Deputeti im Flamur Hoxha

Opinione

Deputeti im Flamur Hoxha

Nga: Rexhep Shahu Më: 4 qershor 2017 Në ora: 17:48
Flamur Hoxha

Biznesmeni 50 vjeçar Flamur Hoxha, njeri i sukseshëm ne biznesin e tij të prodhimit të veshjeve, prind shembullor me dy djem e një vajzë, me mbi 300 të punësuar në bizneset e tij, ka pranuar të jetë kandidat për deputet i Partisë demokratike në rajonin e Kamzës.

Ndër herët e rralla që para njerzëve shkon të dalë deputet një njeri i cili është i kompletuar dhe që nuk e konsideron politikën si biznes për t’u pasuruar, por e konsideron mision dhe shërbim për të përmirësuar jetën e njerzëve.

Tek shumë njerëz është krijuar ideja, për fat të keq shpesh e mbështetur në fakte, se përmes politikës mund të pasurohesh. Flamur Hoxha është i pasur materialisht. I ka mbijetuar ndërrimit të alternativave qeverisëse. Në kushte optimale apo në kushte të vështira sipas politikave ekonomike të kohës, biznesi i tij i prodhimit të veshjeve ka ardhur gjithnjë duke u fuqizuar. Edhe në kushte të vështira nuk e ka hedhë fajin tek punonjësit kurrë por është përpjekur gjithnjë të shtojë shpërblimet për punonjësit.

Flamuri ndjehet i pasur edhe shpirtërisht. Ka një familje solide, përjeton kënaqësinë e mirërritjes së tre fëmijëve, dy djem një vajzë, si një dhuratë e jashtëzakonshme që ika dhënë jeta. Në këtë aspekt ai do që secili prej nesh të gëzojë frytet e jetës që në fund të fundit Shqipëria jonë që duam të mos shkretohet, të shtohet e të shumohet e të mos marrë udhët e botës.

Ai hyri në politikë si një rrugë e shtuar, si një mënyrë më tepër për të pakësuar vuajtjet e çdo kujt, për të rritur mirëqenien, progresin e vendit dhe që e kaluara të mos përsëritet.

U kërkon menjëherë njerzëve të votojnë me zemër. Çdokush ka ndjeshmëritë e veta, për të cilat ekziston mirëkuptimi i plotë, por zemra pa mendjen shpesh herë futet në udhë pa krye. Ndaj ai këmbëngul që çdo votues të jetë me mendje të kthjelltë që të dallojë të mirën nga e keqja, grurin nga egjra, të vërtetën nga rrena.

Flamur Hoxha njeriu, që të sheh në sy, që di të dëgjojë, di të heshtë, di të flasë, di të mos mashtrojë.

Ai është njeriu që beson fort se është turp të mashtrosh njerzit.

Ai është njeri i sukseshëm falë shpatullave të veta, falë dimensioneve që jep liria. I sukseshshëm si biznesmen, pa marrë asnjëherë pjesë  në tendera shtetërorë me fonde publike.

Flamur Hoxha është njeriu që skuqet kur flet, që ngrihet në këmbë edhe në kafe kur i afrohet dikush e jo më në zyrë, njeriu që nuk di të gënjejë se nuk e lënë sytë e tij të cilët të shohin drejt në sy.

Flamur Hoxha, deputeti ynë që vjen vetem me mirënjohjen ndaj mirësisë njerzore, që nuk i fshihet askujt, nuk është peng askund, nuk ka arsye t’i shmanget askujt. Ndonëse rrethanat jetësore mund t’i nxisnin ndjenjën e hakmarrjes, ai e sheh të kaluarën vetëm si një dritë për të sotmen e të ardhmen. Të keqen e hakmarrjen e ka lënë pas krahësh, ndaj nuk ka frikë askënd e asgjë. I jep llogari vetem vetes së vet. Njeh detyrimet njerzore ndaj familjes së tij, miqve e shokëve, në rrethin e të cilëve ai përfshin gjithnjë të gjithë njerzit, të njohur e të panjohur.

Para 27 vjetesh Flamur Hoxha përfshihej në rrethin e të përsekuruarve politikë nga regjimi komunist. Në vitin 1975 ia pushkatuan gjyshin, sepse ishte i zoti dhe të zotët nuk i duronte diktatura, që kundër të zotëve godiste me rrufe për të mbjellë kudo frikën e terrorin.

Flamur Hoxha i rritur në internim në rrethinat e Ishmit të Durrësit nuk ka kërkuar asnjëherë të përfitojë asgjë si i përsekutuar nga regjimi komunist. Flamur Hoxha ishte në klasën e dytë të shkollës fillore kur një natë në vitin 1975 e ngarkojnë në karrocerinë e njërës prej gjashtë skodave dhe e degdisin përfundimisht larg Kukësit, qytetit ku u lind, larg fqinjëve, dy Drinave e maleve të vendilindjes së tij dhe e nisin në internim. Me bukë e pa bukë, shpesh duke njomë me lot kotheren e tharë të bukës  që shpesh mungonte edhe fshatrave të Durrësit, ndaj të cilave ruan mirënjohjen e pafund për të gjithë ata që ndihmuan për të zbutur sadopak goditjet e padrejta të regjimit.

Kjo e ka ndihmuar vetëm ta njohë vuajtjen, ta njohë deshpërimin që shkakton ndjenja e vetmisë, e izolimit dhe e përbuzjes. Ai nuk do ta harrojë kurrë skamjen e mjerimin, ndaj prej kohësh është ngritur kundër kësaj gjendje poshtruese për njerzit dhe shoqërinë tonë. Kjo përkon edhe me thelbin e programit të PD për një ekonomi të fortë e të ardhme të sigurtë për të gjithë njerzit, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Ai ka bindjen e plotë se kundërshtarët janë vellëzërit tanë. Ata duhen ndihmuar e përkrahur gjithnjë duke përbuzur hendekun që ndjell përcarja.

Duke njohur vuajtjen e mjerimin dënimin e linçmin politik Flamur Hoxha njeh edhe vlerat e jashtëzakonshme kur dikush të jep dorën, të ndihmon të ngrihesh e të dalësh prej gjendjes së rëndë.

Flamur Hoxha u rrit pa urrejtje. Ai nuk urren. Por natyrisht nuk harron. Nuk harron kur rrinin zgjuar si fëmijë deri në mesnatë që të prisnin babain që do t’u sillte bukë, se nuk kishin ngrënë as mëngjes as drekë dhe mesnata kalonte e as për darkë nuk kishte bukë. Nuk harron lotët e tij që ia digjnin sytë e fytyrën kur vinte me bukë nën sqetull babai i tij në mesnatë dhe ata si zogj të vetmuar fillonin e hanin bukë, bukë thatë dhe i ati i tij nuk i mbante dot lotët tek i shihte fëmijët që hanin ashtu të uritur…

Flamur Hoxha thotë nuk kam kohë të urrej se nuk kam kohë, kam punë, shumë punë dhe nuk fitoj ndonjë gjë nëse urrej përveçse nxij jetën time. Nuk urren edhe pse i kujtohet se si xhaxhai i tij pasi gjen dy bukë, duke dhënë trikon e trupit për ato dy bukë, shkon tek klasa e Flamurit dhe e nxjerr jashtë, kundër dëshirës së mësuesit që nuk lejonte t’i prishej mësimi dhe që nuk kuptonte pse po i prishej mësimi dhe i jep Flamurit të hajë bukë thatë aty në strehën e shkollës sepse vogëlushi kishte mbi 24 orë pa bukë.

Flamur Hoxha është deputeti im. Është meritor sepse ka treguar se është meritor se është i zoti sepse ka shkëlqyer në biznesin e tij. Ka shkëlqyer pasi ka kuptuar në emigracion se po të punosh në atdhe sa punon në vend të huaj, do të të shpërblehet djersa e ballit dhe mundimi i madh.

Flamur Hoxha është deputeti im, është modeli. Është njeriu që nuk e njeh përbuzjen, që nuk din të përbuzë, është njeriu i përkushtuar deri në vetmohim për njerzit e tij e sidomos për njerzit në nevojë. Tani do të jetë i përkushtuar për të gjithë zgjedhesit, për të gjithë njerzit.                  

Ka patur raste që është deshpëruar me Partinë Demokratike, si një pjesë e mirë e anëtarëve dhe simpatizantëve të PD që në këto 27 vjet të mos jetë pajtuar gjithmonë me veprimet e vijën e sjelljes politike të saj, ka patur raste të shumta që deshpërohej prej saj, por kurrë nuk e ka lënë në baltë PD, kurrë nuk është shmangë nga detyrimet ndaj saj. Ai është me PD që në themelimin e saj,i anëtarësuar në këtë parti që me 25 dhjetor 1990. Sponsor i vazhueshëm i PD dega Durrës  në ditë të vështira të saj, duke filluar që nga viti ‘91, e në vazhdim.

Flamur Hoxha nuk e bën gjoksin gropë, nuk e njeh mburrjen, edhe pse ka një dimension që u mungon shumë biznesmenëve, edhe biznesmenëve që punojnë me lekë qeverie. Flamuri ka financuar botimin e një numri librash të rrallë e të munguar në bibliotekën shqipe. Ka financuar librat e zij të urrejtjes serbe që shqiptarët ta dinë se si e kanë shkruar urrejtjen e tyre kundër nesh serbët. Ka financuar botimin e librave të dashurisë së humanistëve francezë për shqiptarët, ka financuar dy libra të humanistëve serbë miq të shqiptarëve. Ka financuar librat e rrallë dhe të papërsëritshëm të profesor Shefqet Hoxhës për visaret e Kukësit.

Flamur Hoxha është sponsor i Revistës Illz, revistë letrare e Tiranës, revista më e mirë letrare që botohet në Shqipëri dhe që përfshin gjithë rajonin e Ballkanit, revistë me bord të nivelit më të lartë.

Flamur Hoxha është njeriu që u duhet jo vetëm anëtarëve e simpatizanteve të Partisë Demokratike, por është dinjitoz të jetë në parlamentin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat