Pse hesht presidentja Vjosa Osmani?

Opinione

Pse hesht presidentja Vjosa Osmani?

Bejtullah Sokoli Nga Bejtullah Sokoli Më 18 shkurt 2026 Në ora: 16:37
Vjosa Osmani

Po habitem dhe çuditem me heshtjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili erdhi në Prishtinë, si duket, me të vetmin qëllim t’u tregojë qytetarëve të Kosovës se: “Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për dy vite ka qenë e ‘kërcënuar’ nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.”

Mirëpo, kanë kaluar tre ditë nga kjo deklaratë e Ramës, dhe si është e mundur që presidentja të mos thotë asnjë fjalë për këtë ngjarje të para dy viteve? A e dini kush mban përgjegjësi për këtë heshtje të presidentes së Kosovës? Mos vallë fajin për këtë heshtje e ka edhe kryeministri Rama?

Ç’është e vërteta, si është e mundur që Vjosa Osmani deri më sot të mos thotë asnjë fjalë lidhur me këtë “kërcënim”? A ka ndodhur apo jo?

Dilema: Pse hesht Vjosa? Qile zonjë gojën! Dil dhe tregoji popullit të Kosovës se çfarë ka ndodhur. A është e vërtetë apo e pa vërtetë? Gënjeshtër apo blerje favore nga ana e Edi Ramës?

A do të thotë kjo heshtje e presidentes pajtim me “kërcënimin” e ndodhur për dy vite nga Gjykata e Specializuar në Hagë?

Mst: Rama: “Po ju tregoj një sekret”

Pra, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën erdhi në Prishtinë, ashtu siç pati vepruar para disa vitesh, kur erdhi me helikopter për t’u bërë presion 120 delegatëve të Kuvendit të Kosovës që të votonin Gjykatën e Specializuar në Hagë. Gjatë promovimit të librit Kur heshtja flet nga Prof. Dr. Ahmet Shala, Rama deklaroi se: “Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar për dy vite nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.”

Sipas Ramës, këto kërcënime erdhën pasi Osmani nuk lejoi që prokurorët të kërkonin provat e krimeve kundër njerëzimit edhe në zyrën e Presidentit në Prishtinë. Ai i cilësoi kërcënimet ndaj provave në Presidencë si një dhunë ndaj institucionit.

Tutje, kryeministri i Shqipërisë ka pohuar se kjo mund të jetë sekret shtetëror në Kosovë, por sipas tij, nuk është sekret për të që presidentja e Kosovës është kërcënuar. “Është kërcënim sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, me pretendimin se do të kërkonin aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit,” ka deklaruar ndër të tjera kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, pa specifikuar konkretisht në cilin vit ka ndodhur kërcënimi. Ai iku në Tiranë pa dhënë këtë përgjigje dhe pa marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të 18-të të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.

Mst: Punët llugë në Shqipëri, vjen në Kosovë dhe mban fjalim “patriotik”.

Tani lind pyetja e pashmangshme: A ishte e nevojshme që qytetarët e Kosovës të prisnin kaq gjatë që të vijë Edi Rama nga Shqipëria për t’u treguar opinionit publik se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë dy viteve ka qenë e kërcënuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, me qëllim që ajo të lejojë prokurorët të kërkonin provat e krimeve kundër njerëzimit edhe në zyrën e Presidentit në Prishtinë?

Do të ishte shumë më mirë që kryeqeveritari i Shqipërisë t’i shqyrtonte punët në shtetin e tij, të cilat janë llugë në të gjitha fushat e jetës dhe të punës së qytetarëve të shtetit amë, sesa të vijë fluturimthi në Kosovë dhe të na tregojë “sekretet” e shtetit tonë duke mbajtur një fjalim “patriotik”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat