Personalitetet e botës e të vendit për presidentin Rugova

Opinione

Personalitetet e botës e të vendit për presidentin Rugova

Nga: Gani Mehmetaj Më: 8 shtator 2017 Në ora: 07:49
Gani Mehmetaj

Pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova reagimet e ngushëllimet e personaliteteve më të rëndësishme të planetit ishin të shpejta. Ata duke i ngushëlluar shqiptarët, njëkohësisht ua vinin në pah se njeriu i tyre i parë qe ndër burrështetasit më të mëdhenj të shekullit.  

Bill Klinton, president i SHBA-së: “Jam shumë i pikëlluar me rastin e vdekjes së presidentit Rugova. Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Milosheviqit inspiroi botën. Me presidentin Rugova jam takuar shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij. Vdekja e presidentit Rugova është humbje e madhe për Kosovën, por unë shpresoj se vdekja e dr. Rugovës do t'i inspirojë të gjithë kosovarët që të vazhdojnë të punojnë më me ngulm për paqe dhe liri".

Presidenti Bush:  “Presidenti Rugova për shumë vjet udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës. Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe i maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t'ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. Kështu shkroi Xhorxh Bush, president i SHBA-së, pas vdekjes së presidentit Rugova.

Presidenti Shirak. Ndërkaq, Zhak Shirak, president i Francës, në një letër drejtuar zonjës së parë të Kosovës, Fane Rugova, shkruan: “Franca i bën sot homazhe rolit historik dhe kurajës politike që animuan Ibrahim Rugovën për të mbrojtur gjatë viteve 1990 të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe për të punuar në kthimin e paqes dhe pajtimit në regjionin tuaj. Mungesa e bashkëshortit tuaj, tani kur kanë filluar bisedimet për çështjen e statusit final, bëhet edhe më tragjike. Përgjegjësia tani u takon të gjithë përgjegjësve politikë për të marrë përsipër amanetin e tij dhe të shpien në të mirë procesin e negociatave me një shpirt realizmi, tolerance dhe dialogu siç e kishte ai. Franca shpreh urimin që Kosova do t’i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellimit të pajtimit, për t'iu afruar Bashkimit Europian, shkruan Zhak Shirak, president i Francës.

Kryeministri Bler: “Presidenti Rugova ishte një forcë e rëndësishme në jetën e Kosovës, për shumë vjet. Popullariteti i tij në mesin e popullit të Kosovës dëshmon për mbështetje të gjerë për përpjekjet e tij joviolente për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur që kam pasur rastin të takohem me të”.

Kancelari Volfgang Shysel (Kancelar i Austrisë): “Ibrahim Rugova i dha trajtë politikës në Europën Juglindore me personalitetin e tij të fuqishëm. Ai promovoi zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë dhe punoi për të ardhmen e Kosovës pa menduar as për shëndetin e vet. Austria do të vazhdojë me gjithë fuqinë e saj t'i mbështesë përpjekjet për arritjen e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në Kosovë”.

Presidenti shqiptar, Alfred Moisiu: “Humbja e presidentit Rugova është një humbje e madhe dhe e rëndë, jo vetëm për Kosovën, por për cilindo që flet shqip dhe aq më tepër në një moment kaq delikat, kur Kosova po hyn në fazën e negociatave për të fituar Pavarësinë e saj. Presidenti Rugova prej më se 20 vjetësh ka luftuar, është përpjekur dhe ka bërë çmos që problemi i Kosovës të dalë në rend ndërkombëtar... 

Gjithë populli shqiptar, gjithë shqiptarët ndjekin me dhimbje të dyfishtë humbjen e presidentit, e njeriut simbol për Kosovën, e njeriut flamur për Kosovën, e njeriut, i cili shkriu jetën, por fatkeqësisht nuk e arriti deri në fund të realizojë ëndrrën e tij të shohë me sytë e tij Kosovën e lirë. Kujtimi i tij do mbetet i paharruar”.

Stipe Mesiq, presidenti kroat. “Shqiptarët e Kosovës me vdekjen e Ibrahim Rugovës, kanë humbur udhëheqësin e tyre, politika e matur e të cilit ishte kruciale në momentin kyç politik në të cilin po futet Kosova. Shpresoj dhe besoj së përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës do të dinë ta vazhdojnë rrugën e nisur nga ai, duke marrë vendime të qarta për popullin e Kosovës, por duke i ikur ekstremizmit të mundshëm i cili do të ndalonte arritjen e qëllimeve të nisura. 

* * *

Riçard Holbruk, diplomat i njohur amerikan:“Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta shihte vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shihja më në fund në Prishtinë pa shallin e tij! Mbaj zi për ndërrimin e jetës, së bashku me tërë popullin e Kosovës. Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqjen e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pikë kritike, kur shumë punë mbetën për t’u bërë”.  

* * *

Bob Dol, miku i madh i shqiptarëve, senator shumëvjeçar amerikan, pas vdekjes së Rugovës shkruante: Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoj në aspektin profesional me dr. Rugovën dhe ta konsideroj atë një nga miqtë e mi më të ngushtë gjatë rreth dy dekadave që kur u njoha me të. 

Përpjekja e madhe e presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njëjtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

Mark Krasniqi:  - Dr. Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh i kohës së re, ai është autor i shkrimit dhe i bërjes së historisë së lavdishme të Kosovës në këto dy decenie të fundit. Presidenti Ibrahim Rugova ishte burrështetasi i parë e më i madhi i Kosovës, i cili krijoi miqësi të përhershme me vendet demokratike të Europës e botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Ibrahim Rugova është lideri i parë i shqiptarëve, i cili vuri themelet e Shtetit të Pavarur të Kosovës. Ai është i pari kryetar i Shtetit të Kosovës, i Kosovës së lirë e demokratike, i Kosovës së Pavarur.

Burrat e mëdhenj e shkruajnë vetë historinë! Burrat e mëdhenj nuk vdesin kurrë! Presidenti Ibrahim Rugova ishte një burrë i madh i Pavarësisë së Kosovës! (Akademik Mark Krasniqi, shkrimtar dhe kryetar i PSHDK-së)

Ismail Kadare: -Ibrahim Rugova, tash dihet jo më në hapësirën shqiptare, por edhe në atë evropiane dhe botërore është pranuar si një lider i shquar i Kosovës, si një nga liderët më të shquar të kombit shqiptar, një njeri që u gjend në kohën e duhur në një moment të historisë shumë-shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar. Kjo dashuri e popullit shqiptar, ky nderim që i bëhet sot, kjo jehonë e tij e dëshmon më së miri këtë që thashë. 

Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona.

Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë, as shpresë së lirisë për të. Ai ishte një erudit, më me dëshirë autokrat, i paparashikueshëm dhe fleksibil njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor dhe megjithatë i izoluar, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin ndonjëherë krenar. Dhe afër tij kaloi Historia.

Humbja e Rugovës, është një lajm i hidhur për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë. Do të kujtohet për shumë gjëra Rugova, por do të kujtohet në radhë të parë si presidenti i parë i Kosovës së lirë. Për mua si shkrimtar edhe si njeri dhimbja ka qenë e veçantë, sepse ka qenë kolegu im edhe miku im. Kemi qenë miq edhe kur kemi pasur mendime të njëjta edhe kemi mbetur miq edhe kur kemi pasur mendime të kundërta.

Ai vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë përsëri i dobishëm për Kosovën dhe për të gjithë kombin shqiptar. Shpresoj se klasa politike e Kosovës në këtë vit historik, kur mungesa e tij do të ndihet aq shumë ta kthejë emrin e tij, veprën dhe urtësinë e tij, në një energji të madhe pozitive për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat