Askujt nuk guxon ti mohohet e drejta për të lindur dhe vdekur i paditur

Opinione

Askujt nuk guxon ti mohohet e drejta për të lindur dhe vdekur i paditur

Nga: Lirim Gashi Më: 25 gusht 2018 Në ora: 12:57
Lirim Gashi

Askund në botë s' kam hasur në aq shumë individë të barrikaduar në bunkerët e mendësisë së tejkaluar intrigante se sa në trojet shqiptare ku mjafton një etiketë dashakeqe për ta vulosur diskreditimin e njerëzve që e thonë të vërtetën edhe kur janë të vetëdijshëm për pasojat negative që mund ti kenë për vetveten.

Gjithkund në Evropë njerëzit që s'marrin erë prej temave shoqërore me rëndësi të veçantë biseden e fillojnë me pranimin e sinqertë të mungesës së kompetences për temat komplekse, ndërsa zellin për t'iu bashkangjitur bisedes e arsyetojnë me vullnetin për të mësuar diçka të re, por edhe për ti shumëzuar pikëpamjet ekzistuese. 

Përkundrazi shumica e shqiptarëve që dijnë ti vargojnë tri shkronja si tri miza i turren bisedes si zhives së akllëkut Ziza. 
I turrën bisedes pa e lexuar fare përmbajtjen e postimit vetëm për një arsye të vetme : për ta dëshmuar kinse superioritetin e në fakt po aq pak e njohin përmbajtjen dhe mesazhin e tekstit sa potencialin e tyre të vërtetë, prandaj sillen si pordhat nëpër tirqi rreth boshtit të vetë nga inati dhe sikleti që janë ngujuar në labirintin e injorances pa asnjë shans për ta gjetur rrugëdaljen. 

Kujdes të tillët e kanë të pasinqertë kur mëkatojnë edhe kërkimfaljen. 

Shqiptari i zakonshëm përveç që është i paditur posedon edhe krenari të rrejshme me tonelata, prandaj sillet rreth temës si rreth magarices Ali Lata dhe përveç që s'din asgjë i vjen inati edhe me pyt, por çuditërisht me pollavra, intriga e thashetheme s'përton asnjëherë me t'mbyt . 

Në një vend ku secili e ka shansin për ta keqkryer një punë që se njeh mirë keqtrajtimi i logjikës së shëndoshë është i paraprogramuar dhe fundosja e të gjitha vlerave që jetën e bëjnë të këndshme dhe dinjitetshme gjithashtu, prandaj habia e atyre njerëzve që i krijojnë rrethanat e volitshme për idiota për të prodhuar rezultate nëntokësore me fusnota 
dhe maltretim të filozofisë, shkencës dhe shoqërisë është aktrim i shëmtuar i pafajsisë të cilit nuk i beson askush e madje as mixha Demush që vuan nga demenca, sepse 100 vjet i ka mbush. 

Të tillët të gjitha njohuritë për botën që i rrethon mund ti vargojnë  në vargun e duhanit si në kohën e Sinan Hasanit kur përroi vërshonte në vend të lumit dhe kur nëna Maz e lante me pacërrk në aher t'lopës baben Qaz të sapo zgjuar prej gjumit. 

Më të zëshmit janë servilet debil që prodhojnë kakofoni të ekstra klases që për nga kuterbimi ia kalon bagles dhe glaces dhe që ka përmbajtje aq toksike sa që nuk mund të përdorët as për pjellimin e tokës dhe as për ushqimin e magarices dhe lopës.

Përkundrazi janë toksina që e helmojnë trurin dhe zemrën e popullin me padituri, intriga, urrejtje dhe thashethëna të marra e të dhëna që jehojnë si rrufeja, gjithmonë të motivuara nga politika dhe feja. 

Evident është tentimi permanent i shqiptarit të paditur për ta tërhequr vëmendjen prej temës te personi në momentin që e tradhtojnë argumentet dhe diapazoni, sepse i mungojnë përveç kulturës së debatit të gjitha elementet për ta sfiduar bashkëbiseduesin me dituri, ngaqë tërë jetën ka konsumuar kakofoni, prandaj çdo zbrazje e mllefit për humbjen e betejes verbale përveç që i kuterbon si shkula është idiotike dhe qesharake sa kimia pa formula. 

Fatkeqësia më e madhe është se të tillët shumëzohen si mizat dhe i pushtojnë të gjitha institucionet e shtetit me karakterin e tyre dhelprak duke i shkelur të gjitha parimet dhe vlerat njerëzore, kombëtare dhe universale si valak. 

Prandaj nuk është shndërruar rastësisht shteti ynë i brishtë në pronë të tyre private, por sepse sundohet nga mëkatarët që i kanë shërbyer sistemeve shoqërore që i kanë kalbur intelektualët e vërtetë nëpër burgje e kazamate. 

Të tillët i kanë mbijetuar thyerjeve epokale politike në manirin e kameleoneve që shndërrohen brenda natës prej Zaulit në Paul, kurdoherë të gatshëm konkurrences politike thikën nga mbrapa për t'ia ngul. 

E disa të tjerë që e kanë kaluar në shoqëri të dhive të egra çdo dimër e verë e kanë kuptuar politikën si ofertë për të kullotur nëpër kullosat e shtetit deri në ditën e kiametit. 

Të tillët s'ka kush që i largon nga pushteti me procedura legale, sepse i kanë uzurpuar institucionet si shija tallava muzikën dhe nuk ia kanë askujt frikën. 

Të tillët janë parazitë që nuk çrrënjosen pa i shkulur nga dheu së bashku me rrënjët . 

Këta parazitë gjakatar jo vetëm që janë të denjë për çdo denim pse janë mbushur me mëkate, por sepse janë tradhtar klasik ndaj të cilëve nuk mëkaton dot edhe nëse i dërgon për vuajtje dënimi nëpër kazmate. 

Megjithatë askujt nuk guxon ti mohohet e drejta për të lindur dhe vdekur i paditur sepse e drejta elementare e çdo individi për të qenë idiot është e pacenueshme ashtu siç është i pacenueshëm edhe dinjiteti i tij. 

Kujdes ; çdo person që e cenon të drejtën e shqiptarit për të qenë idiot mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, por edhe me mllefin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat