Presidenti Donald Trump me ndërmjetësinë për njohjen e Kosovës nga Izraeli shkundi Perëndimin, shqiptarët dhe serbët!

Opinione

Presidenti Donald Trump me ndërmjetësinë për njohjen e Kosovës nga Izraeli shkundi Perëndimin, shqiptarët dhe serbët!

Elida Buçpapaj, VOAL Nga Elida Buçpapaj, VOAL Më 26 shtator 2020 Në ora: 00:58
Pamje nga takimi në Uashington

Më 3 shtator, një ditë përpara se Presidenti i SHBA Donald Trump të zhvillonte takimin mes dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, unë u përpoqa të imagjinoj me trurin e magjistarëve dhe iluzionistëve më të famshëm të njerëzimit me fuqi supernatyrale, spiritualistë, mistikë nga ata që bëjnë trike, fakeçudira tek ata që bëjnë mrekullira prej Ali Babës, personazhi i Një mijë e një netëve, Magjistari Oz tek David Copperfield se çfarë mund të ndodhte në Zyrën Ovale një ditë më pas.

Ishte një dyshim që lidhej me ata që do të priste Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Nuk prisja që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç të çlirohej nga klishetë dhe mitomania e kohës kur ishte ministër i propagandës për ta pranuar Kosovën e 4 shtatorit 2020 sipas tre datave  të sanksionuara:

Në 9 qershor 1999, data kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që e detyronte Milosheviçin si humbës të largonte nga Kosova ushtrinë pushtuese dhe makinerinë e luftës që kishte shkaktuar mijra viktima të civilëve të pafajshëm dhe kishte spastruar etnikisht rreth 1 milionë shqiptarë;

Në 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur sot nga 116 shtete prej 192 sa janë anëtare të OKB;

Në 22 korrik 2010, dita e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e njohu si legjitim aktin e shpalljen së pavarësisë të shtetit të Kosovës.

Kanë kaluar mbi 21 vjet nga përfundimi i konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi dhe paranoja mitomane ndaj Kosovës e mban gjithë rajonin peng të Serbisë, e cila ka angazhuar gjithë makinerinë shtetërore dhe diplomatike që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, ta çnjohin, dhe ato që nuk e kanë njohur të vazhdojnë të mos e njohin. Serbia synon kështu që ta kthejë Kosovën mbrapsht nga shekulli XXI në shekullin XX, më të ziun për kujtesën e njerëzimit, që dallohet nga dy Luftra Botërore, nga Holokausti, nga Srebrenica, nga diktaturat totalitare gjakatare naziste dhe staliniste që kanë shkaktuar mbi 200 milionë viktima!

9 qershori 1999, 17 shkurti 2008 dhe 22 qershori 2010 janë vija demarkacioni që ndajnë të shkuarën e përgjakur nga çmenduritë e Milosheviçit me të ardhmen e përbashkët demokratike të gjithë rajonit, të cilën e mban peng Serbia e Vuçiçit dhe kasta e politikanëve shqiptarë të skaduar, që kishin sjellë në Washington DC në Shtëpinë e Bardhë tek Presidenti i SHBA përfaqësuesit e tyre, por jo përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës.

Natyrisht që shqiptarët i kanë ata që përfaqësojnë me dinjitet. Më i shquari është ish Kongresmeni arbëresho-amerikan Joe DioGuardi, me të njëjtën origjinë si Regis Philbi, miku i Presidentit Donald Trump. Joe DioGuardi është Skënderbeu i kohëve moderne. Prej mbi tre dekada ai ka bashkëpunuar ngushtë me figurat me të shkëlqyera të Senatit e Kongresit Amerikan po ashtu edhe me lobin hebre në SHBA! Joe DioGuardi meritonte i pari të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë ndërmjetës midis shqiptarëve dhe Presidentit Donald Trump.

Por megjithë situatën e 4 shtatorit 2020 në dukje e pashpresë dhe mediokre, Presidenti Donald Trump i la me gojë hapur të madh e të vogël, shqiptarë e serbë, Prishtinën e Beogradin, Brukselin, Strasbourg-n, Berlinin, Parisin, thinktank-ët, diplomatët e politologët e të gjitha ngjyrave dhe niveleve. Këtë efekt pati njohja që kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu i bëri shtetit të Kosovës, që ishte e papritura madhështore e pritur prej 12 vitesh të bëhej realitet, e lobuar nga të gjitha administratat pararendëse të SHBA por e arritur direkt prej Presidentit të 45-të të SHBA.

Njohja që Izraeli i bëri shtetit të Kosovës i shkon për shtat sloganit MAGA – Make America Great Again.

SHBA fituan menjëherë vemendje pozitive nga bota që me Marrëveshjen në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme, e nënshkruar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e arritur po përmes rolit të Trump. Po ashtu edhe njohja e Kosovës nga Izraeli ka një ndikim shumë të fuqishëm për paqen në Ballkan. Si reagim ndaj arrogancës serbe, sepse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e shkeli pikēn e 15 të Marrëveshjes nënshkruar në Zyrën Ovale, sapo u kthye në Beograd, duke iu shprehur palestinezëve, në takimin me ambasadorin e tyre, mirënjohjen që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Tash shqiptarët ëndërrojnë që Presidenti Trump t’ia mbushi mendjen Papa Françeskut që edhe Vatikani ta njohë pavarësinë e Kosovës! Përse të mos e njohë Vatikani shtetin e pavarur të Kosovës?! Paqja nuk vjen vetëm me lutje por edhe me veprime!

SHBA janë si një Melting Pot gjigand. Shtetasit amerikanë me origjinë migratore janë nga të gjitha shtetet e globit. Kjo e mban të lidhur pazgjidhshmërisht Amerikën me fatet e njerëzimit. Mua më mahnit Ura e Bruklinit e dizajnuar nga një amerikano-gjerman me mendje të ndritur si John Augustus Roebling, por më ka mahnitur edhe më tepër ura e Korridorit Ajror të Berlinit Airlift ( 26 qershor 1948 – 30 shtator 1949), kur Amerikanët hanin nga një racion mish më pak për t’iu dërguar ushqime dhe qymyr për ngrohje e çka u nevojitej qytetareve gjermanë në Berlinin Perëndimor, ku forcat aleate me në krye SHBA përballuan një nga krizat më kritike të Luftës së Ftohtë duke e mbuluar këtë urë korridor me rreth 280 mijē fluturime që mposhti më në fund bllokadën dhe rrethimin e Berlinit Perëndimor nga BRSS.

Në fund të shekullit XX SHBA me aleatët e NATO-n ndalën një Holokaust të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës që janë trashëgimtarët e Skënderbeut, Nënë Terezës dhe i vetmi vend që u kanë dhënë hebrejve strehë e mbrojtje, kur Europa i dorëzonte në Kampet e Përqendrimit në Auschwitz, Mauthausen e Treblinka.

Johanna Neumann, një zonjë hebreje që e kishte provuar mikpritjen e thjeshtë shqiptare me “bukë e kripë e zemër” përsëriste se “Moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”. Nuk ndodhi kurrë dhe nuk ka asnjë hebre të dorëzuar tek gjermanët nga shqiptarët, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte nën pushtimin nazist. Johanna Neumann, për t’i shpëtuar Shoah, u largua nga Hamburgu kur ishte 10 vjeçe bashkë me nënën dhe babain e saj. Familja me tre anëtarë, sikur shumë hebrej që u vendosēn aty, jetuan në Shqipëri 5 vjet dhe me mbarimin e luftës gjetën strehë në SHBA. Zonja Johanna ka tre vjet që është larguar nga kjo botë, por nuk ka asnjë dyshim se prej Parajse ajo, një nga Ëngjëjt Mbrojtës të Shqiptarëve, e ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësinë e Presidentit të SHBA.

Të mos diskutohet pastaj mirënjohja e shqiptarëve ndaj Presidentit Trump për këtë njohje kaq të rëndësishme.

Por ndërkohë shqiptarët e Kosovës janë duke përjetuar hutimin dhe ngërçin më të madh që nga vdekja e Ibrahim Rugovës. Në vend të faktorizimit dhe integrimit, janë të defaktorizuar dhe të dezintegruar. Nga lufta në Kosovë dolën të plagosur, por u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërsa ranë në fatkeqësinë e sundimit nga kasta politike e korruptuar dhe inkriminuar. E njëjta kastë si në Kosovë, është edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që ka uzurpuar pushtetin përt të qenë e përjetëshme si Llukashenko dhe miliardere si Silvio Berlusconi apo Donald Trump, pa trashëguar asgjë e pa derdhur asnjë pikë djerse, vetëm duke vjedhur pasuritë e vendit në stanjacion të plotë ekonomik.

Kastat dhe regjimet e korruptuara politike përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit njëlloj si regjimet totalitariste.

Nuk ka stabilitet nën regjimet e kastave. Ka diktatura mafioze, regjime hibride, ndërsa stabiliteti është fake.

Po ashtu nuk ka as shpresë për zhvillim ekonomik në regjimin e kastave, sepse shpërdorin pushtetin dhe shkelin ligjin, i cili është far udhëheqës në ekonominë e tregut. Nuk mund të ketë ekonomi të lirë tregu në Kosovën ku shteti është i kapur nga politikanë të konsumuar shtershēm, të korruptuar dhe të komprometuar përfundimisht si përçudnues të demokracisë dhe votës së popullit.

Por shpresë për Kosovën ka. Populli i Kosovës është vetë shpresa që e ka nxjerrë jashtë loje këtë kastë politike.

Njohja e Kosovës nga Izraeli në Zyrën Ovale të Presidentit Trump ishte një shkundje për të gjithë Perëndimin, sepse vetizolimi nga Covid e ka futur të gjithin në një kafaz izolacionist, sipas sloganit seicili për vete e Zoti për të gjithë! Presidenti Donald Trump doli nga kafazi izolacionist!

A do ta njihte Izraeli shtetin e Kosovës?

Normalisht do të duhej të ishte nga shtetet e para, sikur e njohën SHBA dhe vendet kryesore të BE, por u deshën 12 vjet nga administratat e presidentëve George W.Bush, Barak Obama deri tek Presidenti Donald Trump.

Ndikimi direkt i Presidentit Trump për njohjen e shtetit të Kosovës nga Izraeli iu dha fund gjithashtu edhe teorive konspirative dhe i shkundi shqiptarët nga dyshimet dhe apatia.

Prandaj ishte historik takimi i 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale!

Shqiptarët do të donin që me abrakadabra Presidenti Donald Trump, Kancelarja Merkel, Presidenti Macron me aleatë të bëhen bashkë e t’i shpëtojnë edhe prej kronizmit, favoritivizmit, nepotizmit, klientelizmit, të kastës së korruptuar e të inkriminuar që ka si aleate nëntokën e krimit dhe për pushtet e kall rishtas Ballkanin në flakë.

Natyrisht që SHBA me aleatë duhet të marrin në dorë fatin e demokracisë në Ballkan, të rrezikuar seriozisht nga kjo kastë e bashkërenduar me krimin e nëntokës që janë duke krijuar rendin e ri mafioz, e cila  harxhon para të majme për ta falimentuar sistemin demokratik duke korruptuar dhe komprometuar zyrtarë të lartë të institucioneve Perëndimore ! Fatin e tyre duhet ta marrin në dorë edhe vetë shqiptarët, duke mbledhur forcat për të krijuar një dialog të denjë me Perëndimin, me përfaqësuesit e duhur si dhe për të të mbrojtur vlerën e shenjtë që ka vota e popullit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat