Pse do të votoja kundër Isa Mustafës dhe pro Vjosa Osmanit?!

Opinione

Pse do të votoja kundër Isa Mustafës dhe pro Vjosa Osmanit?!

Më: 20 qershor 2020 Në ora: 17:24
Këshilli i përgjithshëm i LDK-së (Foto nga arkivi)

Me një letër drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kryetari i saj i përkohshëm, Isa Mustafa i ka kërkuar çdo anëtari që përmes postës elektronike të votojnë për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së kësaj partie.

Sot mbas dite votimi do të tregojë sa mbështetje do të ketë kryetarja e parlamentit për të qëndruar në këto detyra partiake. Por nëse shkarkohet nga funksionet partiake, Isa Mustafa do kërkojë që ajo të lërë edhe postin e kryetares së kuvendit.

Vetëm eliminimi i Vjosa Osmanit nga të gjitha postet politike e shtetërore e çliron Isa Mustafën nga ankthi dhe frika që ai ka prej saj.

Diferencimi politik në LDK do të thellohet varësisht me numrin e rasteve që do votojnë kundër Vjosës ose të atyre që abstenojnë.

Votuesit kundër do të jenë objekti i parë i kritikës dhe linçimit të modelit të Lidhjes Komuniste. Në valën e dytë do të përfshihen ata që abstenojnë ose që flasin poshtë e lart kundër metodave fashisto-komuniste të liderit të LDK-së, Isa Mustafa.

Po të isha në Këtë Këshill do ta shpallja votën time kundër Isa Mustafës dhe pro Vjosa Osmanit për disa arsye:

1. Kryesorja lidhet me faktin se Vjosa Osmani është figura politike më e pastër në Kosovë, jo më në LDK dhe si e tillë ajo do të duhej vlerësuar si aset dhe krenari e kësaj partie. Pa Vjosa Osmanin partia ime e supozuar do të pësojë një dështim total. Kësisoj konsideroj se Isa Mustafa po përpiqet të vendosë sytë, por do të heq edhe vetullat. Do ta katandisë Lidhjen Demokratike në një parti të modelit dhe madhësisë së asaj partisë së Rexhep Qosjes, e cila u shua para se të krijohej. Nëse LDK do të humbasë Vjosa Osmanin, do të humbasë edhe elektoratin. Nuk ka asnjë personalitet tjetër të besueshëm e karizmatik që krijon frymë elektorale si Vjosa Osmani.

2. Unë do të votoja kundër Isa Mustafës dhe pro Vjosa Osmanit, sepse edhe sikur 100 vjeç të isha do të votoja për të ardhmen e Kosovës dhe jo për të shkuarën e saj. Të votosh Isën do të thotë të votosh Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, qeverinë e Rrahman Morinës dhe Jusuf Zejnullahut, metodat totalitare të drejtimit, intrigat e menaxhimit të 3 përqindshit, intrigat kundër presidentit Rugova e kështu me radhë. Të votosh Vjosa Osmanin do të thotë të votosh sinqeritetin, pastërtinë politike, lidhjen me elektoratin përmes fjalës së dhënë, pjekurinë politike. Dmth të votosh rugovizmin si rrymë politike dhe si filozofi të qeverisjes dhe sjelljes me qytetarët.

3. Do ta votoja Vjosën nëse interesat e mia nuk do t’i lidhja me konjukturën e rastit dhe me interesat e liderit në agoninë e tij, por me perspektivën dhe interesat e Kosovës, të cilat përfaqësohen nga Vjosa Osmani. Për këto arsye mendoj se vota duhet drejtuar kundër Isa Mustafës dhe të shkuarës dhe pro Vjosa Osmanit dhe të ardhmes. Duke thënë këtë, ju siguroj se shumë prej atyre që do votojnë kundër Vjosës, pas pak kohësh do të pendohen. Vetëm kohën nuk e kthejmë dot mbrapsht dhe koha punon për Vjosa Osmanin!

Dhe në përfundim dua që t’i jap një mesazh zonjës Osmani: Ka shumë gjasa që ju të shkarkoheni nga postet drejtuese në LDK. Ka shumë gjasa që ju të përndiqeni dhe të linçoheni edhe në të ardhmen e afërt.

Çka nuk pritet nga një kryetar të LDK-së që bashkëpunon me Hashim Thaçin dhe Listën Srpska më ngusht se me kryetaren e parlamentit dhe kandidaten për kryeministre! Por në asnjë rrethanë nuk duhet të largoheni nga LDK. Misioni juaj nuk është vetëm Kosova, është gjithashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ju duhet ta riktheni rugovizmin në këtë parti dhe duhet ta bëni atë partinë e parë fituese të zgjedhjeve të përgjithshme. Ju duhet të rikthehni fuqishëm te anëtarësia e LDK-së dhe t’ia riktheni asaj filozofinë dhe frymën e Ibrahim Rugovës. Duke ikur edhe nëse ju zënë me gurë, mund te ndjeheni më e qetë dhe komode.

Por nuk do të jenë të qetë përkrahësit tuaj në Lidhjen Demokratike, të cilët të ardhmen e kësaj partie, ashti si dhe të Kosovës e shohin në vullnetin dhe përgjegjësitë tuaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat