Plandosja e LDK-së

Opinione

Plandosja e LDK-së

Nga: Isa Zymberi Më: 8 mars 2021 Në ora: 11:50
Isa Zymberi

Sot, të gjithë e kanë të qartë se LDK-ja nuk është më ajo zonja e rëndë që ka pasë qenë dikur. Pesimistët mund të ulen dhe ta vajtojnë duke ia kujtuar ngritjet e pandalshme madje dhe në kohët më të vështira për popullin shqiptar të Kosovës. Kurse optimistët mund të shohin ëndrra të llojllojshme për ringritjen e saj. Plotë të tjerë preokupohen me konspiracione të lloj-llojshme.

Të gjithë, nërkaq, e mbajnë mend kohën kur LDK merrte rreth 65% të votave, që në krahasim me 12%-shin e zgjedhjeve të fundit i bie se ka marrë pesë herë më pak, e që me një matematikë të përafërt del se i ka humbur 80% të votuesve të vet të dikurshëm.

Kjo rënie kaq drastike do analizuar nga të gjitha aspektet. Rënia e parë (gjysmë)drastike ndodhi pas vdekjes së Rugovës. Mospajtimet rreth zgjedhjes së kryetarit të parë pas Rugovës çuan në ndarjen e partisë më dysh dhe në përgjysmimin e përqindjes së votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme. Ringritja nga kjo rënie doli se ishte e pamundshme.

LDK-ja, me kryetarin e saj të urtë, fjalëbutë e fjalëpakë, kishte mbledhur autoritetin e saj për rreth 11 vite para çlirimit të Kosovës, pra në kohët më të vështira, dhe këtë autoritet as për së afërmi nuk mund e tronditën partitë e dala nga lufta të udhëhequra nga ata që pretendonin se ishin çlirimtarët e Kosovës (natyrisht, me ndihmën e NATO-s).

Edhe para çlirimit të Kosovës kemi pasur disa parti politike, por atëherë, mbase për shkak se të gjitha përballeshin me një armik të madh, kundërshtimet politike ishin diçka më të buta dhe më shumë kishte bashkërenditje sesa kundërshtime.

Pas çlirimit të Kosovës, tani kur armiku ishte shporrur nga territori i saj, kundërshtitë politike midis partive filluan gradualisht të acaroheshin. Në këtë rrugë janë përdorur metoda dhe ndërskamca të ndryshme madje dhe eliminime politike sidomos për dëmtimin e LDK-së.

Me gjithë këto kundërshti, sistemi zgjedhor ishte i tillë që u mundësoi gati të gjitha partive që, në një mënyrë a në një tjetër, të merrnin pjesë në qeverisjen e vendit. Kjo u është përshtatur sidomos atyre që në radhë të parë kanë pasur për synim përfitimet e tyre personale dhe të klientëve të tyre. Kështu filloi periudha e ngritjes në bashkërrjedhje, pra, të pushtetit dhe të pasurisë. Të tillë kishte në numër të mjaftueshëm në të gjitha partitë. Mbetet të shohim si do të dalë LVV-ja e paprovuar plotësisht në këtë pikëpamje.

Qeveritë e këqia të pasluftës ushqyen zhgënjimin në rritje të popullatës. Me rritjen e zhgënjimit rritej gradualisht, por me hapa të sigurt, vetëm Lëvizja Vetëvendosje, ani se në këtë rrugë edhe ajo pati përplasjet e saj.

Tani ajo, pra LVV, i ka pothuaj të gjitha mundësitë t’i vëjë në veprim të gjitha zotimet të cilat e sollën në këtë pozitë, sidomos ato që lidhen me korrupsionin, drejtësinë, nepotizmin e shumë e shumë të këqia të tjera që e kanë pllakosur Kosovën për një kohë të gjatë. Më vonë mund të vijë edhe periudha e zhgënjimit edhe brenda LVV-së, apo në LVV.

LDK sot është e shtrirë përdhe. Atë po e qëllojnë për së rati analistë e joanalistë, anëtarë e joanëtarë, zyrtarë e jozyrtarë, të dishëm e të padishëm (duke përfshirë dhe vetën time këtu) apo siç thotë populli, i madh e i vogël. Temë qendrore e gjithë këtyre boksierëve amatorë e profesinalë është bërë çështja e zgjedhjes së kryetarit të ri, e në këtë kuadër sidomos pyetja se kush do të bëhet kryetar dhe a do të jetë ai/ajo i këtij apo atij klani. Çfarë klanesh mund të ketë LDK-ja me 12% të votuesve? Klanet është dashur të diskutohen më herët, shumë më herët. Rënia e LDK-së nuk ka ardhur pa paralajmërim dhe tani nuk është mirë të jenë shumë të zëshëm ata që kanë fjetur gjumë.

Partitë politike përjetojnë ngritje e rënie. Kur këto janë me përqindje të vogla, edhe mund të sanohen shpejt. Rënia e tanishme e LDK-së është e dyta rënie e saj madhore. Në të dyja rastet ka një simetri. Herën e parë u përgjysmua, nga përgjysmimi i herës së parë i erdhi përgjysmimi i dytë, pra, ky është përgjysmimi i përgjysmimit. Përgjysmimi i parë ndodhi pas ikjes nga jeta e liderit të saj të pakontestueshëm, ndërkaq rrethanat e përgjysmimit të dytë janë krejt të tjera, edhe pse shpejtësia e rënies është e përafërt.

Rënia e parë, dhe për një kohë ndarja më dysh e partisë, ndodhi për shkak të dy pretendtëve për kryetar që e përjashtonin njëri-tjetrin, kurse kësaj radhe, rënia filloi pas prishjes së koalicionit me LVV-në.

Në kohën e zgjedhjeve të kaluara, më pak se para një viti e gjysmë, LDK e LVV ishin pothuaj të barabarta. Me pak mirëkuptim, LVV dhe LDK do të mund të qeverisnin dhe do të mund të kombinoheshin fort mirë për ndreqjen e shumë gabimeve të qeverive të mëparshme. Koalicioni u prish dhe faji për këtë është i barabartë, pavarësisht fajësimeve reciproke të njëra-tjetrës. LVV merrte pjesë në qeverisje për herë të parë, kurse kryeministri nga radhët e saj u tregua qëllimisht kokëfortë dhe, mbase edhe për arsye të tjera, ndërmori hapa që pashmangshëm do të çonin në prishjen e koalicionit. Nga pala tjetër, pra nga LDK-ja, me gjasë lideri i saj kishte vendosur një kurdisje përmes të cilës do të mund të niste prishjen e koalicionit kur të donte. Hoqi një kryetar komune për ta bërë ministër. Pse? Tash po shihet - për ta humbur edhe atë komunë për herë të parë që kur ekziston LDK. (Vetëm zgjedhjet e parakohshme në atë komunë kanë kushtuar rreth gjysmë milioni euro. Nuk e di cili kryetar komune në Kosovë ka mundur të japë kontribut aq të madh si ministër sa të shpaguhet ai gjysmë milion euro që vjen nga taksat e qytetarëve të shkretë. Ndoshta është krejt rastësi, por për të njëjtin individ flitej se kishte kontribuar në nisjen e ‘fesatit’ të karrigeve me rastin e përmbysjes së parë të LDK-së.)

Pas prishjes së koalicionit me LVV-në erdhi harnimi i qeverisë Hoti, me ndihmën edhe të atyre që nuk do të duhej të ndihmonin, apo ndihma e të cilëve duhej të refuzohej. Dorën në zemër, qeveria Hoti, edhe pse me numra minimalë, bëri disa punë të mira dhe nuk qeverisi keq, madje mund të thuhet se ia doli të evitonte ndonjë goditje që lehtë që mund ta hidhte Kosovën në nokdaun apo dhe ta nokautonte. Kjo qeveri u rrëzua me një vendim kontravers të Gjykatës Kushtetuese, një vendim që e nxjerr ta jashtëligjshme edhe qeverine e koalicionit LVV-LDK, një vendim që tani, për ironi, ia pamundësoi vetë Kurtit përfshirjen në listën për deputet dhe mund ta frenojë atë nga marrja e pozitës së kryeministrit së paku edhe për një kohë. (Mbase kjo edhe mund t’i përgjigjet Kurtit, së paku t’i dhënë kohë që ta mësojë pak më mirë detyrën e kryeministrit nga të gjitha aspektet, një pozitë ku nevojitet më shumë sesa ideologjitë partiake, e që nuk kryhet vetëm me sorollatje poshtë e lartë madje duke bërë fushatë partiake gjithë kohën, pozitë nga e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e jo vetëm ata që të kanë votuar, etj. etj.)

Pas prishjes së koalicionit me LVV-në, Vjosa Osmani, ajo që në zgjedhjet e 2019 i printe listës së LDK-së, e vazhdoi rrugën e mospajtimeve të saj me lidershipin e LDK-së, gjë që çoi në shkarkimin e saj nga pozitat që mbante brenda partisë. Kështu, Borëbardhës, që mblodhi dredhëza për LDK-në në zgjedhjet e 2019, tani ia morën shportën. Ajo u shkëput nga LDK-ja, pa u larguar nga rugovizmi, duke marrë një numër të vogël individësh me vete dhe duke formuar grupin e quajtur Guxo me të cilin iu bashkua LVV-së. Këtu përfshiu edhe Donika Gërvallën, të cilës LDK-ja ia kishte harruar kontributin e dhënë mbi dy dekada. Ajo, në një moment, u tërhoq zvarrë për t’u penguar pjesëmarrja e saj në një mbledhje të LDK-së. Këtë pamje, adhuruesit e LDK-së, e sidomos diaspora, nuk do t’ia falnin kurrë liderit të atëhershëm dhe, në rastin e parë që ajo u gjend në një listë për deputete, pa qenë e para në listë, mori mbi 70 000 vota. Nuk kam të dhëna statistikore, por nuk e mbaj mend të ketë marrë dikush numër kaq të madh votash pa qene në krye të listës. Kjo e tregon peshën e gabimit të atëhershëm.

Në këtë situatë, është vështirë të përcaktohet qoftë dhe përafërsisht se sa ka qenë kontributi i grupit Guxo në shtimin e votave për LVV-në edhe pse është e qartë se LVV nuk ka ndërmarrrë asgjë nga zgjedhjet e vitit 2019 për ta bërë vetën më të votueshme.

Përveç LDK-së, rënie kanë pasur edhe partitë e tjera. PDK-ja mund të thotë se kjo ka ndodhur për shkak se (ish)liderët i përfunduan në Hagë, mirëpo rënie pati edhe AAK-ja e Nisma të cilat pak a shumë kanë kryer punë me Hagën.

Nëse për LDK-në mund të thuhet se rënien e solli me fajin e vet, për këto të tjerat mund të nxirret edhe përfundimi se njerëzit janë lodhur nga ‘çlirimi i çlirimitarëve’.

Çdo rënie ndërlidhet me gravitacionin, sa më e madhe lartësia aq më i madh është lëndimi dhe po aq më e vështirë ringritja.

LDK-ja sot është si një krijesë e plagosur rëndë. Madje mund të thuhet se LDK-ja është plandosur përtokë si një planc, të cilin, për ta shfrytëzuar, cilido trimosh/-e që ia mësyen kryesimit të saj nevojitet t’i përvjelje duart mbi bërryla për të nxjerrë diçka të mirë prej tij.

Nga pozita se ku ka rënë sot LDK-ja duhet edhe të niset diskutimi për udhëheqjen e saj të ardhshme. Ristrukturimi i LDK-së është i vonuar por jo i pamundshëm. Ky ristrukturim duhet të jetë i thellë dhe të përfshijë çdo pore të saj, duke përfshirë degë e nëndegë ku janë bërë dallavere pafund. Zgjedhjet në çdo nivel duhet të bëhen duke pasur parasysh kontributin për partinë, e jo përfitimin prej apo përmes saj. Kryesuesit e ardhshëm të partisë as që ia vlen të merren me struktura e individë të së kaluarës. Rënia e fundit flet vetë për ta, kurse partia nuk mund të rimëkëmbet duke u marrë vetëm me kritika ndaj tyre. LDK-ja ka mjaft individë, edhe brenda strukturave udhëheqëse të deritanishme që mund të kenë vizion, gatishmëri dhe energji të duhur për këndelljen e partisë.

Por, të gjithë duhet ta kenë të qartë se periudha e ringritjes mund të marrë kohë dhe se kjo varet nga shumë faktorë, duke përfshirë edhe përformancën e partive të tjera, sidomos të partisë në pushtet.

Mbetet të shihet a do të mund t’ia dalë LVV ta mbajë gjithë barrën e përgjegjësisë që sjellin problemet që i rreshtohen përpara. Shenjat e para nuk janë të mira. Kur merret pushteti, duhet të lihen anash deklaratat populiste. Tani Kurti duhet të dëshmohet me rrugëzgjidhje të problemeve pa lënë mëdyshje të pashije si për problemin e vendosjes së ambasadës në Jerusalem ose jo. Dolën madje në media këto ditë dy letra të drejtuara njëra Netaniahut e tjetra Erdoganit, një veprim ky i pazakontë. Këto letra ishin të formuluara dobët si përmbajtësisht, ashtu dhe nga pikëpamja gjuhësore në anglisht (po e arsyetojmë për këtë sepse këto letra janë praktikisht partiake e jo qeveritare, por, së paku, nuk është dashur të botoheshin). Kurti duhet ta ketë qartë se nëse e refuzon Jerusalemin, mund ta ruajë atë ambasadë vetëm kur Kosovën ta njohë Palestina e ta vendosë ku të dojë atje – edhe pse mund t’i duhet të presë gjatë pasiqë udhëheqja palestineze i jep rregullisht garancione Beogradit se nuk do ta njohë Kosovën. Po kështu, trumbetimi i bashkimit kombëtar (i Kosovës me Shqipërinë) është thjeshtë një mënyrë për t’u ikur problemeve me të cilat, deshi-s’deshi, është i detyruar të merret. Në pikën e bashkimit kombëtar, nga liderët e partive me sado pak peshë, me vete e ka vetëm R. Haradinajn, të gjithë të tjerët që kanë dalë me këtë ide, kanë përfunduar duke thënë se ‘ne do të bashkohemi kur të futemi në Bashkimin Europian’. Kjo i bie që ata që, mirë keq, na i kanë krijuar dy shtete shqiptare, tash të na e bëjnë edhe bashkimin kombëtar duke na anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Bashkimi kombëtar është një aspiratë legjitime që nuk do të shuhet asnjëherë, por, njëherëpërnjëherë, mbetet vetëm një aspiratë, sepse sot për sot kjo nuk mund të realizohet as nga Kosova vetëm, as nga Shqipëria vetëm dhe as nga që të dyja bashkë. Shumë vepra të mëdha kanë si piknisje një ëndërr, por ka dhe ëndrra që nuk realizohen pa u ardhur koha. (Kërkoj falje për këtë digresion).

Ringritja e LDK-së nuk mund të bëhet duke u thirrur vetëm në rugovizëm. Rugovizëm tani pretendojnë se kanë edhe partitë e tjera dhe kjo është një e mirë e përgjithshme nëse partitë e tjera nuk e bëjnë këtë për të manipuluar votuesit dhe për të mashtruar masat.

Në këto rrethana, edhe po të ekzistonte mundësia të rikthehej vetë Rugova, do të nevojitej kohë e durim rugovian për ta këndellë LDK-në.

Urgjentisht, mbase edhe para zgjedhjes së kryetarit të ardhshëm duhet të ndryshohen rregulloret absurde që e vështirësojnë kandidimin e të interesuarve për pozitën e kryetarit e që çojnë drejt zgjedhjeve që para një kohe i kam quajtur ‘me blegërimë’. Është e domosdoshme zbritja e firmave që një individ duhet t’i mbledhë për t’u kandiduar, dhe ky nimër të përfshijë jo më shumë se 50-60 nënshkrime ashtu që të krijohen mundësitë që të kandidojnë 4-5 kandidatë dhe të bëhen votime në disa raunde duke elminuar të fundit derisa të arrihet tek ai që në raundin e fundit merr shumicën e votave. Me këtë do të eliminohej pretendimi i klaneve.

LDK-ja edhe kështu si është qëndron larg më mirë se partitë e tjera në gjithë trojet shqiptare sa i përket zgjedhjes së kryetarëve të saj, por duhet të avancohet edhe më. Mjafton ta shikojnë zgjedhjen e liderit të Partisë Konzervative në Britaninë e Madhe, ku jo vetëm që u mbajtën disa raunde votimi që zgjatën disa javë, por pas përfundimit dhe fitores së kësaj partie, pothuaj të gjithë kandidatët për udhëheqës të partisë kanë sot qoftë pozita ministrore apo të tjera të larta shtetrore. Ata që kandidohen dhe futen në votime për kryetar, edhe nëse nuk fitojnë, mbeten kuadër me vlerë i partisë.

LDK-ja duhet të lirohet tërësisht nga identifikimi i partisë me liderin e saj dhe sidomos duhet t’i pengohet një lideri të partisë të qendrojë ‘mbi dhjetë vite në krye të saj pa korrur asnjë fitore në zgjedhje’.

Kushdo që e merr timonin e LDK-së duhet të gjejë mënyrë ta heqë velin e pesimizmit që ka krijuar kjo rënie si dhe të dijë t’i shfrytëzojë mundësitë e shumta dhe entuziazmuese që mund të nxirren nga ky pësim; ai/ajo duhet ta gjejë rrugën nga problemet te zgjidhjet; t’i vendosë në qendër të qendrës njerëzit dhe nevojat e problemet e tyre; të shfrytëzojë mënyra të reja të komunikimit me njerëzit.

Këtë plandosje, që i ka ardhur si të ishte goditur nga një cunami, LDK-ja duhet ta shfrytëzojë për të marrë të gjitha karakteristikat e një partie të mirëfilltë, përndryshe, gabimet tani e sjellin seriozisht në pikëpyetje ringjalljen apo mbase dhe mbijetesën e LDK-së – fatkeqësisht.

Në fund fare, dua ta përmend vetëm edhe një gjë, që nuk e kam dëgjuar nga analistët e të gjitha trojeve shqiptare, çfarë, ka dashtë zoti, kemi më bollëk, e kjo është se me fitoren e LVV-së ka rrezik që e gjithë hapësira shqiptare edhe një herë të bjerë në kthetrat e së majtës.

Unë personalisht besoj se edukimi i të majtëve tanë është ai që i ka rrënjët te komunistët/stalinistët dhe se të majtët tanë ndryshojnë si dita me natën nga të majtët e shteteve perëndimore evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat