Largimet nga vendi dhe kambanat e alarmit

Opinione

Largimet nga vendi dhe kambanat e alarmit

Nga: Lirim Begzati Më: 16 janar 2020 Në ora: 22:06
Lirim Begzati

“Fatkeqësia më e madhe, shkatërrimi më i madh, vjen atëherë kur, gjërat serioze, nuk merren seriozisht”, na rikujton diçka një thënie!

Programet e viteve të fundit, posaçërisht ekonomike, të disa shteteve evropiane, e panë të rrugës, me plotë arsye, që t’iu hapin dyert disa vendeve ballkanike, për lehtësimin e mundësive të pranimit në tregun e tyre të punës. E panevojshme të theksohen edhe arsyet e largimeve, aq e kuptueshme kjo, gati se nga gjithsecili nga ne.

Sa ia vlen sot me e ritheksuar faktin se shprehja e interesimit për “absorbimin” e një fuqie punëtore, posaçërisht të kualifikuar, është tejet evidente. Nuk ka nevojë këtu që t’i gjurmojmë të gjitha arsyet që e sqarojnë këtë fenomen, pasi që interesat e të huajve u kuptuan mirë. Kurse, jo aq lehtë me i kuptuar interesat tona të “gjumit të thellë”. Jo vetëm kaq, me siguri!

Dëgjuam ditëve të fundit nga analistët e huaj se, numri i banorëve në disa trojeve tona, do të zvogëlohet në mënyrë drastike këtyre dekadave të ardhshme. Dikush dukej i tronditur, duke shprehur gjoja se njëfarë serioziteti, duke lënë njëfarë përshtypje se “vetëdija është krijuar” dhe duhet marrë masa. Kështu shkruanin disa nga rrjetet tona mediatike.

Vallë, çfarë masash? Një pyetje kjo e vështirë, nëse synohet pritja e një përgjigje të mbështetur në argumente koherente. Apo shkurt, vallë a po na qenka politika e ditës, ajo e cila n’a tregon një “sinjal përkushtimi”?

Po pra, na paska qenë e nevojshme, që të rikujtohen ca fakte evidente, të na përcjellën ca shifra nga të “huajt”, nga dikush tjetër, për me n’a bindur se jemi vërtetë përballë një çështje për tu brengosur. Edhe pse çdo gjë duket e kuptueshëm që kahmoti!

U dëgjua edhe ajo se njëfarë zgjimi filloi të ndodhë, që nga momenti kur dikujt po i duket tani se nuk ka numër të mjaftueshëm votuesish, nuk ka nxënës të mjaftueshëm për me i mbushur bankat shkollore, e shumë të tjera.

« Rentabiliteti i zbehtë » politik ndaj problematikës së largimeve nga vendi, ndoshta i ka shtyrë disa që, së paku deri tani, të kënaqen me rolin e kureshtarit, në cilësinë e një « spektatori » ndaj këtyre çështjeve. Kjo mund të thuhet së pakti!

Ajo çka është më e keqja; në ditën e sotme, nuk janë vetëm faktorët ekskluzivisht ekonomikë ato të cilat ndikojnë në largimet nga vendi. Hasim edhe shembuj të personave të cilët, me gjithë faktin se ia dalin të sigurojnë një standard të pranueshëm jetësor në vendet tona, ia mësynë prapëseprapë rrugës për me gjetur një jetë më të mirë jashtë. Një indikator ky i cili tregon se revolta i ka zgjeruar horizontet e saj. Një gjendje vërtetë alarmante.

Përballë kësaj që ndodhë, dëgjojmë sqarime, përmes së cilave dikush mundohet t’i arsyetojë ca gjëra, duke u fokusuar në analizat e llojit “jetojmë në kohërat e globalizimit dhe në trendët aktuale është bërë normale që të ndodhin gjithë këto lëvizje të popullatave”. Është kjo vetëm një filozofi “boshe”, tepër idealiste, një stil komunikimi vështirë i “përtypur” nga regjistri i analizës pragmatike.

Çka është duke ndodhur te na? Përveç largimeve nga vendi, nuk vërejmë aq shumë dinamika zhvillimi sipas vlerave të globalizimit, përpos sigurimit të një korridori në hapësirat tona, për me iu mundësuar refugjatëve, për shembull të Bangladeshit dhe të Sirisë, që të vazhdojnë rrugën e tyre për me arritur në destinacionin e tyre final, për me arritur në shtetet ku globalizimi lulëzon!

Liberalizimi i vizave hapi mundësi për shtimin e largimeve nga vendi. Kurrgjë s’ka përfunduar këtu. Ndërsa, për perspektivat e hapjes së negociatave për hyrje në Bashkësinë Evropiane, pritet që më tepër të mbahet shpresa për largim nga vendi se sa për me pritur avancime në reformat e kërkuara nga Evropa.

Neuchâtel (Zvicër), më 16 janar 2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat