Një vendim i DASH, që “mban erë” njëanshmëri dhe qëndrim selektiv...

Opinione

Një vendim i DASH, që “mban erë” njëanshmëri dhe qëndrim selektiv...

Nga: Xhevat Mustafa Më: 1 korrik 2021 Në ora: 20:25
Xhevat Mustafa

Siç është bërë e ditur para rreth 4 javësh nga mediat amerikane, botërore e shqiptare Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka firmos më 08.06.2021, një urdhër ekzekutiv, përmes të cilit synon bllokimin e pasurive të personave, të cilët sipas autoriteteve amerikane kanë cënuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe u ndalon atyre hyrjen në SHBA.

Më saktësisht bëhet fjalë për rishikimin e një urdhri ekzekutiv të vitit 2001, i cili më parë përfshinte shtetet e ish-Jugosllavisë, por që tashmë do të përfshijë edhe Shqipërinë.

Në urdhrin ekzekutiv të Biden bien në sy pikat:

(i) si përgjegjës apo bashkëpunëtor, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejt, në shkelje, apo vepra që cenojnë paqen, sigurinë, stabilitetin apo integritetin territorial të çdo zone apo shteti në Ballkanin Perëndimor.

 (ii) si përgjegjës apo bashkëpunëtor, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejt, në veprime apo politika, që cënojnë proceset apo institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor.

 (iv) si përgjegjës apo bashkëpunëtor, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejt, në raste serioze të shkeljeve me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor.

                                                                                                                                          

Më herët, më 20 maj 2021, duke komentuar vendimin për shpalljen non grata të z. Sali Berisha,  Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer i tha “Zërit të Amerikës” se “përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsionin...Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht." Por disa veprime të kohëve të fundit në vetë SHBA( edhe gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020)  e në Shqipëri, para dhe pas këtij urdhëri ekzekutiv, i japin shumëkujt, jurist, politikan, analist politik, qytetar i thjeshtë...arësye jo të fantazuara, që ta  marrin këtë deklaratë me rezerva dhe defiçit jo të pakët. 

A nuk shpreh njëanshmëri dhe qëndrim selektiv fakti që me "non grata", për motiv kryesor nivelin e lartë edhe të korrupsionit, Biden- Blinken "kanë harruar" se për këtë dukuri e kriter, pak ditë më pare, saktësisht më 22 qershor 2021, nga një vrojtim i Bankës Botërore e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria u rendit e dyta në botë për ryshfet,( korrupsion), pas Zambias.

Le t’i shtojmë këtj fakti korrupsionin masiv me vota-blerje dhe vota-vjedhje më 25 prill 2021. Siç shkruhet edhe në mapo.al, më 23.06.2021, “reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kanë dhënë vlerësimin e tyre për zgjedhjet e 25 prillit, duke renditur disa nga shqetësimet që shoqëruan proçesin. KiE evidenton se “proçesi ishte përgjithësisht i qetë, por kishte probleme me mënyrën si u bë fushata, nga përdorimi i të dhënave personale nga partia në pushtet, përdorimi i funksioneve publike në fushatë e deri te fenomeni i shitblerjes së votës...”! Duke iu referuar pikave (ii) dhe (iv) të urdhërit ekzekutiv të presidentit Biden, a nuk përbëjnë vjedhja dhe shitblerja e votës, nën hundën e Edi Ramës, si kryetar dhe kryeministër i PS-Rilindjes“, “veprime apo politika, që cënojnë proceset apo institucionet demokratike si dhe raste serioze të shkeljeve me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor.”???.                                                                                                   Së fundmi, po i referohemi një fakti fare të freskët, të dt.26 qershor 2021. Sipas  Raportit Botëror të Drogës së Kombeve të Bashkuara për vitin 2020, i cili mbulon periudhën ndërmjet 2014-2018, Shqipëria renditet e  e para në Europë dhe e 6-ta në botë për furnizimin e Evropës me kanabis.

Përpara, Shqipërisë renditen vendet si Irani, Libani, Pakistani, Afganistani dhe Maroku.

Në Evropë, Shqipëria dhe Hollanda janë dy vendet kryesore si vende origjine, trafikimi dhe tranziti për kanabisin. Shqipëria është i vetmi vend origjine, tranziti dhe trafikimi direkt në Evropën Juglindore. Gjithashtu, raporti gjeti se trafikimi i kanabisit ra në periudhën 2010-2016, por ai u rrit në vitin 2018. Raportet e mëparshme nga Interpol dhe Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe varësisë nga droga (EMCDDA) zbuluan se kultivimi i kanabisit në Shqipëri pritet të rritet.   

Logjikshëm nga shumëkush mund të shtrohet pyetja: mos vallë Presidenti Biden dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken "kanë harruar" edhe se kryeministër i këtij vendi, domethënë  i Shqipërisë, më 2013-2021, e cilas rënditet në vendet e para për korrupsion, kultivim dhe trafikim kanabisi, është Edi Rama dora vetë, i përfolur prej shumë kohësh në media, edhe si një nga “bijtë për shpirt” të Xhorxh Sorosit!!!???  Po kështu, Blinken dhe Biden kanë “harruar” edhe se vartësit dhe ish vartësit e tyre Palmer, Grenell, Kushner, me “kryeveprën” e  tyre të “MiniShengenit Ballkanik”, që “rastësisht” favorizon krejt hapur Serbinë dhe dëmton sidomos Kosovën dhe Shqipërinë, nëse do të bëhet një analizë e thellë, e sinqertë dhe transparente, pa apo me dashje, mund të kenë bërë shkelje të pikës (i). Nëse nuk do të kishte qëndrim të njëanshëm dhe selektiv nga DASH këta mund edhe të penalizoheshin, ashtu si shkruhet në këtë urdhër ekzekutiv të presidentit Biden, në pikën (i), si “përgjegjës apo bashkëpunëtor, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejt, në shkelje, apo vepra, që cënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin apo integritetin territorial të çdo zone apo shteti në Ballkanin Perëndimor...”   

Megjithatë, pa menduar të bëhem avokat mbrojtës i Berishës, në të kundërt, duke pasur plot vërejtje të tjera për atë dhe duke e kritikuar në shumë shkrime të botuar, për autoritarizëm, për ligjin 7501; për tolerancën e pajustifikueshme ndaj firmave piramidale; për përzgjedhje krejt subjektive e zhgënjyese të numrave 2 në kryesinë e partisë dhe qeveritë e PD-së si dhe të disa ministrave dhe zv.ministrave të korruptuar, që i kam cilësuar edhe “kuaj Troje” dhe “mishëra të huaj në PD”, gjykoj se  kronologjikisht, mund të justifikohet fillimi me Berishën! Por, jam edhe i mendimit se “...për nga volumi, përmasat, niveli..., lista e “non gratave” në Shqipëri mund të fillohej me figura të larta të "së majtës", e përmbytur prej 30 vjetësh nga korrupsioni shumëformësh apo gjithëfarllojshëm, duke infektuar me këtë virus të gjitha nivelet dhe hallkat qeverisëse,  institucionet, administratën, mbarë strukturën shtetërore e civile...! Aq më tepër që Berisha ka "meritën" dhe " mëkatin" që ka bërë oligarkë shumicën e miliarderëve të "së majtës" dhe i ka "dhuruar" asaj, pa apo me dashje, qysh më 1996, pushtetin ekonomik, të cilin, sidomos gjatë mandateve të tyre qeverisëse, e kanë shumëfishuar kryesisht me rrugë e mënyra korruptive, allaamerikane, (në vitet 1920-1950), alla napoletane e allasiciliane, (me kulm vitet 1950-2000), allashqiptare e allasocialiste, nga 1991-2021! Megjithatë, të shpresojmë se do të realizohet shprehja filozofike popullore: fillimi i mbarë gjysma e punës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat