Liria dhe e drejta e vetëvendosjes në Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Opinione

Liria dhe e drejta e vetëvendosjes në Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Nga: Burim Breznica Më: 17 prill 2021 Në ora: 09:54
Burim Breznica

Liria është e drejtë themelore, ideal dhe synim i individëve dhe popujve në mbarë botën. Vetëvendosja është e drejtë e kombeve/popujve për të vendosur për fatin e vet që është futur edhe në Kartën e OKB-së. Fatkeqësisht, ka ende popuj në botë që nuk gëzojnë lirinë dhe as ” vetëvendosjen” për fatin e vet. Edhe shqiptarët nga Kosova, sikurse popuj të tjerë, ishin në grupin e këtyre popujve që nuk gëzonin lirinë e vet deri më 1999 (kur ndodhi çlirimi i vendit) dhe nuk mund të vendosnin për fatin e vet derisa u realizua pavarësia e vendit, më 2008.

Në demokracitë liberale të Perëndimit, liria është një nga të drejtat më bazike njerëzore, ajo është një ideal që ia vlen të luftohet dhe nëse kërkohet edhe të vdiste. Vlera e lirisë është e madhe pasi çmime të larta janë paguar dhe luftëra që është dashur të fitohen si psh. kundër diktatorëve, kundër monarkëve absolut, kundër kishave që sundonin me dorë të hekurt, kundër shtypjes së disidentëve politikë, kundër skllavërisë, racizmit dhe regjime të tjera (B. Dupre, 50 political ideas, Quercus 2010). Vlerën e lirisë e dinë shumica e njerëzve në botë e sidomos ata që kanë qenë të pushtuar, ata që kanë luftuar dhe ata që kanë paguar çmim të lartë për liri.

Vlen të nënvizohet se ”Vetëvendosja” përmendet në nenin 1, paragrafi 2 të Kartës së OKB-së thuhet se ”kombet duhet të zhvillojnë marrëdhënie miqësore duke u bazuar në respektin e parimit të të drejtave të barabarta dhe vetëvendosjen e popujve, dhe të marrin masa tjera për të forcuar paqen botërore” (United Nations Charter, www.un.org).

Roli i presidentit amerikan Uilson dhe debatet ndërkombëtare lidhur me vetëvendosjen

Lidhur me të drejtën e vetëvendosjes janë zhvilluar debate të mëdha ne arenën ndërkombëtare dhe ka pasur kundërshtar të kësaj ideje si psh. fuqitë kolonialiste, federata dhe regjime që kanë shtypur të drejtat e popujve etj. Edhe sot ka kundërshtime nga shtete të ndryshme se kush duhet ta ketë këtë të drejtë. Në vazhdim do të merrem shkurtimisht me disa pika kryesore lidhur me këtë çështje, duke iu referuar kryesisht librit të  specialistes norvegjeze, Dr. Rita Augestad Knudsen, e cila ka shkruar për këtë  temë  në librin e saj : Lufta për liri në diskursin ndërkombëtar çaste të vetëvendosjes (2020 KOHA, për botimin shqip).

Siç është e ditur, ishte ish presidenti amerikan, U.Uilson që në janar të vitit 1918 kishte folur në kongresin amerikan në fjalimin e tij të famshëm 14 pikësh edhe pse nuk e kishte përmendur vetëvendosjen direkt por ajo nënkuptohej. Edhe V.I. Lenini kishte përmendur vetëvendosjen në kohën e ”shkëmbimeve polemike ideologjike me shokët socialistë (1913–1917)” dhe kishin pyetur aleatët se cili është qëndrimi i tyre lidhur me të (f.56). Autorja thotë më tej se ata të dy kanë merita për futjen e gjuhës së ”vetëvendosjes” në agjendën ndërkombëtare (f.31).

Dr. Knudsen thekson se ideja liberalkonservatore ka dominuar në përpjekjet për legjitimim të diskursit për ”vetëvendosje” në arenën ndërkombëtare. Kjo ide ka paraqitur lirinë si mosndërhyrje. Standardi kryesor legjitimues i saj është se liria është paqe (f.16).  Ideja radikale e lirisë e vendos lirinë kundër dominimit, varfërisë dhe jo pabarazisë e jo vetëm kundër ndërhyrjes (f.22).  Gjuha ndërkombëtare e ”vetëvendosjes” që bazohet tek ideja radikale e paraqet lirinë si barazi e jo si paqe, sipas autores (f.23).

Dallimi kryesor mes këtyre dy ideve është se ideja radikale thotë se liria ka të bëjë me statusin e barabartë dhe të pavarur, derisa ideja liberal-konservatore fokusohej në lirinë si paqe, si një rezultat apo si etapë sipas autores (f. 25).

Mbështetja e Leninit për idenë e vetëvendosjes dukej kundërthënëse që tregonte ndaj thirrjeve, për ”mbrojtjen e atdheut”, sipas konceptit kombëtar. Lenini u përball me sfidën e zbatimit të teorive të tij kur popujt, si finlandezët, ukrainasit dhe baltikët e kërkuan pavarësinë (f. 76–77). Ai kritikonte vendet tjera për ”imperializëm” gjersa i kundërshtonte kërkesat e drejta për vetëvendosje të vendeve si më lart me arsyetime ideologjike.

Ishte ish presidenti amerikan U. Uilson që e vendosi gjuhën e ”vetëvendosjes” në agjendën ndërkombëtare në vitin 1918. Presidenti Uilson, nga pozita e autoritetit botëror e mbushi këtë gjuhë me vlerat e tij politike dhe i siguroi audiencë botërore thekson autorja (f.105). Uilson në fjalimin e tij ”katër parimet” më 11 shtator 1918 e përmendi për herë të parë ndërkombëtarisht gjuhen e ”vetëvendosjes”. Ai e propozoi ”vetëvendosjen” si kurë ndaj jostabilitetit, me qëllim që të ndihmoj në garantimin e një rendi paqësor pas luftës: ”aspiratat kombëtare duhet respektuar, tani popujt mund të dominohen dhe qeverisin vetëm me pëlqimin e tyre” (f. 116–117).

Me siguri, presidenti Uilson si një vizionar mendonte se SHBA kishte detyrë lidershipi që t´i ofronte botës këtë shërbim sepse ai dhe amerikanët besonin në idealin e lirisë dhe që popujt, në parim, të vendosnin vet për fatin e tyre. Dhe ky ishte një dallim në krahasim me vendet kolonialiste që ishin kundër dhe siç e pamë më lart edhe në rastin e Rusisë, të cilët përdornin standarde të dyfishta. Në fakt ata e bëjnë këtë edhe sot në politikat dhe diskursin ndërkombëtar.

”Vetëvendosja” në të drejtën ndërkombëtare, rasti i Shqipërisë dhe Ishujt Aaland (Aland)

Pas luftës së parë botërore, gjuha e ”vetëvendosjes” kishte hyrë në diskursin ndërkombëtar politik duke iu falënderuar presidentit Uilson (ajo gjuhë do të zyrtarizohej më 1945 kur vetëvendosja hyri si term zyrtar në Kartën e OKB-së). Rastet e Shqipërisë dhe Ishujve Aaland dallonin në disa mënyra por kishin të bënin me thirrjet radikale për liri në formimin e shteteve të reja, Shqipëria donte pavarësi, kurse Ishujt Aaland kërkonin bashkim me Suedinë shkruan autorja në faqen 161.

Dihet se Shqipëria u bë shtet i pavarur më 1912 por gjatë Luftës së Parë Botërore, statusi i Shqipërisë sikurse i popujve të tjerë ishte i paqartë. Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë që SHBA dhe aleatët e saj e favorizuan përkohësisht për ta venë nën sistemin e mandateve. Traktati i Londrës i dha Italisë sovranitet të plotë mbi pjesë të caktuara të Shqipërisë dhe kompetenca me mandat mbi pjesët tjera. Traktati po ashtu i ndau territoret e mbetura shqiptare ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, dhe ia premtoi Kosovën me shumicë shqiptare Serbisë, e cila e kishte okupuar Kosovën në vitin 1912 shkruan më tutje Dr. Knudsen (f. 163). Në vitin 1919, shefi i misionit ushtarak britanik në Shqipëri shfaqi simpati për kapacitetin e shqiptarëve për vetëqeverisje, kur iu referua me vlerësime liderit të ”Komitetit të Kosovës”, Hasan bej Prishtina, dhe luftën për pavarësinë shqiptare.  Shqiptarët më 1920 i dëbuan italianët nga rajonet strategjike dhe morën vendin në qeverisje. Presidenti Uilson bëri thirrje për njohjen e kufijve të 1913-s, pa mandat. Më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve e njohu Shqipërinë si shtet anëtar me të drejta të plota (f. 168).

Ishujt Aaland ishin nën sovranitetin finlandez dhe në fund të Luftës së Parë Botërore, popullsia shumicë suedishtfolëse kishte shprehur dëshirë për bashkim me Suedinë. Edhe në këtë rast ishin përfshirë interesat e ndryshme të fuqive të mëdha si psh. Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Finlanda. Suedia kishte argumentuar se ishujt duhet t´i bashkohen asaj pasi ashtu dëshironte popullsia shumicë kurse Finlanda kishte qenë kundër duke thënë se kjo ”është një çështje e brendshme e tyre”. Në fund një komitet i përbashkët nga vende të ndryshme propozoi që ishujt Aaland të fitojnë një lloj autonomie të gjerë por formalisht do të mbeteshin nën sovranitetin e Finlandës, dhe ashtu u vendos (f.168-179).

Vetëvendosja dhe liria në rastin e Kosovës në GJND

Dihet se Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Kurse shteti që filloi katër lufta në Ballkan dhe bëri krime të tmerrshme kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe sllovenëve, pra Serbia, e dërgoi këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke kërkuar mendim këshillëdhënës rreth ligjshmërisë së deklaratës. Shtete të ndryshme argumentuan pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Pjesëmarrës në këtë proces ishin kuptohet edhe 15 gjyqtarët e GJND. Ata ishin zgjedhur ndaras më herët nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Këshilli i Sigurimit dhe ata do të përfaqësonin mendimin e tyre dhe jo të qeverive të tyre.

Kosova e kishte përdorur gjuhën e ”vetëvendosjes” në thirrjet për shtetësi para rastit në GJND, as OKB e as ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar nuk kishin diskutuar rreth Kosovës me terma të tillë (f. 284). Një supozim i përbashkët në GJND ishte se në kontekstin jokolonial, vetëvendosja duhej, në rradhë të parë, të zbatohej pa krijimin e një shteti të ri. Në mjediset jokoloniale mënyra e kryesore e arritjes së vetëvendosjes duhej të ishte e ”brendshme”. Shumë shtete paraqiten qëndrime identike që ”vetëvendosja e brendshme” nënkuptonte të drejtë në ”pjesëmarrje” (psh. Shqipëria), qeveri përfaqësuese (Holanda), ”autonomi territoriale” si mënyrë e realizimit të vetëvendosjes së brendshme (Gjermania, Finlanda, Shqipëria etj.). Kurse Rumania që ishte kundër përmendte psh. respektimin e të drejtave të njeriut (f. 288). Mbështetësit e Kosovës përkrahën ”vetëvendosjen e brendshme”. Ata argumentonin se pasi që Serbia kishte ndërhyrë te ”vetëvendosja e brendshme” e Kosovës, nëpërmjet shtypjes në vitet ´90-ta, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme, dhe shtetësia e saj legjitime (psh. Shqipëria, Gjermania, Danimarka, Zvicra etj.). Në përgjithësi vetëm Finlanda kishte përdorur gjuhë të fortë të vetëvendosjes për Kosovën, të tjerat ishin më të rezervuara (f.288–289).

Shumica e vendeve mbështetëse të Kosovës përdorën një argument të kundërt me atë të vetëvendosjes, por një kombinim rrethanash të jashtëzakonshme që i kishte dhënë legjitimitet shtetësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës u arsyetua si rast ”sui generis”, ishte përjashtim i vetëm i rregullit të moslejimit të popujve ta krijojnë një shtet të tyrin (psh. Gjermania, Danimarka, Kosova, Irlanda, Anglia, Letonia). Gati gjysma e shteteve që argumentuan kështu nuk përmendën vetëvendosjen (SHBA, Kroacia, Bullgaria, Franca etj.). Kurse gjysma tjetër duke përfshirë Kosovën cituan ”vetëvendosjen” si pikë dytësore (Danimarka, Gjermania, Letonia, Irlanda, Sllovenia, Kosova etj). Këto shtete argumentuan se brutaliteti i Serbisë prej 1989 e tutje, veçmas gjatë luftës 1998–1999, shpërbërja e ish Jugosllavisë, statusi i Kosovës nën administrim ndërkombëtar që nga viti 1999 dhe negociatat e udhëhequra nga OKB që në fund dështuan, nuk i kishin lënë vend tjetër zgjidhjeje përveç pavarësisë (Anglia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Letonia, Sllovenia, Kosova etj.). Disa vende kishin përmendur edhe statusin special të Kosovës në kuadër të ish RSFJ (Danimarka, Japonia, Irlanda etj.). Japonia dhe Irlanda kishin përmendur edhe vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi  , shkruan Dr. Knudsen më tej në faqet 292–293. Tjetër argument i fuqishëm pro Kosovës atëkohë ishte se shtetësia e Kosovës ishte legjitime si korrigjim i jashtëzakonshëm ndaj ndërhyrjes serbe, Kosova ishte e pavarur prej një viti (dmth. në vitin 2009) shumë shtete e kishin njohur atë, dhe ishte në një proces shtetndërtimi funksional. Pastaj përmendej edhe Plani i Ahtisarit, i cili u miratua nga udhëheqja në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, SHBA dhe shumica e vendeve evropiane. Plani rekomandonte pavarësi të kushtëzuar dhe të ”mbikqyrur” për Kosovën, me të drejta shtesë për minoritetet. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës si dhe Kushtetuta e saj, e përcaktonin planin e Ahtisarit si aktin sipëror juridik të vendit vazhdon më tej autorja (f.301).

Në vend të përfundimit

Argumentimi se pavarësia e Kosovës duhej të legjitimohej si rast ”sui generis” u bë për të parandaluar konfrontimin me përkrahësit e Serbisë, se rasti do të vendoste precedent të rrezikshëm në rendin  ndërkombëtar. Shtetet përkrahëse të Kosovës arritën të argumentojnë me plot sukses se pavarësia e Kosovës do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit të rajonit dhe njëkohsisht Kosova do të siguronte lirinë dhe do të qeveriste me vendin vet në të ardhmen.  

Mendimi përfundimtar këshilldhënës theksoi përfundimisht se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, dhe ky mendim e njohu vullnetin e një populli për liri dhe barazi.  Dhe duke nxjerr një përfundim të tillë, GJND dha një kontribut të madh për vënien në vend të drejtësisë për Kosovën dhe shtetasit e saj si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë).

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat