Zoti e ruajt Edi Ramën dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë!

Opinione

Zoti e ruajt Edi Ramën dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë!

Nga: Tim Shkupi – Musa Lamallari Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 17:37
Edi Rama me gruan e tij

Të vendosh titullin “Edi Rama ëndërron në ditë për diell!” për të sulmuar Samitin e Diasporës të organizuar nga Kryeministri i shtetti Shqiptar, z. Edi Rama, do të thotë se Muhamet Kelmendi nga Peja ëndërron në natë për Diell dhe jo për Hënë dhe ndriçimin e saj, pasi nga CV-ja e tij funksionon vetëm terri në Natën kur edhe Hëna si planet në rrotullimin e saj humbet për t’u rishfaqur përsëri si Hënë e Re, pikërisht aty kur i prishen edhe ëndrrat e folk-patriotizmit të pakorrigjuar të një veprimtari të LPK-së, si ka qejf ta njohin të tjerët z. Muhamet Kelmendin, shokun e Ali Ahmetit, që deri sa na e sollën në Maqedoni vepronin vetëm me ëndrra të natës dhe nuk e shihnin në ditë Diellin e shqiptarëve në gadishullin Ilirik.

Një pjesë e LPK-së vërtetë kanë probleme në të menduar, në strategji e taktika politike, të kuptojnë politikat rajonale, kontinentale dhe ndërkombëtare. Nuk shohin më larg se vorbulla e tyre dhe duke qenë pjesë e një historie të dhimbshme të shqiptarëve, ditë e më shumë po bëhen të padurueshëm, jo pse duam t’ua mohojmë ndonjë kontribut të tyre, por ndërkëmbëzat dhe grindjet e tyre brenda llojit, sikurse shfaqet sot grindja e Muhamet Kelmendit me Ali Ahmetin dhe shumë të tjerë, vetëm po tregon se sa kafshatë e madhe për tipat e këtillë është shqiptaria në komb-shtetin e Kosovës me flamurin “mavi-mavi” dhe në komb-shtetin e Ali Ahmetit me flamurin ventilator, ku deshqiptarizimi i Maqedonisë e ka një emërues të përbashkët sa më larg NATO-së dhe BE-së, përkundër retorikës mashtruese të tyre.

Kur në samitin e parë të Diasporës foli Edi Rama “Ne kemi fatin qe jemi ne Evrope (…). Jo dikund ne ndonjë pjesë tjetër të botës (…). Shqiptaret do te bashkohen ne Bashkimin Evropian (…). Ka kaluar koha e stergjyshereve tanë për bashkim te kombit shqiptar në formën e tyre tradicionale (…).

Këtë konstatim të Edi Ramës, që kemi FAT se jemi në Evropë, në NATO, pa dyshim më së miri e ka përshkruar këto ditë Ahmet Davutoglu: “Bosnje Hercegovina dhe Kosova do të ishin si qyteti sirian Aleppo, nëse nuk do të ishte ndërhyrja e NATO-s”

Nëse mendon dikush se nuk e di Edi Rama se çfarë është Bashkimi Kombëtar, si bëhet ai dhe si duhet të punohet për të, jo që është i paditur, por me paditurinë e tij bëhet i bajatshëm.  Kurse kjo kur thuhet nga mendësia e disa lpkistëve (sa për të thënë diçka) të ngjallë edhe neveri, sikur të ishte fajtor Edi Rama për problemet dhe krizën politike në Kosovë dhe Maqedoni.

Kjo neveri bëhet edhe më e madhe, kur e lexon se Muhamet Kelmendi do që ta frikëson Edi Ramën, njëjtë sikur Ali Ahmeti që do t’i frikësojë shqiptarët e Maqedonisë me zjarrin e Rusisë: “Ka rrezik që UE të shpërbëhet. Aq më tepër kur UE veç po shkatërrohet gradualisht, sidomos pas daljes se Anglise.” Këtu përfundon gjithçka me Muhamet Kelmendin, me Ali Ahmetin e shumë të tjerë. Nuk të duhet më shumë asgjë ta kuptosh se (pahiri) janë në një vijë me gjysmën e opinionit të Serbisë. Kështu që kritikuesve të këtillë të samitit të parë të Diasporës nuk bën t’u shfletohet një libër i shkollës fillore, lëre të flasësh me ta për platforma kombëtare dhe për planet A, B, C e të tjera të shtetit Shqiptar.

Nuk e di pse e gjithë kjo xhelozi. Nuk e di pse disa e përdorin çdo reagim të ndonjë shoqate aty-këtu në Perëndim të shkruajnë me energji negative për takimin e parë të bashkatdhetarëve në Tiranë. Ne e dimë se ka probleme në Shqipëri. Ka pozitë dhe opozitë. Ka të pakënaqur, sikurse e dimë se shoqata “Vatra” e Bostonit nuk është ajo e kohës së Faik bej Konicës, Fan Nolit e shumë të tjerëve. Këta të “Vatrës” sot nuk janë kujdestar të kombit. As nuk mund të përcaktojnë rregulla mbi të tjerët, derisa rregulla nuk ka përcaktuar as qeveria Shqiptare, e aq më pak Edi Rama për 1000 bashkatdhetarë shqiptarë pjesëmarrës nga 40 shtete të botës në takimin e parë të Diasporës “TË PANDARË PËR SHQIPËRINË”

I pandarë për Shqipërinë bëhesh me energji pozitive. Jo duke tentuar të gjesh pyka vetëm që të shprehish energjinë negative, xhelozinë dhe mllefin pse sot PS-ja qeverisë Shqipërinë, sepse nesër mund ta qeverisë PD-ja. Nuk e di një bashkatdhetarë, një shoqatë nga Perëndimi që pati reaguar kur ish kryeministri Sali Berisha ishte i lidhur ngushtë me shoqatën “Vatra”. Tani kjo energji pozitive si rrjedhojë edhe të atyre më parë, duhet përshëndetur dhe nga fjalët të kalohet në vepra, kur të gjithë në samit e thoshin fjalën e JFK-së: “Mos pyet se çfarë bëri vendi yt për ty, por ti çfarë bëre për vendin tënd” Të lumtë Mark Gjonaj!

Disa (b)analistë e portale anti-Ramë nga Shqipëria filluan të merren me ide konspirative. Sikur i tmerroi Samiti i Diasporës se po rilind diçka e re në Tiranë dhe ata ngurruan të na tregojnë për impresionet e shteteve fqinjë. Disa shkuan aq larg sa paturpësisht shkruanin sikur Edi Rama si strehë të fundit e paska Diasporën Shqiptare, disa filluan të zbulojnë lidhjet e Edi Ramës në SHBA, duke aluduar në biznesmenë shqiptar që do ta ofrojnë Ramën me Trump.  E çfarë paturpësira tjera dëgjon nga disa të ashtuquajtur analistë si Andi Bushati, ku mundohet ta kërkojë engjëlloren vetëm tek Edi Rama dhe tek fqinjët (serbë dhe grekë) e kërkon ndihmën për ta shpëtuar Shqipërinë nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe blerja e votës nga Edi Rama! Në vend se të rishikon shkrimet, qëndrimet e tij se nga ora në orë ndryshojnë. Njëjtë siç po ndryshon Shqipëria nën menaxhimin e Edi Ramës për inati të Andi Bushatit dhe shumë të tjerëve si ai.

Për mua, si përfaqësues i Diasporës Shqiptare për Maqedoni, në 50 vjet e mia të jetës Tokësore, ky Samit i Diasporës me 1000 pjesëmarrës nga 40 vende të botës në Tiranë është ngjarja ime e dytë më e rëndësishme për të prekur edhe më afër për një realitet të ri, për Shqipërinë e Pandarë të shekullit 21, pas atij Takimi në Lubjanë të vitit 1990 në fund të shekullit 20 ku bashkatdhetarët nga gjithandej botës aterronin në Lubjanë për ta ndihmuar lëvizjen për pavarësi të Kosovës.

Ajo atëherë dhe kjo sot kanë një emër të përbashkët TË PANDARË TA BËJMË SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT TË BASHKUAR NË KUFIJTË E EVROPËS SË BASHKUAR.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

Zoti e ruajt Edi Ramën dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat