Vazhdo Jakup...

Opinione

Vazhdo Jakup...

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 13:57
Jakup Krasniqi

Vazhdo Jakup... Vazhdo! Vazhdo aty ku mbete: ”... në asnjë deklaratë timen nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile as serbe as ndonjë tjetër. Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolik dhe mysliman, unë jam shqiptar s’jam as katolik as mysliman dhe kjo për mua është fyese e po ashtu edhe dhe vendin tim”. Vazhdo... Vazhdo më tutje! Vazhdo dhe tregoju të gjithëve, në seancat tjera gjyqësore, se ne shqiptarët e tri religjioneve, muslimanë dhe të krishterë, katolik apo ortodoks, që pesë shekuj kultivojmë bashkëjetesën dhe jetojmë në harmoni dhe mirëbesim e mirëkuptim në mes vedi, kurse më parë, para okupimit otoman, të gjithë shqiptarët ishim të krishterë.

Ne e kuptojmë dhe e respektojmë historinë tonë të kaluar, e dojmë atë histori, mburremi me ato rrënjë e atë histori dhe tregojmë nderim, ngrohtësi e afërsi për çdo gjë që është e lidhur me atë histori dhe me të parët tanë të krishterë. Këtu qëndron ajo forcë e fuqishme kohezive e marrëdhënjeve të mira tona në mes religjioneve të ndryshme, të krishterë dhe jo të krishterë, si shembull sui generis të harmonisë religjioze në Europë, dhe jo vetëm në Europë, e që meriton çdo lavdatë nga e tërë bota. Ne shqiptarët kurrë nuk kemi pasë konflikte religjoze apo tjetër fare në mes vedi dhe nuk kemi rrezikuar njëri tjetrin. Ne kemi qenë gjithnjë të rrezikuar vetëm nga Serbia, e cila na intrigonte në aspektin religjioz duke nxitur konflikte brenda nesh, dhe e cila ka krye dy gjenocide ndaj shqiptarëve.

Gjenocidi i parë i serbëve ndaj shqiptarëve ishte gjatë luftërave ballkanike (1912, 1913). Europa kurrë më parë nuk kishte njohur gjenocid. Ky njëherit ishte edhe gjenocidi i parë në Europë. Gjenocidi nacifashist gjatë luftës dytë botërore ndaj hebrenjëve, që ishte edhe më trishtues, më barbarë dhe më i egër e më i madhi që njef historia, kundër një kombi numerikisht të vogël, krejtësisht të pafajshëm, të pa armatosur e duarthatë e të shpërndarë nëpër Europë e Botë, ishte gjenocidi i dytë në Europë. Serbia ndërkaq nuk muarr leksion as nga kjo histori tragjike botërore e nacifashizmit, por me politiken e vetë, poashtu nacifashiste, vazhdoj me gjenocidin e dytë ndaj shqiptarëve në luftërat e fundshekullit të kaluar në ballkan, të cilat vetë i filloi.

Aktakuza ndaj meje (e dëgjonim këtë edhepse nuk e that) në të cilën ju ndër shqiptarët veçoni katolikët, është një insinuatë denigruese djallëzore që ka për qellim, nga brenda, të intrigojë e të futë mosbesim e përçarje religjioze në mes shqiptarëve, e të cilën gjatë tërë historisë në vazhdimësi e ka praktikuar gjithmonë Serbia, si dhe, nga jashtë, ka për qellim të mbjellë urrejtje ndaj meje në botën e krishterë në Europën perendimore, që më bënë thellësisht të reflektojë: Vallë është kjo aktakuzë e shkruar nga Prokuroria e kësaj Gjykate Ndërkombëtare të nderuar, apo, si tradicionalisht, është e shkruar nga dora e zezë e Serbisë?

E dijmë, Jakup, se ashtu i emocionuar nga ndjenja e thellë e padrejtësisë historike personale dhe nacionale, nuk ke arritur t´i thosh edhe këto argumente të sipërpëmendura, e shumë të tjera të ngjashme, por që ne i morrëm me mend, e dëgjuam të pathënën, edhepse nuk arrite ta thuash atë, por presim të dëgjojmë që këto në vazhdim do t´i thuash për të tjerët. Dhe, jemi të sigurtë se do t´i thuash. Ne jemi të bindur se je i pafajshëm, Jakup, dhe për këtë do të bindet edhe Gjykata. Ne e dijmë se ke qëndruar stoikisht në një gjykim të ngjashëm më parë dhe do të qëndrosh stoikisht edhe në këtë të dytin, si dhe që ke luftuar me nderë, respekt ndaj civilëve e dignitet si dhe trimërisht për liri dhe për ta çliruar vendin dhe kombin tënd nga agresori gjenocidal në luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së, si dhe që të arrihet paqja në ballkan. Nos tecum sumus (Jemi me Ty), Jakup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat