Nuk po dimë, apo nuk po duam?! - Bota Sot
Nuk po dimë, apo nuk po duam?!

Opinione

Nuk po dimë, apo nuk po duam?!

Nga: Ragip Guraziu, Sadik Përvetica Më: 17 shtator 2018 Në ora: 08:59
Ragip Guraziu

Diskutimet rreth numrit të saktë të veteranëve të UÇK-së po zgjasin me ditë, me muaj e me vite. Shumë zhurmë, shumë mjegull dhe asgjë më shumë. Shtrohet pyetja: Nuk po dimë, apo nuk po duam t’i zbulojmë dhe t’i demaskojmë publikisht virusët dhe viranët, për t’ua kthyer lavdinë dhe shkëlqimin veprave të veteranëve të luftës së lavdishme të UÇK-së?!

Virusët dhe viranët e UÇK-së nuk do të zbulohen kurrë (por edhe për një kohë të gjatë do bëhet vetëm zhurmë rreth tyre), derisa Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos marrin vendim që të gjithë emrat e deritanishëm të përfituesve të kësaj kategorie të publikohën (të botohen nëpër të gjitha gazetat ditore). Pas publikimit të përfituesve, popullata në kryesim me veteranët e vërtetuar katërcipërisht si të tillë, që nga ditët e para të luftës, duhet të dalin para medieve dhe t’i demaskojnë publikisht (por vetëm pasi të identifikohen edhe nga fqinj e persona të tjerë: viranët dhe vetranët e rrejshëm, të cilët hynë në luftë, të porositur nga UDB-a serbe për ta sabotuar luftën).

Gazetat e pasluftës kanë demaskuar (në numër të vogël disa sish. Megjithatë, ndoshta, të tillët, kanë gjetur prapë metoda, janë bërë viranë të luftës dhe tani marrin edhe pensione të pamerituara. Të tillët nuk mund të zbulohen kurrë, derisa të gjithë emrat e atyre që marrin pensione të luftës të mos publikohen.

 Vetëm atëherë mund të ndahet kripa nga sheqeri: me dëshmi të gjalla të njerëzve që i njohin mirë, të cilët kanë parë me sytë e vet çdo lëvizje e veprim mashtrues e tradhtar të tyre, ngase besojmë fort se nuk ka lagje: as në fshatra, as në qytete, që po qe se ka pasur persona të këtillë (bashkëpunëtorë të armikut) që, kur kanë gjetur rastin, janë infiltruar dhe kanë depërtuar ndonjë ditë edhe në radhët e UÇK-së së ndonjë zone të luftës.

E, po qe se bëhet ky publikim i emrave të tyre, atëherë, secili qytetar, besojmë, do t’ia shtrojë vetes si detyrë atdhetare denoncimin e veprave të tyre (por vetëm me fakte). Në këtë mënyrë do të ngushtohet rrethi i veprimeve mashtruese të viranëve dhe mjeranëve që, dje ishin diku tjetër, kurse sot, që pa kurrëfarë meritash, gëzojnë benefite shtetërore dhe keqpërdorin mjetet buxhetore të taksapaguesve tanë të varfër. Në këtë mënyrë mund të bëhet (me fakte) demaskimi publik i të gjithë viranëve e mjeranëve nëpër lagje: si në qytete, po ashtu edhe nëpër fshatrat tona.

E gjithë kjo punë është domosdoshmëri urgjente aktuale, sepse populli nuk është në dijeni se kush po merr pensione e benefite sot.

Këtë shkrim e mbështetëm mbi faktet se menjëherë pas luftës, kemi hasur në matrapazë e mashtrues të paturpëshëm, të cilët kanë studiuar e hulumtuar mekanizma e metoda mashtruese duke lutur mjekë e shërbime mjekësore: për t’u dhënë vërtetime se kanë qenë në luftë, e që në të vërtetë faktet dhe dokumentet flasin se disa sish e sosh kanë qenë në shërbime secrete e seksi, në shitblerje e lëshime me qira të banesave të huaja, në falsifikime dokumentesh me qëllime përfitimesh materiale personale në mënyrën më të paturpshme dhe më perfide: për shërbime seksi, si dhe për përfitime të tjera të jashtëligjshme, edhe në periudhën e pasluftës.

Në fund po theksojmë edhe një herë se këtë gjendje të mjerueshme morale e intelektuale dhe këtë skandal të madh korruptiv në përmasa shtetërore që shtetit po i kushton miliona euro, por i cili, në veçanti, po degradon moralin kombëtar, po prish imazhin e shtetit, si dhe po vonon proceset e integrimit të Republikës së Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, askush nuk do duhej ta shfrytëzonte si fushatë njollosjeje, sepse secili individë, para se të flasë dhe ta drejtojë gishtin drejt dikujt, duhet të matet mire dhe të jetë i vetëdishëm për përgjegjësinë e fjalës publike. Përkudër kësaj maturie që i duhet çdo individi të përgjegjshëm, askush nuk do duhet të ngurrojë dhe të frikësohet për ta thënë të vërtetën për viranët e përfituesit tjerë të paligjshëm (kur ka fakte të pamohueshme) të cilët sot po e mjelin buxhetin e Kosovës dhe po e varfërojnë, po e degradojnë dhe po mjerojnë mbarë popullin tonë.

Me nderime dhe me përgjegjësinë më të lartë morale e kombëtare, po qe se veprohet kështu me publikimin e viranëve të luftës, ne do jemi të parët që posa ta shohim në listë emrin e rrejshëm të ndokujt, nuk do të flasim rrugëve, por do t’u drejtohem institucioneve përgjegjëse për t’i paraqitur viranët e mjeranët e këtillë, sepse për ne është detyrë atdhetare që personat e tillë t’i demaskojmë publikisht së bashku dhe do jem i gatshëm që në rastë nevoje edhe të ballafaqohem me ndonjërin prej tyre, për t’ua çorur maskën se ku kanë qenë dhe me çka janë marrë në prag të luftës dhe menjëherë pas luftës, kur ata kanë menduar se nuk po i sheh, nuk po i njeh, as nuk po di askush se çfarë veprimesh të dëmshme Në të kundërtën, siç thamë, më lartë, për këtë kategori përfituesish të paligjshëm, vetëm do bëhet zhurmë, do ngrihet pluhur dhe do krijohet mjegull edhe shumë vite të tjera. Dhe asgjë më shumë dhe as më pak.

Siç jemi në dijeni tani Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë listën e plotë me 20 mijë emra që cilsohen si veteranë mashtrues.

Pensioni prej 175 euro që morrë 46 mijë veteranë,20 mijë prej tyre  të rremë,I kushtuan buxhetit të Kosovës 68.153.533.14 euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...