Lum kush të rrojë, “parajsën” e Rama- rilindjes ta gëzojë!

Opinione

Lum kush të rrojë, “parajsën” e Rama- rilindjes ta gëzojë!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 9 prill 2022 Në ora: 08:00
Xhevat Mustafa

Lum, ne, shumica e pensionistëve të "Shqipërisë së rilindur" apo edramiane, nëpër qytete e fshatra! Në një "ditë të shënuar", që mund të quhet festa e politikës dhe qeverisjeve kombëtare shqiptare, më 1 prill 2022, na janë "rritur"(rimbursuar) me rreth 3.3 % pensionet!

Edhe këtë herë, si çdo vit, "duke harruar krejt rastësisht" se sa na janë rritur çmimet, faturat e energjisë elektrike, ujit, ilaçeve, spitaleve, gjykatave, hipotekave, ushtritë e të papunëve, të të falimentuarve, të lypsarëve, emigrantëve...,pra, kostoja e jetesës në përgjithësi!

Më shqip, duke “harruar” se edhe gjatë vitit 2020 e 2021 na u rritën lart e më lart, sa katet e kullave te reja në mes të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës..., papunësia, varfëria, emigracioni, kriminaliteti, huamarrja pa mundësi shlyerjeje apo kthimi, borxhet, sëmundshmëria, vdekshmëria...

Duke kërkuar arsyet e kësaj “harrese” mund të gjejmë se ato janë të forta e “të justifikueshme” për këtë periudhë rënduar nga një lëmsh krizash allashqiptare e ndërkombëtare. Kjo “harresë” mund të ketë ardhur nga mbingarkesa e stërmadhe me PPP-ra, koncesione, tendera; nga arrestimet e reja ish ministrore apo në rang zyrtarësh të mesëm e të lartë nga fronti qeveritar prej skandalit të inceneratorëve? Ose nga përpjekjet e ethshme për t’i futur “pyka” apo “kukulla sorosiane” të vjetra e të reja PD-së në Tiranë dhe VV-ë e qeverisë së Albin Kurtit në Prishtinë; për ta rrëzuar Albinin e padëshiruar nga Beogradi dhe Vuçiçi e për të vënë një tjetër të pranueshëm prej tyre e që do të vrapojë për ta gremisur Kosovën në “Ballkanin e hapur”?

“Harresa” apo “padijenia” apo “keqinformimi” se çfarë ndodh në tregje, me mallrat e ushqimit jetik të përditshëm dhe me çmimet e tyre, mund të jetë rrjedhojë edhe e  vramendjes së madhe  për të “pjellë”apo gjetur të gatshëm presidentin e ardhshëm, që të mos jetë kokëshqiptari e skraparliu si Ilir Meta, por kokë edramisti apo “kukull”, që i shton Edi Ramës doza optimizmi, autoritarizmi, sulltanizmi, enverizmi, sheikizmi, putinizmi, erdoganizmi...?

Ndoshta mund të ketë ardhur edhe nga stërmundimi për “frymëmarrje artificiale” për të mbajtur gjallë “foshnjën e vdekur qysh në barkun e nënës”, me emërtimin “Ballkani i hapur”, hedhur poshtë edhe nga e mirënjohura, Sonja Biserko, Presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, në një intervistë ekskluzive për Albanian Daily News në një nga ditët në fillim të këtij prilli?

Mund të ketë Rritja apo rimbursimi i pensioneve për vitin 2022 me 3. 3% si dhe  shuma 3.000 lekë vetëm për 3 muaj për pjesën me pensione të ulëta, nën 16.000 lekë, është "marramendëse" dhe tronditëse, larg qoftë deri në atak kardiak, për shumicën e pensionistëve, me pensione nga 12.000- 25.000 lekë si dhe për ata që marrin si mbështetje sociale mujore rreth 6.500-.7.500 lekë, pra, për familjet si numër jo të pakta dhe tejskajshmërisht të varfëra. Duke u shprehur me shifra konkrete, rritja është afërsisht baraz me 400- 650 lekë në muaj.  

Meqenëse Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mendon dhe pandeh se një njeri në Shqipëri duhet të fitojë 130 deri 140 euro që të mos konsiderohet i varfër dhe që familja mund të jetojë mirë, shumëkujt prej pagamarrësve apo pensionistëve u takon të shtrojë pyetjen: nga vjen kjo ministre” Nga Tirana apo nga Marsi e Hëna? A i bën vetë blerjet për familjen e saj apo ka ndonjë shërbëtore?

Për ta ndihmuar ministren që të kuptojë koston e vërtetë të mbijetesës në Shqipërinë e sotme po i japim disa shifra apo çmime. Në artikuj ushqimorë e të tjerë, rritja e 1 prillit 2022 është saktësisht ose afërsisht sa 1. 5 kg gjizë, që këto javët e fundit na është bërë 300 lekë kilogrami, sa 1.5 kg. reçel, sa 0.25 kg mjaltë, sa 1.5-2 kg groshë, sa 3-4  kg qepë të thata, patate, presh, sa 3-4 kg  portokalle ose mollë, sa 1 kg sardele ose peshk qefull, sa 1 kg djathë të lirë, 400-500 lekë kg, sa 0.75- kg gjalpë të patretur; sa 0.50- 0. 75 kg mish apo sallam derri, rreth 700 lekë, sa 300-400 gr. arra të thata, bajame të qëruara, lajthi...tek Pazari i Ri...në Tiranë!

Ose sa 1-3 paketa cigare, 4-5 shishe birra Tirane, Korçe, Peje...; 1-2 shishe gjysmë litërshe raki Permeti, Skrapari apo Berati...Ose sa vlera në lekë e një gjysmë aboneje të përgjithshme udhëtimi  me autobusë nëpër linjat e brendshme të Tiranës...Ose, ose sa për 1-2 palë brekë, kanatjere, fanella....Me këto çmime të të gjithë artikujve të sipërpërmendur na takon "të mburremi" se ia kemi kaluar me 25- 50 %  edhe...Gjermanisë, me paga e pensione rreth 5- 10 herë më të larta!

Ky vendim apo akt i ri, gjoja për përkujdesje sociale, përbën njëkohësisht një dëshmi të re se  partitë komunisto- socaliste kanë mësuar nga klasikët e tyre si dhe nga Enver Hoxha se mund të mbretërojnë gjatë në një vend e popull, ku ka masivisht varfëri, injorancë, paqytetari, fanatizëm, partishmëri dhe bindje të verbër ...apo skllavi!

Apo, ku partia dhe kryetari dëgjohen, mbështeten, votohen, duhen edhe më shumë se vetvetja dhe familja!!! Edhe kur të mashtrojnë sy më sy; edhe kur të nxijnë jetën dhe atdheun..., edhe kur të detyrojnë t'i çosh emigrantë nëpër vende të botës Perëndimore fëmijët, me nuse e me nipër dhe mbesa për një punë më të mirë, pagë disa fish më të lartë, jetesë disafish më të begatë..., krejt apo thjeshtë normale, për standardin evropianoperëndimor!

Tani, me një dozë humori, me rezultatet e 12 pikave të “Këshillimit kombëtar”, sidomos me dy prej tyre, atë të legalizimit të kultivimit të kanabisit(nga 61% e rreth 550 mijë shqiptarëve, domethënë e rreth 350 mijë vetëve)  dhe të miratimit të “Ballkanit të hapur”(nga 59% ose rreth 300 mijë vetëve) mund të mendojmë me pozitivistet dhe optimizëm se do të dalim nga ky ferr 8 vjeçar në parajsë, me ndihmën e Zotit, aty nga 29 nëntori 2044. Ndoshta në mungesë të ndjeshme të ushqimeve normale, mund të mbijetojmë deri atëherë duke ngrënë edhe gjethe e degë kanabisi shqiptar të zier për supëra e turlira ose me grurë, misër, tagji për kuajt dhe pelat e Serbisë, ardhur në kuadër të Minishengisë...!

Gjithsesi, në shenjë mirënjohjeje për këtë “rritje të re marramendëse të pensioneve”(tallëse, qesharake dhe fyese, deri në pashpirtësi) na takon që të thërrasim deri sa të ngjiremi e të na dëgjojë e gjithë bota: të na rrojnë sa malet e Ksamilit, Nartës, Divjakës, Gjirit të Lalëzit, Spillesë Qerretit, Malit të Robit, Golemit të Kavajës; Shkëmbit të Kavajës, Plazhit dhe ish kënetës së Durrësit, Ishmit, Kasharit, Hamallajt, Fushë- Krujës, Tales, Ishull-Lezhës, Shengjinit, Velipojës...Edi Rama dhe qeveria e tij, që prej mbi 8 vjetësh është shkrirë për këtë popull si...akullore apo si qiri, si askund jo vetëm në këtë botë, por në gjithësi! Me këtë rritje të re “stratosferike” të pagave dhe pensioneve shumë nga përfituesit, nëqoftëse nuk dëshirojnë të shkojnë për nja javë pushime në Antalia apo Dubaj, le të shkojnë në...Sarandë, Vlorë, Kavajë...!

Kështu, u jepet arsye edhe ushtrisë së edramistëve të vjetër e të rinj, me statusin e patronazhistëve të sotëm apo komisarëve të moçëm,  të mburren dhe të justifikohen para Shefave  se puna e tyre e palodhur, mes pjesës së shumtë të popullit, mbingarkuar me zhgënjime, pakënaqësi, ankesa, kritika, kërkesa...ndaj qeverisë, ka dhënë fryte. Domethënë, nuk ka përfunduar nëpër koshat e plehrave nëpër qytete ose nëpër kodrat me plehra pranë inceneratorëve.... Apo si qeset e plastmasit, pampersat e foshnjave, lines-at e femrave...,   brigjeve të Vjosës, Semanit, Osumit, Shkumbinit, Lanës, Erzenit, Lumit të Matit, Drinit, Bunës si dhe liqeneve të Prespës, Pogradecit(Ohrit), Liqeneve të Lurës, Liqenit të Shkodrës...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat