Gjenocidi - ra ky mort dhe u pamë!

Opinione

Gjenocidi - ra ky mort dhe u pamë!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 09:35
Zejnullah Jakupi

Nuk na ka hije të merremi me akuza duke bërë njëri-tjetrin fajtor, pse kemi dështuar ta fitojmë betejën diplomatike ndaj Serbisë. Akuzat të tilla në debate televizive ishin ato nga Z. Fatmir Limaj, kryetar i partisë NISMA drejtur kryetarit të PDK-së, z. Enver Hoxhaj  të cilin e akuzoi se ai në librin e tij “Ndërtimi i Shtetit, Politika e Jashtme e Kosovës”, botimi 2017, faqen 198 dhe 206, se “Gjenocidin” që Serbia ka kryer në Kosovë e cilëson vetëm si një “përpjekje për gjenocid”? (citat gjithashtu nga Bilall Sherifi). Në konventën e gjenocidit, gjenocid klasifikohet edhe përpjekja për gjenocid. Sipas Fatmir Limajt, "të gjithë e dijnë se ka patur gjenocid, dhe jo vetëm përpjekje."

Sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (CPPCG) e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Rezoluta 260 A (III) më 9 dhjetor 1948,  me gjenocid kuptohen veprimet e poshtë-cituara:

„Veprimet e kryera me qëllim për të shkatërruar, plotësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar si të tillë:

(a) vrasjen e anëtarëve të grupit,

(b) shkaktimi i dëmtimit të rëndë fizik ose mendor anëtarëve të grupit,

(c) Vendosja e qëllimshme e kushteve të jetesës ndaj grupit me synim të sjellë shkatërrimin e tij fizik në tërësi ose pjesërisht,

(d) Vendosja e masave që synojnë parandalimin e lindjeve brenda një grupi,

(e) Transferimi i detyruar i fëmijëve nga një grup në një grup tjetër. ”

Artikulli III rendit llojet e formës së veprimit:

"Veprimet e mëposhtme duhet të dënohen:

(a) gjenocidi,

(b) komplot për të kryer gjenocid,

(c) stimul i drejtpërdrejtë dhe publik për të kryer gjenocid,

(d) përpjekja për të kryer gjenocid,

(e) Pjesëmarrja në gjenocid

Debati në kohën pa kohë!

Një debat i tillë, loja me fjalë, veçmas në kohë elektorale nuk është produktiv, sepse nuk mundet një çështjet kaq serioze të bëhet agjendë elektorale dhe ky nivel akuzues sigurisht nuk na ndihmon aspak as në zgjedhje, por as nuk i ndihmon çështjes për të cilën bëhet kaq shumë zhurmë pikërisht në momente si tani, pas 20 vitesh, nga mbarimi i luftës dhe i cili nuk ka rezultuar me sukses.

Të gjithë politikanët, historianët, juristë dhe vet shteti, si dhe të gjitha qeveritë deri tani, nuk kanë mundur të bëjnë më shumë, seç kanë bërë deri më tani. Një kohë të gjatë në Kosovë nuk është zhvilluar asnjë debat serioz lidhur me gjenocidin. Unë personalisht, jam marrë me temën e gjenocidit gjatë studimeve dhe e kam trajtuar në një studim seminarik. Natyrisht se nuk mund të thuhet e tëra rreth kësaj teme, por ajo çfarë më ka shqetësuar është pyetja -siç është edhe shetësuese për gjithë popullin shqiptar - pse nuk është ngritur padia për gjenocid (por as pranuar) ndaj rezhimit të Sllobodan Millosheviqit, të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës në periudhën konfliktit të armatosur 1998/99.

Po mundohem të jap ca shpjegime rreth çështje. Në rastin e Kosovës nuk pranohet gjenocidi, sepse as shqiptarët, pra as Kosova si shtet nuk e ka patidur Serbinë për gjenocid. Gjithashtu siç tham, nuk ka patur debat në opinion, por as në  nivele shkencore lidhur me konventën e gjenocidit, siç nuk ka patur as sqarime lidhur me këtë çështje.

Çfarë do tëthotë kjo? Ne akoma nuk e kemi kuptuar se çfarë nënkuptojmë me gjenocid? Dobësia në këtë kontekst shihet edhe në librat, dhe trajtimet shkencore kushtuar kësaj teme. Në shumë libra të botuara deri më tani mungon pjesa teorike, shtjellim i konceptit lidhur me gjenocidin ose ato bëhen herë pas here në mes të librit, aty këtu, në mënyrë sporadike. Kjo hyrje teorike duhet të bëhet para se të jepen faktet, siç veprohet për shembull në librin e Bardhyl Mahmutit (Blood Libel). Ndërsa për librin z. Pllana nuk kam patur qasje deri më tani për ta studjuar. Gjthashtu shteti i Kosovës është dashur brenda këtyre 20 vitesh ta përgatis këtë temë me shtojcën teorike dhe t´ja bashkangjes asaj faktet. Gjithashtu vrehet ky amaterizëm ka vazhduar edhe në shtjellimin e nocioneve se a ka patur luftë apo vetëm konflikt të armatsur në Kosovë gjatë vitit 1998/99?

Nocioni ´konflikt i armatosur´

Këtë shtjellim nocioni e bëra, me qëllim, pra nuk po përdorë nocionin ´luftë, siç e bëjnë politikanët vendorë kur flasin për këtë periudhë, pasiqë nuk ka një qartësi se si qëndrojnë këto dy koncpte? S´pari ´luftë´ do të thotë kur kemi zhvillime konflikti të armatosur në mes dy shteteve përafërsisht me forca të njëjta. Në rastin e Kosovës kishim një ushtri, makineri serbe e cila sulmonte një popull të pambrojtur civil dhe pjesërisht sulmet drejtoheshin ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, forcave guerile pikërisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kur themi Ushtria Çlirimtare i bie se edhe kjo ushtri ka qenë si ajo jugosllave ose serbe, por në fakt nuk mund të krahasohen mes veti. Sepse UÇK-ja nuk e kishte nivelin e një ushtrie të rregulltë. Gjithashtu në këtë kohë Kosova nuk ishte shtet. Dhe ky është edhe një nga kriteret e dallimeve.

Padia e munguar e gjenocidit kundër rezhimit të Millosheviqit

Fakti se nuk është pranuar gjenocidi nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish- Jugosllavi ka të bëjë edhe me çështjen se Kosova si shtet nuk ka ngritur padi kundër Serbisë për atë kohë, por vetëm ka miratuar rezolutë të kuvendit të Kosovës dhe kjo nuk ka obliguar ligjërisht askënd që të nisen hetimet, gjegjësisht të vërtetohet në gjyqin e Hagës, edhe pse ka patur mjaftë dëshmi, siç i ka praqitur z. profesor Nusret Pllana, në librin e tij „Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët: 1844 – 1999“. Ka qenë dashur të përgatitej dhe të ushtrohet kallëzimi penal pran Gjykatës Ndërkombëtar në Hag për krimet e luftës dhe gjenocid. Se ka patur një qartësi teorike rreth këtyre formave të veprave penale, shihet gjithandej, siç e cekëm më lartë. Për shembull, në librin e Bardhyl Mahmutajt botuar në anglisht ofrohen shumë fakte dhe ato janë shtjelluar shumë bukur, madje argumentohen nga një perspektiv ndërkombëtare. Por, librit i mungon hyrja teorike se çfarë nënkuptojmë me konceptin e gjenocidit, në fillim, e që kjo pastaj edhe do të ndërlidhej mirë me faktet e ofruara më pastaj.

Siç e kërkon rregulli, në çdo punim hulumtues empirik duhet të bëhet edhe pjesa teorike. Natyrisht, siç dihet, klasa politike nuk ka bërë një përgatitje të tillë, dhe ketë nuk e kanë bërë as ndonjë komision shtetëror i juristëve, qoftë edhe duke bashkëpunuar me ata ndërkombëtarë, që ta përgadisnin një padi me hyrje teorike dhe pastaj të jepen faktet. Kjo nuk është bërë, sepse politikanët ose nuk kanë ditur, ose siç thuhet shpesh, nuk na është lejuar, sepse kishin humbur postet e tyre ose kishin prishur kumarinë me Serbinë. Gjithsesi mund të ketë edhe shpjegime tjera lidhur me këtë arsyetim. Gjithashtu, secili që merret me temën në fjalë kupton se asnjë qeveri deri tani qe 20 vite nuk është marrë seriozisht me gjenocidin, s´paku t´ia spejgojë opinionin tonë publik, se çfarë është koncepti i gjenocidit dhe pse nuk po pranohet. Në këtë mes kanë faj edhe mediet. Madje ky nuk ka qenë as shqetësim me sa dihet i juristët dhe historianëve vendorë.

Nga kush dhe kur është folur për gjenocid në kontekstin kosovar?

I kemi pra dy instanca që kanë folur për këtë problematikë. E para, Departamenti i Shtetit i SHBA dhe ministri gjerman i Mbrojtjes Rudolf Scharping gjatë luftës 1998/99 i cili foli gjithashtu për "gjenocidin" në Kosovë duke përmendur planin “Patkoi”. Gjatë luftës, konferencat për shtyp të NATO-s në mënyrë të përsëritur flisnin për numrin e madh të vdekjeve në mesin e popullatës shqiptare në Kosovë. E dyta ishte "Shoqëria për Popujt e Kërcënuar" (GfbV).

Por, kemi gjithashtu kundërshtarët, shumica e juristëve e të drejtës Ndërkombëtare gjermane, të cilët kanë mohuar gjenocidin e kryrerë nga rezhimi i Millosheviqit ndaj kosovarëve. Kundërshtarët më të njohur të këtyre krimeve të gjenocidit në Kosovë janë: Jürgen Elsässer, Heinz Loquai dhe natyrisht disa studiues ligjorë gjermanë (me përjashtim të Otto Luchterhand dhe Christian Tomuschat). Ata kanë dy bindje (vlerësime) se "gjenocidi" dhe "varret masive në Kosovë" ishin një gënjeshtër vdekjeprurëse e qeverisë gjermane; s´dyti, se shqiptarët e Kosovës ishin vetëm viktima të manipuluara nga NATO, sa sa për të intervenuar kjo e fundit. Propagandohej që viktimat e Reçakut nuk ishin civilë, por luftëtarë të UÇK-së dhe se kjo gjoja shërbente si një mundësi për të justifikuar sulmin e NATO-s ndaj Jugosllavisë.

Në favor të pranimit të konceptit të gjenocidit në rastin e Kosovës kishin qëndrim të prerë organizata joqeveritare "Shoqëria për Popujt e Kërcënuar" në vitin 1999 dhe "Human Rights Watch" nga tetori i vitit 2001, sidomos kjo e para, me raportin e vitit 1999 përcjell një pamje krejtësisht të ndryshme dhe çon në një përfundim të mahnitshëm: se „shfarosja masive e shqiptarëve nga serbët ose forcat e armatosura jugosllave, d.m.th. (ushtria, policia, policia speciale) u urdhërua dhe u krye sipas planit, të inicuar nga shteti dhe strukturat e tij dhe se u ushtrua gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës.“

Por aktakuza kundër presidentit Jugosllav Sllobodan Milosheviç, presidentit serb Milan Milutinoviç, zëvendëskryeministrit jugosllav,përfaqësuesit të Kosovës Nikola Shainoviq, shefit të shtabit jugosllav Dragoljub Ojdanić dhe ministrit të brendshëm serb Vlajko Stojko, nuk përmbanin kriteret e gjenocidit. Të lartëpërmendurit akuzohen për vrasje, dëbim dhe përndjekje për arsye politike, racore ose fetare, në shumë raste, të cilat konsiderohen krime të rënda kundër njerëzimit dhe kundër ligjit dhe zakoneve të luftës. Nuk është sqaruar sa duhet nëse "spastrimi etnik", masakrat, krimet e luftës, përdhunimi i femrave kuptohen si krime që përmbushin kriteret e gjenocidit.

Gjenocidi i ushtruar ndaj hebrenjve, armenëve, në Ruandë dhe në Srebrenicë

Të fillojmë së pari me kryerjen e gjenocidit ndaj armenëve. Disa nga praktikat ishin: Në këtë rast pati arrestime kundër personaliteteve individuale nga komuniteti armenë në Stamboll. Pastaj filloi deportimi i popullatës civile. Vendimi zyrtar për dëbimin u mor në mbledhjen e kabinetit më 27 maj 1915. Popullsia mashkullore u nda nga gratë dhe fëmijët, para dëbimit, ose u vra në fillim të marshimeve të vdekjes. Të mbijetuarit u dëbuan në vende të tjera, në Siri ose Irak. Shumë nga viktimat vdiqën nga uria, etja dhe sëmundja. Numri i të vdekurve jepet mbi një milion.

 

Edhe shfarosja e hebrenjve shkonte paralelisht me atë të ciganëve. Filloi me përjashtimin nga bashkësia shtetërore, shpronësimin dhe vazhdoi me dëbimin dhe përfundoi në furgona me gaz ose në dhomat e gazit. Viktimat ishin të sëmurët mendorë, të burgosurit e luftës, gratë, fëmijët, Dëshmitarët e Jehovait, etj. ciganët, si dhe hebrenjtë, "u etiketuan" të infektuar gjenetikisht ". Ata u panë si një kërcënim për pastërtinë e gjakut gjerman. “Ata u shënuan dhe u transportuan larg si bagëtia, u shkatërruan si parazitë dhe u dogjën si mbeturina ". Përgjegjësi për shfarosjen e hebrenjve nuk ishte një individ, një autoritet i vetëm, por secili individ i përfshirë në krimet kolektive, i cili përfaqësonte një burokraci të degëzuar. Aparati i asgjësimit ishte rezultat i bashkëpunimit midis burokratëve, shkencëtarëve dhe ekspertëve në vrasjet masive. Kjo burokraci funksionoi normalisht. Ata ishin të vetëdijshëm për vrasjen dhe paramendimin. Qëllimi i tyre ishte; të shkatërronin hebrenjtë dhe ciganët ose të parandalonin zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Këto krime monstruoze të shtetit të divizioneve ´SS´ kundër hebrenjve i shkaktuan njerëzimit humbje të mëdha në vetëm katër apo pesë vjet mbi 6 milionë njerëz. Autorët duhet të përgjigjeshin për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe për gjenocidin pas kapitullimit të Hitlerit - në Nuremberg para një Gjykate Ushtarake Ndërkombëtare dhe më vonë para gjykatave kombëtare.

Ndërsa në rastin e Srebrenicës u njihet boshnajkëve, sepse këtu ishin vrarë mbi 8000 vetëm brenda një dite. Por, gjenocidi nuk ju njoh atyre njoh në rastet tjera, por as ndaj shqiptarëve të Kosovës. Mund të jetë relevante për përmbushjen e kriterit gjithashtu edhe numri i viktimave dhe mënyra se si janë vrarë.

Pse nuk u pranua gjenocidi në rastin e Kosovës?

Edhe në Kosovë pati përdjekje ndaj një grupi etnik. Ndaj shqiptarëve u ushtrua gjenocid ekonomik, politik, kulturor dhe ekonomik. Shqiptarët në fillim u përzun nga puna, nga institucionet, por dallimi ishte se gjatë kohës së Millosheviqit, nuk përjashtoheshin nga puna shqiptarët nëse ishin lojal ndaj sistemit. Tek hebrenjtë nuk vlente ky fakt. Ata urreheshin pse kishin përkatësi racore, etnike. P.sh. një hebreu ju konfiskua pasuria u dëbua ose edhe u internua dhe përfundonte në pushkatim ose në kampet e perqëndrimit ku i priste vdekja. Ata nuk mundte t´i ikin ndërshkimit, edhe nëse do të simpatizoheshin me rezhimin e Hitlerit, sepse Hitleri këtë nuk e dëshironte, por e kërkonte zhdukjen e tyre.

Gjithashtu në luftën e Kosovës, sipas versionit serb, shqiptarët nuk do të vriteshin sikur të mos bënin rezistencë të armatosur. Madje në disa deklarata thuhej se gjoja ushtria serbe, në disa raste, i kishte paralajmëruar fshataratë e vendbanimeve se do të fillonte me granatime dhe se ata duheshin lëshuar fshatrat dhe të dëbohen, të marrin rrugën për në Shqipëri, dhe nëse i lëshojnë shtëpitë me vetdëshirë nuk do të vriteshin. Por edhe dëbimi i këtij lloi pa dëshirë nënkupton gjithashtu pastrimin etnik.

Kriteret e gjoncidit miratohen si të përmbushura nëse sulmi i ushtrisë serbe dhe grupeve paramilitare është bërë për ta shfarosur popullin shqiptarë, për ta përzën që të mos kthehet më në trojet e veta, kriterë i cili ishte përmbushur. Këtu kemi rastin kur shqiptarëve të Kosovës ju djegin letërnjoftimet për të shlyerë kështu  identitetin e tyre e i cili kishte vazhduar më pas me vjedhjen e librave të amzës.

Gjithashtu edhe diskriminimi politik, kulturor klasifikohet si gjenocid, por kjo në rastin e Kosovës nuk është hulumtuar sa duhet. Për shembull kriteret e gjenocid janë edhe dhunimet e grave shqiptare, siç thuhet të jenë mbi 20.000 femra. Edhe me këtë rast thuhet se dhuna duhet të jetë sistematike, ashtu si ka ndodhur në realitet. Me ketë rast synimi ka qenë sistematik, për të pakësuar lindjet, për të bëre poshtrimin dhe zhdukejn e qenjes shqiptare. Por Gjyqi i Hagës nuk e ka pranuar as dhunimin seksual në rastin e Kosovës si gjenocid por, si krime kundër njerëzimit.

Terrori i ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë dy shekujve të kaluar

Baza historike e historikut të gjenocidit të ushtruar nga serbët dhe aparati shtetëror ndaj shqiptarëve duhet shikuar në kontinuitet nga e kaluara. Pra, nëse ngritet padi kundër Serbisë duhet të mos përfshij kjo vetëm kohën e Millosheviqit por edhe më përpara, duke filluar nga Memorandumi i Vaso Čubrilović të vitit 1937, periudhën e Aleksander Ranković dhe ngjarjet e vitit 1981 dhe aparteidit gjatë regjimit të Millosheviqit, deri në vitin 2000.

 

Fillet e terrorit ndaj shqiptarëve fillojnë qysh pas pavarësisë së Serbisë në vitin 1878. Elitat e reja vazhduan dhe madje rritën etnizimin e shoqërisë dhe politikës. Politika shoqërohej me akte dhune dhe masakra. Në vitin 1908 Vladan Gjorgjeviq ishte kryeministër i shtetit të parë jugosllav që u shpreh për shqiptarët në të njëjtën mënyrë (përmes stereotipave raciste - siç bëri Hitleri më vonë për hebrenjtë) duke i përshkruar shqiptarët si "njerëz me bisht". Në vitet 1912/13 autoritetet serbe (policia) kryen krime të shumta kundër shqiptarëve etnikë dhe masakra të popullatës civile në Kosovë. Për të ruajtur fuqinë dhe privilegjet e tyre, udhëheqësit serbë urdhëruan që shqiptarët e Kosovës të shfaroseshin.

Vaso Čubrilović, ashtu si paraardhësi i tij Vladan Gjorgjeviq, donte të zgjidhte "problemin shqiptar" përmes dëbimeve masive në vitin 1937. Čubrilović sugjeroi që ligjet të zbatoheshin në mënyrë strikte që të ishte e pamundur për shqiptarët të qëndronin në vendin e tyre. Gjobat, burgosjet dhe përdorimi i pamatur i të gjitha mjeteve policore (dhe çdo mjet që një forcë policie me përvojë është në gjendje të shpikë) duhet të përdoreshin. Midis shumë masave, u sigurua trajtimi i keq i klerit, shkatërrimi i varrezave, shpërndarja e armëve për kolonistët. Këto masa u konsideruan të nevojshme nga një lidhje organike midis pushtetit shtetëror dhe iniciativave private në politikën e kolonizimit. Aparati shtetëror serb kërkonte që të implikonte edhe shkencëtarët, pra të merrej mendimi i shkencëtarëve, sepse vetëm me ndihmën e hetimit mund të jepej përgjigje gjithë "problemit të kolonizimit" dhe kështu dëbimi do të ishte i mundur dhe i suksesshëm.

Në mesin e viteve 1950, nën përgjegjësinë e ministrit famëkeq serb të Brendshëm Aleksandër Rankoviq, mijëra shqiptarë u abuzuan dhe rreth njëqind shqiptarë u vranë në burgje.

Dhe së fundmi, ishte politikani në ngritje Sllobodan Milosheviq i cili filloi karrierën e tij me ndihmën e problemit të Kosovës. I gjithë aparati shtetëror u mobilizua për t´i dëbuar dhe vrarë shqiptarët. Milosheviq përforcoi konfliktin duke larguar shqiptarët nga jeta publike që nga viti 1990 dhe shfuqizoi kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Me këtë, pala serbe e rivendosi pozitën e Kosovës „në unitetin e Serbisë". Kosova dhe Vojvodina u vën nën kontrollin e drejtpërdrejtë serb. Paralajmërimet e forta dhe të përsëritura në lidhje me politikën e gjenocidit të regjimit të Millosheviqit dhe në lidhje me një spastrim etnik të afërt mezi u vërejtën nga bashkësia ndërkombëtare dhe kaluan pa reagime. Megjithatë intervenimi i NATO-së e parandaloi në një masë vrasjen masive dhe shpërnguljen e kosovarëve. Prandaj intervenimi i NATO-së ishte i prerë me qëllimin se "Kosova nuk duhet të bëhet Bosnja e dytë!", "Kurrë më Auschwitz". Me këtë u ndërpre edhe përpjekja për të kryer gjenocid në përmasa masovike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat