Kullat e Haradinajve dhe të Jasharajve tempuj të lirisë 

Opinione

Kullat e Haradinajve dhe të Jasharajve tempuj të lirisë 

Nga: Azgan Haklaj Më: 29 tetor 2020 Në ora: 07:50
Azgan Haklaj

Prej dy dekadash kullat e Jasharajve dhe të Haradinajve janë shnderruar simbole të krenarisë kombëtare e në gurëthemel të ardhmërisë, në një vend pelegrinazhi, ku shqiptarët e të gjithë brezave anembanë trojeve tona etnike vijnë këtu ku fjala liri peshon sa vetë kurora e alpeve madhështore që qarkojnë Rrafshin e Dukagjinit.

Para pak ditësh Kolosi i fjalës shqipe i kulturës e patriotizmit At Gjergj Fishta kishte 149 vjetorin e lindjes.

U përkujtua hajdutshe si i thonë fjalës këtu ndër ne nga koperativa e shitblerjes së patriotizmit dhe interesave kombëtare "Rilindja" dhe kryeministri i saj Edi Rama.

Përpjekja për ta zbritur Fishtën e madh nga qielli i lirisë së Atdheut tonë, e për ta burgosur në kafazin e qeverisë antikombëtare të mikut të Vuçiçit e Erdoganit Sulltan Ramës ishte një akt i shëmtuar e një rivrasje e dytë e "Zërit të Kombit tonë", siç e kanë pagëzuar me të drejtë breza të tërë shqiptarësh poetin e tyre të pavdekshëm.

Këngetari ynë i lirisë Gjergj Fishta vitin që vjen ka 150 vjetorin e lindjes e shqiptarët do të dinë ta përkujtojnë me madhështinë e nderet që ai meriton.

Këtë ma thanë shqiptarët e trojeve tona etnike të Shqipërisë, Malit të Zi, Çamërisë, Maqedonisë së Veriut, Çamërisë, Preshevës, Kosovës të cilët u mblodhën nga të katër anët në sheshin e kullave të Haradinajve legjendarë të bujarisë, besës e të traditës shqiptare për të festuar me madhështi ditëlindjen e babait të luftës çlirimtare Bacë Hilmi Haradinaj.

Ky burrë i madh i Kosovës e i Kombit Shqiptar ka disa kohë që ka kaluar në amshim për tu prehur përgjithmonë në panteonin e lirisë së popullit të tij.

Ai e ktheu kullën e vet ashtu si Jasharajt e Prekazit në një Krujë të dytë e kala të pamposhtur lirie.

Baca Hilmi i blatoj Atdheut e Flamurit të Gjergj Kastriotit dhuratën me të shtrenjtë e më të çmuar të kësaj bote djemtë e tij trima.

Hilmi Haradinaj e fisi i tij kreshnik e mbajtën të pashuar në breza zjarrin e lirisë e të patriotizmit, e ky përvjetor i ditëlindjes së tij na sjell në mendje portretin e tij të gjallë se për burrat trima e patriot si ai ka vetëm ditëlindje.

Ai me të bijtë së bashku me Shaban Jasharin me të bijtë e korifejë të tjerë të lirisë janë gurë kilometrikë në rrugën e historisë së Kombit, ashtu si autorët e nëntorëve të lirisë Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali e Isa Boletini.

Në kullat e Haradinajve të stolisur me simbolet kombëtare njeriu e ndjen veten si në një tempull të besimit hyjnor.

Traditat e zakonet kombëtare janë ruajtur brez pas brezi në këto shtepi zëmadha si relike të shenjta.

Këtu nderohet gjithkush njësoj, pavarësisht nga posti apo pozita shoqërore që i përket.

Kjo është madhështia e Kanunit Shqiptar, këtij kodi nderi që burrat e shquar të këtyre kullave e kanë zbatuar me fanatizëm e besim deri në ditët tona.

Kullat bujare të Haradinajve i kanë gjithmonë të hapura dyert për ata që në oborrin e tyre thërrasin në gjuhën Hyjnore pellazgo- ilire :

"A don miq o i zoti i shtëpisë"!

"Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut", është ky testament që na ka lanë Kanuni e princi i lavdishëm Lek Dukagjini.

E sofra e Haradinajve ka qëndruar përherë e shtruar.

Për shqiptarët trimëria e bujaria janë binomi i familjeve fisnike shqiptare në të gjitha kohët, në të gjitha ceremonitë, dasmat e mortet, ditëlindjet e festat kombëtare.

Në ditëlindjen e Bacë Hilmi kuvendi i burrave, kënga e bukur shqipe, dollitë e urimet për të zotin e kësaj kulle, Ikonën e lirisë e të qëndresës për Kosovën rrjedhin natyrshëm si Valbona e Drini i Bardhë.

Ramush Haradinaj, Presidenti i ardhshëm i Kosovës është i ndërgjegjshëm për peshën e rendë që mban emri i babait e mbiemri i tij.

Ramushi e ka ngritur në një piedestal të ri e më të lartë emrin e këtyre kullave të shquara dhe lavdia e ka ndjekur pas pikërisht për faktin se atij i ka prirë gjithmonë përpara zëri i Atdheut, i lirisë dhe amaneti i shenjtë i Bacës Hilmi e i të parëve të tij.

Në betejat legjendare me bajlozët e Serbisë e kanë frymëzuar vargjet lapidare të Gjergj Fishtes të Lahutës së Malësisë e aktet heroike të Oso Kukës.

Shekulli i XXI- të është shekulli i shqiptarëve, i bashkimit të tyre në një shtet, gjuhë e flamur të vetëm, një besëlidhje e shenjtë me Atdheun e vulosur me gjakun e trimave që lindën dhe u rritën në këto kulla legjendare.

Toka dhe qielli i Gllogjanit e i Shqipërisë flasin shqip.

Ato janë e do të jenë përjetësisht të bekuara nga Zoti që ju dhuroj stërgjyshërve tanë qysh në agim të historisë së njerëzimit.

Rrënjët tona janë tek liria e gjaku ynë, tek Flamuri Kombëtar, kryesimboli ynë i shenjtëruar me gjakun e trimave të rënë në fushëbetejë kundër armikut.

Hilmi Haradinaj me djemtë e vet trima e anëtarët e fisin të tij shkruan një epope të re në historinë e Shqipërisë, një epope të lavdishme që na kujton kohën heroike të Arbërit e të prijësit tonë të madh kalorësit të lirisë Gjergj Kastrioti.

Të urtët tanë të moçëm na kanë lënë një porosi të madhe:

"Gur- gur bëhet kalaja"!

Kalaja me e madhe, e pamatë dhe e pamposhtur të cilën na duhet ta ndërtojmë me çdo çmim dhe sakrificë për të nderuar Bacën Hilmi e Adem Jasharin e burra e gra të shquar që dhanë gjithshka të shtrenjtë për lirině e Atdheut është bashkimi kombëtar e Shteti Komb i shqiptarëve.

Tubimi i shqiptarëve në kullat e Haradinajve për të festuar ditëlindjen e këtij burri të madh të pushkës e fjalës, bujarisë e besës me bën optimist pa medyshje. 

E kjo për faktin se kullat e Haradinajve janë gurë i rendë themeli në kalanë e së nesërmes së Kombit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat